Partia Demokratike ka denoncuar sot, abuzimet që po bëhen në Radio-Televizionin Shqiptar dhe ka akuzuar Drejtorin e Përgjithshëm Alfred Peza. “ëhet fjalë për 125 veta të shkarkuar nga Alfred Peza në krye të RTSH-së. I fundit është rasti i regjisorit, Ergi Hasku”, deklaroi deputetja e PD-së, Ina Zhupa para mediave.
“Zgjedhja antiligjore në krye të RTSH-së, është denoncuar herë pas here nga ne, ka çuar në veprimet e tij antiligjore, abuzive në krye të RTSH-së, – theksoi Zhupa. – Sigurisht njeriu që vjen në krye të institucionit pa njohur ligj, do të veprojë duke mos e njohur ligjin edhe gjatë drejtimit të këtij institucioni.
Ne do të bëjmë një seri denoncimesh për abuzimet për abuzimet e RTSH-së me në krye drejtorin e ri të paligjshëm, Alfred Peza.
Sot do të përqendrohem në rastet e shkarkimeve masive në thyerje të rregullave të kodit të punës të Republikës së Shqipërisë, që ka kryer Drejtori i Përgjithshëm, Alfred Peza, që me marrjen e pozicionit dhe deri para dy ditësh, ku rasti flagrant ishte i regjisorit i cili kishte bërë dëmin e madh, që kishte lavdëruar emisionin e tij që zhvillohet në RTSH, në Instagramin e tij personal. Për këtë u dënua nga Drejtori i Përgjithshëm, Alfred Peza duke e shkarkuar nga puna.
Ky rast dhe qindra raste të tjera të cilat unë do ti lexoj për transparencë për publikun, tregojnë se si Alfred Peza e ka kthyer RTSH në një çiflig personal, pa ligj, e pa moral, ku bën veprime nga më antiligjore dhe antimorale për nga mënyra se si duhet administruar një institucion që mbahet nga fondet publike dhe taksat e shqiptarëve.
Një gazetare është shkarkuar, Magdallena Alla pse ka shkruar në Facebook kundër dhunës ndaj kafshëve.
Një gazetar është shkarkuar pse nuk ka çuar karriget në mbledhjen e drejtorit.
Një tjetër është shkarkuar pse i ka çuar SMS, Alfred Pezës, ndërkohë që madhëria e tij kërkonte një komunikim më formal dhe më zyrtar.
Sot unë do të lexoj emrat e të shkarkuarve dhe kam edhe motivacionet e secilit nga ta, dhe janë totalisht antiligjore.
Bëhet fjalë për 125 veta të shkarkuar nga Alfred Peza në krye të RTSH-së. I fundit rasti i regjisorit, Ergi Hasku.
Kjo është një listë e limituar e të gjithë atyre që janë pushuar në mënyrë të padrejtë nga drejtori i RTSH-së, Alfred Peza.
Sigurisht ai anëtare e Komisionit të Edukimit, komisioni përgjegjës për kontrollin e RTSH-së, do të ndjek të gjitha hapat ligjor, për ta ndalur dhe çuar përpara përgjegjësisë ligjore, Alfred Pezën. Ashtu siç i bëj thirrje, organeve të drejtësisë, Kontrollit të Lartë të Shtetit për monitorimin e këtij institucioni që është kthyer në një institucion të paligjshëm, në një institucion ku vullneti i një individi vlen më shumë se sa rregullat e shtetit, kodi i punës dhe se sa morali dhe përgjegjshmëria që duhet të kryen funksionet publike në këtë rast, në RTSH-së e mbajtur me taksat e shqiptarëve.”