Partia Demokratike i ka kthyer përgjigje Policisë së Tiranës, duke i hedhur poshtë pretendimet se gjatë protestës së kaluar u ushtrua dhunë ndaj ministrave apo deputetëve të qeverisë.
Në një letër të siguruar nga “Panorama”, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi i thekson se argumentet e policisë tregojnë padije dhe përdorim politik.
Në shkresën e PD theksohet se: “Asnjë anëtar i qeverisë apo deputeti i Kuvendit të Shqipërisë nuk është dhunuar apo goditur.
Mashtrimi juaj institucional, se ka patur dhunë fizike dhe goditje të anëtarëve të qeverisë apo deputetëve, provon edhe njëherë njëanshmërinë tuaj politike dhe, mbani të gjitha shkeljen flagrante të ligjit. Është e vërtet që ka pasur një provokim të disa përfaqësuesve politik të qeverisë, të cilët tentuan të hyjnë me arrogancë mes qytetareve protestues dhe janë larguar prej tyre nga zona që ishte planifikuar për t’u zhvilluar tubimi.
Çdo provokuese, qoftë ky me imunitet nuk mund të pranohet të qëndrojë apo kalojë në zonën ku është planifikuar zhvillimi i tubimit, për të cilin ju jeni njoftuar zyrtarisht”, thekson letra e PD.
Argumentet e PD
Padija juaj ndaj ligjit dhe, mbi të gjitha, përdorimi politik që po i bëni strukturave të Policisë së Shtetit, është motiv shtesë për Opozitën e Bashkuar për zhvillimin e tubimeve deri në çlirimin e Parlamentit, qeverisjes dhe vetë Policisë së Shtetit nga krimi i organizuar dhe militantët partiakë, që kanë mbushur strukturat e zbatimit të ligjit. Shembull tipik për këtë jeni ju, personalisht, që ligjin e lexoni me gjuhën e propagandës së Edi Ramës dhe të krimit të organizuar që e ka marrë peng!
Me parrulla të gatshme, që ju vijnë nga zyra e Edi Ramës, si dhe me shantazhe ndaj përfaqësuesve politikë të opozitës dhe qytetarëve, të cilët i rrëmbeni natën në mënyrë të paligjshme, as nuk trembni dhe as nuk ndaloni dot qytetarët në ushtrimin e të drejtave të tyre kushtetuese, në mbrojtje të shtetit ligjor dhe demokracisë në vend.
Së pari, më lejoni t’ju bëj me dije se nuk ju kemi kërkuar leje dhe nuk ju kërkojmë leje për ushtrimin e një të drejte që na e njeh Kushtetuta dhe ligji. Neni 47 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ka saksionuar se: “Liria e tubimeve paqësore dhe pa armë, si dhe e pjesëmarrjes në to është e garantuar”. Këtë të drejtë kushtetuese, të fituar që nga viti 1991, nuk e negociojmë me askënd! Pavarësisht dëshirës tuaj dhe të eprorëve të tu politikë për të rikthyer në vend sistemin që ndalonte të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, për fatin tuaj të keq, kjo kohë ka marrë fund përpara 29 viteve! Ju mund të keni vullnet politik dhe institucional për ta rikthyer në vend atë sistem famëkeq, por Partia Demokratike dhe qytetarët shqiptarë as nuk e pranojnë dhe as nuk kanë për ta lejuar.
Së dyti, në protestën e datës 26 Shkurt 2019, nuk ka patur asnjë akt dhune nga ana e qytetarëve pjesëmarrës në protestë. Dhunë ka ushtruar vetëm Policia Politike e Edi Ramës, nën urdhrat e tu të paligjshëm.
- Pa u kryer asnjë veprim i paligjshëm prej qytetarëve, ju keni ndërhyrë në ushtrimin paqësor të tubimit, ndëpërmjet thirrjeve me altoparlant për “ndalim dhune”, edhe pse nuk ishte duke u ushtruar dhunë nga askush. Qëllimi i kësaj ndërhyrje ishte për të penguar qytetarët që ishin duke folur përpara protestuesve. Kjo ka irrituar qytetarët e pranishëm, të cilët kanë tentuar të heqin altoparlantin që lëshonte thirrjen e paligjshme.
