Voal – Seanca plenare pritet të nisë sot në orën 10:00, por demokratët kanë planifikuar që ta bllokojnë atë me të gjitha format. Për të realizuar synimin e tyre opozitarët do të zbarkojnë të armatosur me vezë dhe me zogj para orës 09:00 para Kuvendit, ndërsa nga podiumi që do të ngrihet, turma do të kontrollohet nga fjalimet që demokratët do të mbajnë. Në “selinë blu” organizatorët e protestës kanë kopsitur skenarin final të protestës, ku bie në sy përpjekja për t’i bllokuar hyrjen deputetëve për t’u futur në Kuvend. Mësohet se krahas mënyrës fizike për t’i ndalur, demokratët do të gjuajnë ndaj deputetëve të majtë me vezë dhe me zogj të ngordhur. Edhe pse zyrtarisht demokratët nuk ka një skenar të deklaruar nga Basha për mënyrën se si do të zhvillohet protesta e 17 dhjetorit, një nga detajet e zbuluar është se në podium ai do të jetë i pranishëm në shumicën e kohës, i shoqëruar me koordinatorët, sekretariatet dhe me dhjetëra të rinj të FRPD-së.
Tashmë demokratët kanë përcaktuar si prioritet largimin e qeverisë, e kjo presupozohet se nis me protestën masive të qytetarëve, me kërkesën për ngritjen e një qeverie teknike dhe më pas ndjekjen e procedurave për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Për të realizuar skenarin, demokratët janë shumë të motivuar, pasi me datën 21 do të zhvillojnë një tjetër protestë, por këtë radhë para godinës së kryeministrisë. Në protestën e 17 dhjetorit, të lajmëruar nga opozita do të jetë të njëjtat parulla që u hapën në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit” me 8 dhjetor, protestë e cila u përshkallëzua me thyerje të xhamave të ministrisë së Transporteve, veprave publike dhe në fund me djegien e bunkeritmuze në hyrje të tuneleve nëntokësore pranë kompleksit të ministrive. Mësohet se në protestën e 17 dhjetorit do të përdoren tymuese dhe do të hidhen sende në mjediset e Kuvendit.
Thirrja e Bashës
Në mbledhjen e grupit Parlamentar, të zhvilluar dje në mesditë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën para Parlamentit, për të dik- tuar krijimin e një qeverie teknike. Ashtu si në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe me krerët e degëve dy ditë më parë kreu i opozitës Lulzim Basha bëri të ditur se në protestën e 17 dhjetorit dhe në atë të datës 21 para kryeministrisë demokratët, thjesht nuk do të protestojnë, por do të kërkojnë zgjidhje. Në vijim të fjalës së tij ai tha se e enjtja do të jetë një ditë aksioni për largimin e qeverisë “Rama”. Kreu i opozitës tha se aksioni do të përqendrohet në dy drejtime: në kundërshtimin e ligjeve që varfërojnë shqiptarët nga deputetët demokratë në sallë dhe në protestën e qytetarëve jashtë sallës.
“Në shënjestër është projektbuxheti dhe paketa fiskale, dy dokumente si dokumente vdekjeje të ekonomisë shqiptare. Do të bëjmë çmos t’i ndalojmë. Deputetët tanë do të bëjnë çmos në foltoren e Kuvendit të argumentojnë pse është buxhet i varfërisë dhe recensionit më të thellë, dhe paketa fiskale është një përpjekje e mjerë për të qepur interesat e kontrabandistëve të oborrit qeveritar me ndonjë ide të keqkopjuar dhe për qëllime demagogjike nga program i PDsë. Në fakt, përveç amatorizmit, fillin që e përshkon këtë projektbuxhet e paketë fiskale, është paniku. Banda dhe oligarkët janë në panik, shtyjnë ditët dhe vjedhin ku të munden. Me këtë bindje qytetarët do të vijojnë protestat me akte paqësore për largimin e qeverisë Rama-Meta, jo vetëm për shkak të dështimeve të saj në raport me premtimet elektorale, por mbi të gjitha sepse kjo është tashmë një qeveri e rrezikut kombëtar”, u shpreh Basha.
Sipas tij, kryeministri Edi Rama ka krijuar një shtet të padrejtë që vjedh dhe dhunon qytetarët. “Kjo që po themi nuk është vetëm një prognozë, thjesht një parashikim por një realitet që po ndodh, do të thellohet sa më gjatë. Ndaj ju drejtohem: ngrihuni pa dallime politike, mblidhuni nesër masivisht të protestojmë dhe të largojmë me bashkim qeverinë-fatkeqësinë. Të diktojmë një marrëveshje të një qeverie teknike që të përgatisë zgjedhje të reja, të votojmë më pas gjithsekush për partinë dhe programin e zgjedhjes tuaj persona. Kjo është zgjidhja”, theksoi Basha.
Vokshi kërkon shpalljen “non grata” të Ramës
Deputetja e PD-së Albana Vokshi ka ashpërsuar tonet duke ftuar shoqërinë civile që të nisë nënshkrimin e një peticioni për shpalljen nongrata të kryeministrit. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Socialiste, e cila, përmes deputetes Olta Xhaçka, ka thënë se PD-ja u trembet reformave të qeverisë. Kjo, sipas Vokshit, duhet të vijë si përgjigje ndaj thirrjeve raciste që bëri Rama gjatë një takimi në Sarandë, kundër veriorëve. Albana Vokshi ka deklaruar se Rama ka kohë 24 orë që të largohet nga vendi, pasi në të kundërtën do të ketë pasoja.
