TIRANE- Ndërsa Kuvendi pritet të mblidhet të hënën në orën 18:00 në një seancë të jashtëzakonshme ku do të nisë zbatimi i marrëveshjes Rama-Basha me miratimin e ligjit të vettingut, ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe atyre në qeveri, zbulohet edhe dita kur kryedemokrati Basha zyrtarizon emrat e 6 ministrave dhe zv.kryeministrit.
Gazetarja Marsela Karapanço konfirmon për Balkanweb se kryedemokrati Basha pritet t’i zyrtarizojë nesër emrat, duke i dhënë fund dilemave.
Pas kësaj kryedemokrati do t’ja dërgojë listën kryeministrit Edi Rama dhe nësse ai do të bjerë dakord me këto propozime, atëherë lista me emrin e zv/kryeministrit, ministrave teknikë dhe krerëve të drejtorive do t’i dërgohet për dekretim Presidentit të Republikës.
Burime për ‘GSH’ bëjnë me dije se në krye të Ministrisë së Arsimit përflitet emri i Ardian Marashit, ish-drejtor i QSA-së. Por për pasardhësin e Lindita Nikollës përflitet edhe emri i akademikut Artan Fuga. Në Ministrinë e Shëndetësisë, përflitet emri i ish-zv.drejtorit të ISKSH-së dhe student i rrjetit “Lead Albania”, Qamil Dika, i cili do të zëvendësojë Ogerta Manastirliun.
Si ministër i Brendshëm në vend të Fatmir Xhafajt, pritet të propozohet Fatmir Hamuli ose Ivzi Biçaku. Në Ministrinë e Drejtësisë qarkullon emri i Besnik Kastratit në vend të kryetarit të LSI, Petrit Vasili. Mbetet për t’u caktuar kandidati për ministër të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë si dhe ai për postin e zv.kryeministrit.
Sipas marrëveshjes Rama-Basha, ikin 6 ministra aktualë, vijnë 6 ministra teknikë si dhe 5 drejtorë.
Komentet