- Asnjë anëtar i qeverisë apo deputet i Kuvendit të Shqipërisë nuk është dhunuar apo goditur. Mashtrimi juaj institucional, se ka patur dhunë fizike dhe goditje të anëtarëve të Qeverisë apo deputetëve, provon edhe njëherë njëanshmërinë tuaj politike dhe, mbi të gjitha, shkeljen flagrante të ligjit. Është e vërtetë, që ka patur një provokim nga disa përfaqësues politikë të qeverisë, të cilët kanë tentuar të hyjnë me arrogancë mes qytetarëve protestues dhe janë larguar prej tyre nga zona që ishte planifikuar për t’u zhvilluar tubimi. Çdo provokues, qoftë ky edhe me imunitet, nuk mund të pranohet të qëndrojë apo kalojë në zonën ku është planifikuar zhvillimi i tubimit, për të cilin ju jeni njoftuar zyrtarisht. Është detyrë e Policisë së Shtetit që të garantojë mbarëvajtjen e tubimit, duke ndaluar hyrjen në zonën e tubimit të individëve të padëshiruar nga qytetarët dhe të politikanëve të lidhur me krimin e organizuar. Ju nuk e keni përmbushur këtë përgjegjësi ligjore, sepse, nën urdhra politikë, jeni pjesë e një fushate të paligjshme provokimi ndaj protestueseve. Edhe përgjigja e rradhës për ndalimin e zhvillimit të tubimit është pjesë e këtij skenari kriminal. Kujtojmë këtu se, pa asnjë fakt, Policia e Shtetit ka shpërndarë disa komunikata zyrtare, ku thuhet se protestat do të jenë të dhunshme apo se po rekrutohen persona me precedent penal për t’u përdorur në protestë. Edhe pse këto rezultuan mashtrime të trasha dhe një mjet propagande për të frikësuar qytetarët e lirë të dalin në proteste, ende sot nuk keni kërkuar ndjesë për dezinformimin për qëllime politike të opinionit publik. Madje nuk keni kërkuar ende ndjesë për arrestimet dhe shoqërimet e paligjshme të dhjetra protestuesve, përfshirë edhe të të moshuarve apo personave me aftësi të kufizuar.
- Asnjë punonjës policie nuk është dhunuar apo goditur gjatë përmbushjes së përgjegjësive dhe detyrave ligjore. Ky është një tjetër mashtrim institucional nga ana juaj, në formë dhe përmbajtje të njëjtë me atë që lëshon zyra e propagandës së Edi Ramës. Ka qenë Policia e Shtetit që, në shkelje flagrante me ligjin, ka dhunuar qytetarët, duke përdorur mjete të helmimit masiv, jo vetëm ndaj qytetarëve që protestonin në mënyrë paqësore, por edhe ndaj fëmijëve, grave dhe qytetarëve të tjerë të Tiranës që nuk ishin fare pjesëmarrës në protestë. Përdorimi i lëndëve helmuese ka sjellë irritimin e pashmagshëm të protestuesve paqësorë, të cilët janë përgjigjur në mbrojtje të të drejtave të tyre. Ju kujtoj se në mënyrë të paligjshme, keni përdorur lëndë helmuese, në zona ku qytetarët ishin tërësisht paqësorë dhe mbi të gjitha edhe pasi qytetarët ishin larguar nga zona përpara hyrjes së Parlamentit. Keni sulmuar pa asnjë shkak me lëndë helmuese të gjithë drejtuesit e opozitës në vend, në mënyrë të pandërprerë dhe të qëllimshme. Veprimeve të paligjshme të Policisë, qytetarët i janë përgjigjur në mënyrë proporcionale, duke mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre.
- Nuk ka patur asnjë thirrje nga asnjë organizator i tubimit për dhunë apo sulm ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit apo institucioneve të rëndësisë së veçantë dhe, aq me pak, të ketë patur tentativë për të kaluar zonën e kufizuar për të hyrë në godinën e Parlamentit. Ky është një tjetër mashtrim institucional që ju, me papërgjegjshmëri totale, bëni. Ju përsërisim se ka patur një tentativë të qytetarëve për të hequr altoparlantin, që lëshonte thirrje të paligjshme dhe nxiste qytetarët për dhunë. Përgjegjës për këtë jeni ju personalisht që, me mjete të paligjshme, nxisni qytetarët për të ushtruar dhunë. Nuk ka patur asnjë goditje me shkopinj druri, lëndë piroteknike apo molotov dhe se këto janë sajesa të ulëta dhe të paligjshme të Policisë së Shtetit. Ka patur përdorim gazi helmues nga ana juaj, jashtë çdo rregulli dhe kundër të gjithë qytetarëve pjesëmarrës në protestë, përfshirë punonjësit e medias në krye të detyrës.
- Pretendimi juaj se nga ana e organizatorit në një tubim tjetër nuk janë respektuar kërkesat e nenit 11 të ligjit nr. 8773/2001 “Për tubimet”, është gjithashtu i pavërtetë. Në cilësinë e organizatorit të tubimit, Partia Demokratike e Shqipërisë ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj sipas ligjit. Nuk ka patur asnjë komunikim zyrtar nga Policia e Shtetit gjatë zhvillimit të tubimit dhe asnjë kërkesë për mbështetje drejtuar personave përgjegjës për tubimin. Në kushtet, kur kjo kërkesë për mbështetje ka munguar dhe në situatën ku vetë drejtuesit e tubimit janë sulmuar pa asnjë shkak me gaz helmues nga ana e Policisë së Shtetit, është përgjegjësi e kësaj të fundit garantimi i mëtejshëm i mbarëvajtjes së tubimit. Në përputhje me detyrimet që ju vendos ligji, nuk ka patur asnjë kërkesë nga Policia e Shtetit për largimin nga tubimi të ndonjë grupi personash, me qëllim që të shmanget rreziku për zhvillimin normal të tubimit. Në mungesë të një kërkesë të tillë, drejtuesi i tubimit nuk mund të largojë pjesëmarrësit në tubim që vlerësohen nga Policia e Shtetit që po prishin rregullin në të, pa qenë më parë të informuar.
