Javën e kaluar në fshatin Surkish të Podujevës, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare Fazli Llugaliu, njëri nga profesorët e parë të Edukatës Fizike në Llap.
Llugaliu krahas kontributit të tij të jashtëzakonshëm në përgatitjen e të rinjve llapjanë në disiplina të ndryshme sportive, vite të tëra u dallua edhe si lojtar e trajner i Klubit Futbollistik “Llapi” të Podujevës, të shumtën e kohës anëtar i Ligës së Parë Futbollistike të Kosovës.
Fazliu pas përfundimit të Shkollës Normale në Prishtinë, edhe pse në kushte të rënda ekonomike nga dëshira që të aftësohet profesionalisht regjistrohet në Fakultetin e Edukatës Fizike në Universitetin e Sarajevës.
Në këtë Fakultet diku në vitet 1967 dhe 1977 studimet i patën përfunduar edhe bashkëvendësit e tij Faik Çitaku e Kamber Ejupi.
Si Çitaku ashtu edhe Ejupi, janë emra të përveçëm të sportit në Kosovë dhe ish-Jugosllavi.
Kuadro të hershëm të kësaj fushe nga Llapi,janë edhe Qerim Azizi, i diplomuar më 1968 në Fakultetin e Kulturës Fizike në Beograd dhe Rashit Sejdiu, të cilët u shquan me punën e tyre profesionale në Lidhjen e Kulturës Fizike të Kosovës.
Kurse,Fazli Llugaliu njohës i të gjitha sporteve edhe pse në kushte tepër të rënda si pedagog i Edukatës Fizike, deri në pensionin e merituar do të punojë në shkollat e qytezës së Podujevës.
Ai me punë sistematike dhe profesionale korr sukses pas suksesi me të rinjtë e Llapit, në të gjitha disiplinat sportive si në nivel Krahine, Republike dhe Federate.
Në vitet 60-të, Fazli Llugaliu,në cilësinë e mësimdhënësit të Edukatës Fizike me diku 10 nxënës të shkollave të Mesme të Podujevës, do të marrë pjesë në garat Federative të Jugosllavisë, të mbajtura në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Në këto gara ku merrnin pjesë atletë nga 6 republika dhe dy krahina të Federatës jugosllave, llapjanët plasohen në vendin e dytë.
Me sukseset e tyre të arritura dallohen Xhafer Salihu, Bahri Shabani, Bislim Berisha, Isak Bahtir Syla etj.
Xhafer Salihu ish- nxënës i Llugaliut në gjimnazin “8 Nëntori” të Podujevës si atleti më i mirë më 1970, shpallet sportist i vitit në Kosovë.
Llugaliu krahas punës si pedagog i Edukatës Fizike nga radhët e shqiptarëve është nga të parët që veshi fanellën e Klubit Futbollistik Llapi, nga gjiri i të cilit dolën legjendarët: Fadil Vokrri , Esat Mehmeti, Shukri Paçarada, Bedri Muçolli, Selatin Vokrri, Shukri Shabani, Islam Ajeti, Sabri Miftari, Islam Visoka, Luan Salihu, Isak Ibrahimi, Rifat Hajdari, Avni Stublla, Rrustem Podvorica, Rasim Ymeri, Fadil Kodraliu, Fehmi Podvorica, Fidaim Konushevci etj.
Llugaliu në periudhën kur luajti në skuadrën e Llapit, bashkëlojtarë i kishte vëllezërit Hashim e Bislim Aliu, Rifat Rexhep Blaku, reprezentues i juniorëve të Kosovës, më vonë profesor i dalluar në Universitetin e Kosovës.
Këtij brezi i takojnë edhe futbollistët Ejup Bekteshi, Shaban Hajrullahu, Bedri Muçolli dhe Selim Zeqir Blaku.
Meqë, Bedriu shkëlqente në atë periudhë pas tij ishin vënë në garë Trepça e Mitrovicës dhe Prishtina, anëtare të Ligës së Dytë Federative të futbollit në ish-Jugosllavi.
Muçolli si nxënës i Normales së Prishtinës, vendos që karrierën ta vazhdojë në ekipin e kryeqendrës së Kosovës.
Llugaliu edhe pse do ta ndjejë mjaft mungesën e tij do t’i mbetet besnik Llapit, deri në periudhën kur lojtarët juniorë talent të rrallë të Llapit, Selatin Vokrri, Shaban Hajdari, Idriz Mehmeti, Muhamet Vokrri, Ahmet Haxhiu etj, kalojnë në ekipin e parë.
Llugaliu në Llap, njihej edhe si Garinça, ikonë e dikurshme e futbollit brazilian dhe atij botëror.
Ai përveç që dispononte shpejtësi prej atleti ishte edhe driblues i mrekullueshëm.
Pas përfundimit të karrierës Llugaliu, punoi si trajner me të gjitha grupmoshat e skuadrës së Llapit.
Esat Mehmeti, portier me emër në ish – Jugosllavi, me emocione të pa përshkruara pohon që më meritori në zbulimin e talentit të tij, ishte Llugaliu.
Fazli Llugaliu ishte babaxhan dhe demokrat i vërtetë. Ai me nxënës kishte raporte të shkëlqyera. Asnjëherë nuk i kushtëzonte ata që në orën e Edukatës Fizike të kenë patjetër veshjet sportive, ngase e njihte gjendjen e tyre të rëndë ekonomike.
Me iniciativën e tij çdo vit organizohej maratona pranverore në vrapim që të shumtën e herëve mbahej në fushat e fshatit Ballovc të Podujevës, të mbuluara me gjelbërim e ajër të pastër.
Fazliu që i dha shumë sportit llapjan vdiq dhe u varros në vendlindjen e tij në Surkish të Podujevës.
Modestët dhe të pa imponuarit çdoherë varrosën pa zhurmë e bujë, ashtu siç u varros Fazli Llugaliu, pedagog i shumë brezave në shkollat e qytezës së Podujevës.
Strukturat e pushtetit lokal dhe ato të nivelit qendror duhet t’i vrasë ndërgjegjja.
Mosprania e tyre në ceremoninë e varrimit të pedagogut dhe sportistit të shquar Fazli Llugaliu është mosnjohje dhe mohim i punës së tij shumëvjeçare.
Rreshta të shkruar në rrjetet sociale nga ndeja dhe ahengje, që nuk kanë adresë janë kryerje formaliteti dhe lojë e paskrupullt.
ARIF EJUPI