TIRANË- Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ka reaguar pas vendimit të gjykatës greke për dënimin e dy shoferëve të Ministrisë me 30 muaj burg me kusht, me akuzën se transportonin libra me karakter propagandistik kundër Greqisë.
PDIU e quan një akt burracak të shtetit grek dhe përpjekje për të ndaluar përparimin e çështjes çame.
“Mediat greke njoftuan për dënimin absurd, burracak, të padrejtë të dy shoferëve shqiptarë që kishin një ngarkesë me abetare për fëmijët e komunitetit shqiptar në Greqi.
Ky akt burracak ngjan si përpjekje e drejtuesve të cirkut politik në Greqi, që të pafuqishëm për të ndaluar përparimin e çështjes çame, po i hedhin turmave të paditura dy gladiatorë imagjinarë të armikut. Gladiatorët në fakt nuk janë gjë tjetër veçse dy shoferë që kryejnë detyrën normale apolitike të dikujt që është transportues malli dhe kaq”, deklaron PDIU.
Sipas saj, ky akt absurd zemërimi ndaj abetareve shqip në mes të Europës, do të turpërojë autorët e tij, kur ai të mësohet anembanë mediave, kancelarive dhe opinionit publik europian. “Abetaret, ushqim mendjeje për 6-vjeçarët nuk përbëjnë rrezik për integritetin territorial të Greqisë, edhe kur në to mësohet se shqiptarët kanë jetuar dikur në territore që sot janë të saj. Shfaqje të tilla kanë qenë të denja për shekullin e 19 dhe të 20-të, kur shteti fqinjë, kisha e tij, kanë luftuar me zjarr dhe hekur ndaj kulturës shqipe, ndaj gjuhës shqipe, por sot duken të egra dhe jashtë kohe”, shprehet më tej PDIU.
Në përfundim, PDIU i kërkon autoriteteve shqiptare të veprojnë me qetësi, por me reciprocitet ndaj këtyre veprimeve, duke ndaluar çdo propagandë shoviniste në çdo formë që vjen prej një vendi fqinjë.
Gjykata e Janinës ka dënuar në mungesë me 30 muaj burg me kusht për 3 vjet dy shoferët e Ministrisë së Jashtme që transportonin ngarkesë me abetare për fëmijët e komunitetit shqiptar në Greqi.
Komentet