- Ju, në mënyrë të paligjshme dhe në shkelje të detyrimeve që burojnë nga neni 23 i ligjit nr. 8773/2001, keni përdorur forcë ndaj protestuesve, duke urdhëruar helmimin masiv të tyre, pa asnjë paralajmërim. Në datën 26 Shkurt 2019, gjatë kohës së zhvillimit të tubimit, nuk kemi marrë asnjë kërkesë për të mbështetur Policinë në ruajtjen e rendit për ndërprerjen ose mbylljen e tubimit, për ndërprerjen e oratorëve në fjalën e tyre apo për deklarimin e mbylljes së fjalimeve ose të tubimit. Sipas ligjit, pa u përmbushur ky detyrim, ju e keni të ndaluar përdorimin e forcës dhe, aq më pak, përdorimin e mjeteve të helmimit masiv të qytetarëve. Kjo tregon se është Policia e Shtetit në shkelje flagrante të ligjit dhe jo organizatori i tubimit. Për shkeljen e përsëritur të ligjit, ju rikujtojmë se mbani përgjegjësi administrative dhe penale sipas ligjit nr. 8773/2001 dhe Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Në përfundim, ju bëjmë me dije se arsyet e dhëna në shkresën tuaj, për të ndaluar zhvillimin e tubimit, janë të paligjshme dhe sajesa të ulëta të Policisë së Shtetit, e cila vijon të veprojë sipas urdhrave politikë dhe jo zbatimit korrekt të ligjit. Frikën e Edi Ramës për t’u përballur me qytetarët nuk do ta shmangni dot me veprime të paligjshme apo mohim të të drejtave kushtetuese të qytetarëve.
Argumentimi i ndalimit të zhvillimit të tubimit, me veprimet e paligjshme të kryera nga Policia e Shtetit në tubimet e shkuara (siç provuam më lart), dalin jashtë rasteve të parashikuara nga neni 8 i ligjit Nr. 8773/2001 dhe si të tilla përbëjnë kufizim të paligjshëm dhe të papranueshëm të lirisë së tubimit. Neni 8 i ligjit Nr. 8773/2001 parashikon ndalimin e zhvillimit të një tubimi, kur ka arsye të motivuara se zhvillimi i tij në një shesh ose vendkalim publik përbën një rrezik real për sigurinë kombëtare, sigurinë publike, parandalimin e një krimi ose për mbrojtjen e shëndetit, moralin apo mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore. Në shkresën tuaj, ju nuk i referoheni asnjë prej rrethanave të parashikuara nga ligji dhe, aq më tepër, nuk keni dhënë asnjë arsye të motivuar për ekzistencën e një “rreziku real” për tubimin e njoftuar të datës 5 Mars 2019.
Në përputhje me nenin 47 të Kushtetutës dhe nenin 5 të ligjit Nr. 8773, datë 23.04.2001 “Për tubimet”, ju njoftojmë se tubimi do të zhvillohet sipas njoftimit të bërë me shkresën tonë nr. 31 Prot., datë 01.03.2019. Çdo pengim i lirisë së ushtrimit të tubimit sipas këtij njoftimi, në datën 5 Mars 2019, dhe pasojave që mund të shkaktojë ky fakt gjatë ditës së tubimit është nën përgjegjësinë tuaj personale dhe institucionale. Ju bëjmë, gjithashtu, me dije se jeni në shkelje flagrante të ligjit dhe se tashmë duhet të kishit përmbushur përgjegjësinë tuaj për të na njoftuar urdhrin zyrtar për caktimin e oficerit të policisë që do të jetë përgjegjës për të ndihmuar zhvillimin e tubimit.
Për të gjitha sa më lart, njoftimi ynë, sipas detyrimit që parashikon neni 5 i ligjit nr. 8773/2001, konsiderohet nga ky moment i përmbushur dhe tubimi do të realizohet më datë 5 Mars 2019, në sheshin dhe vendkalimin publik: “Rruga “George W. Bush, Shëtitorja “Murat Toptani” (Pedonalja), lulishtja përpara sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, Sheshi Fan S. Noli dhe Bulevardi Zhan D’Ark”. Caktimi i vendit të tubimit, është e drejtë kushtetuese e organizatorit dhe drejtuesit të tubimit. Kjo është arsyeja përse ligji parashikon njoftimin dhe jo kërkesën për leje në rastin e zhvillimit të një tubimi./PANORAMA
Komentet