Partia Demokratike ka akuzuar ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për trafikun e drogës me avion nga Vlora drejt Italisë, kurse kreun e qeverisë për heshtjen dhe mosreagimin për rastin në fjalë.
Në një deklaratë për mediat, deputeti Flamur Noka tha se prej 4 ditësh, as ministri dhe as kryeministri nuk japin asnjë shpjegim për përfshirjen direkte të funksionarit të lartë të policisë së Vlorës në trafikun e drogës, ashtu sikurse nuk kanë dhënë asnjë shpjegim për përfshirjen e këtyre elementeve kriminal në nivelet drejtuese në Policinë e Shtetit.
“Edhe pse Rama gjendej sot në vendin e krimit, ai nuk gjeti asnjë moment për ta dënuar ngjarjen e përfshirjen e zyrtarëve të lartë në trafik droge,ashtu sikurse nuk ka gjetur asnjë moment të shpjegojë hashashizimin e Shqipërisë duke treguar në këtë mënyrë qe gjithshka ka edhe ka patur bekimin e tij dhe mburojën e sejmenit të tij”- tha ai.
Sipas tij, edhe pse Partia Demokratike dhe opozita kanë denoncuar parreshtur me fakte trafikun e drogës me avionë, megjithëse ju ngeci në rërë Riformato, përsëri ky trafik ka vazhduar të zhvillohej dhe do të zhvillohej dhe sot e kësaj dite nëse nuk do të ndërhynin autoritetet italiane.
“Trafikantët kishin garanci për aktivitetin kriminal nga shefi i policisë së Vlorës, dhe shefi i policisë së Vlorës kishte garanci e imunitet edhe më lart për trafikun e drogës. Përgjegjësia shkon tek Ministri i Brendshëm. Ky është rasti tipik i krimit të veshur me pushtet e pushtetit të veshur me krim”- tha ai.
Noka theksoi se derisa ministri “nuk jep asnjë shpjegim se përse u rikthye në detyrë shefi i policisë i kapur në krye të trafikut, pasi ishte përjashtuar në 2007 me po keto argumenta, nuk jep pergjigje se kush i jepte atij pushtet për të lëvizur drogën, cili deputet apo qeveritar i ofronte atij mbrojtje e paprekshmëri, atëherë ministri i Brendshëm është vetë drejtpërdrejt i lidhur me këtë aferë e duhet të mbajë përgjegjësi për të”.
Komentet