Javën që shkoi gjithë opinioni pa si deputetët e PD-së u ngjitën në skenën e Parlamentit të Shqipërisë dhe shprehën domosdoshmërinë e votimit të nismës të partisë së tyre për hetim ndërkombëtar të mega-aferës korruptive CEZ-DIA.
Kur u votua, rezultati përfundimtar qe 50 vota pro dhe 54 kundër.
Gjithë televizionet dhe shtypi zjente duke i bërë jehonë qëndrimit të Ilir Metës se ai do të votonte „pro“ nismës së PD-së, dhe meqë PD-ja ishte e interesuara, pjesëmarrja në votim e deputetëve të saj domosdoshmërisht duhej të ishte e plotë. Por për absurd nuk ishte e tillë.
Ky votim do të kalonte “pro” nëse do të votonin deputetët Sali Berisha, Myqerem Tafai, Igli Cara dhe pasi që PD-ja e shihte si sfidë të saj, do të duhej të paktën të lobonte tek aleatët si Fatmir Mehdiu dhe ish deputetja e PD-së Mesila Doda. Si ndodh në çdo Parlament të botës demokratike.
Të gjithë deputetët e PD e kishin obligim votimin, ashtu si e kishin për obligim lobimin dhe angazhimin për kalimin në Parlament të nismës së tyre.
Që nga Gjermania, Lulzim Basha i bëri me dije opinionit publik se Berlini mbështeste nismën e PD për hetim ndërkombëtar, ndërkohë që vetë Lulzim Basha nuk e përmbushi detyrimin minimal për të garantuar pjesëmarrjen e plotë në votimin për procedurë të shpejtuar të deputetëve të partisë që ai drejton.
Nëse Ilir Meta bëri lojë me votimin e tij „pro“ , ndërkohë që nëntë deputetë të LSI-së „abstenuan“, po PD-ja çfarë loje bëri, lojën e kujt bëri, duke e vënë në lojë integritetin e gjithë deputetëve të tjerë të saj, pavarësisht votimit te tyre „pro“.
Duke u interesuar për mospjesëmarrjen e deputetëve të PD-së në votim, të cilët, sipas fjalimeve të tyre në parlament, ishin të interesuar in primis për të votuar, u përpoqa të lidhem me disa prej tyre, përveç Sali Berishës i cili e kishte botuar në faqen e tij Sqarimin e njohur tashmë, se nuk kishte marrë pjesë për shkak të një keqkuptimi.
Përmes Facebook-ut i drejtova pyetje Genc Pollos, Myqerem Tafajit dhe Igli Carës se përse munguan në votim. I drejtova pyetje edhe Eduard Halimit.
Jozefina Topallit i dërgova përmes FB këtë pyetje: „Zonja Topalli, në nismën e partisë tuaj, nuk votuan 4 deputetë. Zoti Berisha është sqaruar, ju si grup a nuk i keni pyetur deputetët e tjerë për mospjesëmarrje, përpara se të bëhej votimi nuk jeni parambledhur, nuk keni lobuar me aleatët, me Fatmir Mediun, me Mesila Dodën, me grupin e Shpëtim Idrizit?“
Fjalimi i zonjës Topalli në Parlament ditën e votimit ishte më i zjarrti, por mesa duket zjarri ishte me fije kashte. Zonja Topalli nuk e mori mundimin fare të më përgjigjej. Në vijim të stilit të lidërshipit të PD-së, me pasojat e qershorit 2013, ku 1 milionë votues nuk votuan pro Edi Ramës, por kundër keqqeverisjes së PD-së.
Pyetjes time nuk iu përgjigj as Myqerem Tafaj, as Igli Cara, të cilët janë të detyruar t‘i përgjigjen opinionit publik shqiptar. As Eduard Halimi nuk ktheu përgjigje.
Nga deputetët që kishin votuar, m’u përgjigj deputeti Kastriot Islami, si në vijim: „Për të qene i sinqertë dhe i saktë”, shkruan zoti Islami, „nuk kam asnjë informacion për mungesat e kolegeve dhe ndoshta mund të pyeten ata vetë apo kryetari i grupit. Së dyti, po ashtu nuk kam asnje informacion lidhur me negociatat me PDIU. Së treti, kam bëre një postim në faqen time në fb lidhur me këtë çështje. Shkurtimisht, rezultati i votimit per Hetimin Nderkombetar varet nga votat e LSI si do që të organizohet opozita. Nderkohe PD plus PR plus PDIU plus PDK nuk ka aktualisht me shume se 53 deputete ( nese nuk gabohem). Nese Meta nuk desheron ta miratoje Hetimin Nderkombetar ai i ka te gjithe mundesite dhe pikerisht kete loje beri edhe ne votimin e fundit. Përfundimisht nëse Meta e ndan mendjen për të luajtur me këtë votim i ka te gjithë mundesitë për ta bërë dhe e gjithe opozita e bashkuar nuk e pengon dot. Ky shpjegim nuk mjafton per të shpjeguar mungesat, arsyet e të cilave une nuk i di dhe besoj janë të qenesishme. Shpresoj te kem qene i qarte ne pergjigje te pyetjes suaj.“
Arsye të qenësishme deri tani për mospjesëmarrje në votim ka dhënë vetëm Genc Pollo, që lajmëroi përmes Fb dhe Twitter se mungesa e tij ishte e lidhur me faktin se ishte pjesë e delegacionit të PD-së në Gjermani.
Genc Pollo më sqaroi edhe mua duke shtuar se ishte shumë pozitive që Berlini zyrtar i dha mbështetje nismës së PD-së për hetim ndërkombëtar të CEZ-DIA.
Ndërkohë deri tani nuk kemi asnjë prononcim zyrtar të PD-së për mënyrën “alla Meta” si u votua nisma, e cila rezultoi që të jetë bllof i PD-së, që nga njëra anë kërkon votim dhe nga ana tjetër disa deputetë të saj bojkotojnë në mënyra të ndryshme votimin.
Ndërsa nga burime brenda Parlamentit thuhet se mosvotimi lidhet “sepse disa deputetë janë të komplikuar”, kur të gjithë deputetët e pranojnë botërisht se në Kuvendin e Shqipërisë popullin e përfaqësojnë deputetë jo vetëm të komplikuar, por edhe të inkriminuar.
Pas këtij votimi, vetë pozita e PD-së është bërë e komplikuar.
PD nuk mund të luajë me dy standarte. Të bëjë moral dhe të veprojë pa moral, si ishte rasti i votimit, për të cilin Dashamir Shehi është shprehur se ka mbetur i zhgënjyer nga loja e Berishës dhe Partisë Demokratike për hetimin e aferës CEZ. “Unë jam një prej deputetëve të Kuvendit që kemi firmosur të bëhet një hetim për këtë çështje“, i tha Shehi një gazete të Tiranës. „Mirëpo ajo vota atje nuk më pëlqeu, nuk ka nevojë t’ia shpjegojmë më njeriu këtë çështje, pasi ishte teatër i pastër dhe besoj se e kanë kuptuar të gjithë këtë.“
Po natyrisht që e kanë kuptuar të gjithë dhe PD nuk mund të vazhdojë më tutje të bëjë teatër!
Komentet