“Inkurajoj shoqërinë civile të angazhohet në mbledhjen e firmave për të shpallur Edi Ramën person non grata” ka thënë Vokshi. Ajo shtoi se Kryeministri shkeli Kushtetutën, ndaj ai duhet të japë dorëheqjen për thirrjet raciste. “Ai ka afat 24 orë që të ikë nga Tirana! Më pas populli merr fatet e tij në dorë”, është shprehur deputetja Vokshi në një intervistë. “Era e revolucionit demokratik në Shqipëri ka nisur dhe shqiptarët, me besimin në Zot, do ta fitojnë këtë betejë për të drejtën! Agjendat e lëvizjeve popullore janë të qarta: nuk ka kthim prapa deri në largimin e qeverisë më të korruptuar në Shqipëri. Diktaturat janë sistemet që rrëzohen me revolucione, që hapin më pas rrugën për të përgatitur rotacionet e pushteteve me votë të ndershme“, ka vijuar ajo.
“Protesta e PD-së të mos degjenerojë në dhunë”
Ambasadori i Italisë në Shqipëri ka reaguar një ditë përpara protestës së Partisë Demokratike, të paralajmëruar për këtë të enjte, duke theksuar se protestat janë pjesë e demokracisë, por nuk duhet që këto protesta të degjenerojnë në dhunë. Alberto Cutillo ka qenë i drejtpërdrejtë, kur ka thënë se vetë opozita nuk duhet të lejojë që protestat të kalojnë në akte dhune. “Protestat janë pjesë e demokracisë dhe e jetës demokratike të një vendi, mjafton që këto protesta të mos degradojnë dhe të shkojnë drejt dhunës dhe kjo është një përgjegjësi e opozitës, që duhet të ketë parasysh se u duhet përmbajtur ligjeve. Protestat, deri në momentin kur nuk janë të dhunshme, nuk e dëmtojnë imazhin e Shqipërisë në Europë”, ka thënë Cutillo. Këtë deklaratë ambasadori i Italisë e ka bërë nga Shkodra, si vizitë e tij e parë pas emërimit si ambasador në vendin tonë, duke theksuar se Bashkimi Europian duhet që të bëjë pjesë të tij edhe Shqipërinë.
“Rruga për në Europë është shumë e vështirë dhe është e përbërë nga reforma shumë domethënëse dhe të thella që kërkojnë impenjim të madh nga vendet që mund t’i kryejnë prandaj kërkojnë angazhim. Disa prej reformave kanë më shumë rëndësi dhe në rastin e Shqipërisë, reforma në drejtësi nga BE është cilësuar si reforma më e qenësishme që procesi të shkojë përpara. Prandaj një pjesë e këtyre reformave kërkon një bashkim të gjitha forcave politike, sepse nuk janë reforma që mund të bëhen nga njëra pjesë e politikës, prandaj duhet që forcat politike shqiptare të gjejnë gjuhën e përbashkët për kalimin e këtyre reformave. Ambasadori nuk ka lënë pa përmendur edhe çështjen më së shumti të debatuar këto ditë, atë të reformës në Drejtësi, duke i bërë apel palëve politike që të bashkëpunojnë. “Sistemi i drejtësisë pa element korruptiv është një sistem që të gjithë e duam nga SHBA, Evropa, prandaj pastrimi i sistemit të drejtësisë nga elementët korruptivë është një proçes që duhet të konsiderohet normal dhe demokratik”, ka shtuar ambasadori Cutillo.
Olta Xhaçka
Pas deklararës së deputetes demokrate Albana Vokshi, ka reaguar deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka e cila ka thënë se Bashkimi Europian vijon që të mbështesë reformat e qeverisë, ndërkohë që PD-ja s’ka asnjë kauzë për të protestuar, veç ardhjes në pushtet me pahir. Sipas Xhaçkës, deklarata e Vokshit ka nxjerrë në pah arsyen e vërtetë të protestave, atë të thirrjeve skandaloze, për shpalljen non-grata të Kryeministrit, duke theksuar qartësisht se PD nuk ka një kauzë për të protestuar. Ajo shtoi se të tilla deklarata tregojnë se Partia Demokratike kërkon të marrë pushtetin me forcë.
“Rruga që Partia Demokratike ka zgjedhur për të tentuar destabilizimin e vendit, për të organizuar turbullira dhe protesta të dhunshme mu në prag të festave të fundvitit, është përmes parasë së piset dhe blerjes së njerëzve më në nevojë. Në një tjetër të përditshme, një prej protestuesve të 8 Dhjetorit, pranon se kishte ardhur në Tiranë jo për të protestuar, por për të gjuajtur dhe sulmuar institucionet me gurë. I riu, vetëm 16 vjeç, pranon në intervistë se zyrtarë të PD-së mbushnin autobusët në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, të cilët i paguanin 10 mijë lekë për të marrë pjesë në protestë. Pas kësaj dëshmie, ku e gjejnë kurajon përfaqësues te PD-së që bëjnë thirrje për revolucion”, tha deputetja socialiste./Shekulli
Komentet