‘’Sajmir Tahiri përdor narko-taksinë me Habilajt, por mbrëmë e pranoi vetë se e ka përdorur sërish, edhe pse e paska shitur, duke u vetëdenoncuar si i implikuar në trafikun kriminal’’, kjo ka qenë deklarata e Partisë Demokratike sot, duke publikuar edhe dokumentet e hyrje-daljeve në TIMS.
“Saimir Tahiri ka pranuar dje se makina e trafikut të drogës, taksia me imunitet, AA003GB, është pronë e tij dhe përdoret herë nga ai, herë nga kushërinjtë e tij Habilaj.
Pra ai e ndan makinën, si ministër i Brendshëm që është, me një grup kriminal, të njohur mirë nga policia, të mbajtur nga policia nën vëzhgim, si trafikantët më të rrezikshëm të drogës në Jug.
Duke nxjerrë alibi të reja, sa herë del në televizion ka një variant të ndryshëm për implikimin e tij, Tahiri mbrëmë u mundua të mbrohej duke thënë se Habilajt i paska kushërinj të largët. Po, aq të largët, sa u lë makinën personale që ata të mos ndalohen nga policia e të kalojnë edhe në pikat e kalimit kufitar, dhe kur ata të mos kenë punë, makinën e drogës e merr sërish Saimiri.
Makina përdoret për trafik dhe këtë e kanë konstatuar në punën e tyre vëzhguese oficerët e anti-drogës. Dhe për tiu dhënë edhe më shumë garanci e imunitet, vetë Saimir Tahiri, ministër i Brendshëm shfaqet në timonin e kësaj makine, për t’iu treguar edhe një herë policisë e strukturave të zbatimit të ligjit se në fakt është ai pronar, drejtues i linjës AA003GB. U tregon policëve e strukturave të tjera që të rrinë larg kësaj makine, larg këtij grupimi kriminal, larg bandës së tij të drogës.
Skandali i Tahirit po zmadhohet çdo ditë me alibitë që ai prodhon, dhe çdo variant që nxjerr është një krim i ri. Deri mbrëmë, ai mbrohej duke thënë se ka shitur makinën në të zezë, ka fshehur pasurinë. Pra ka bërë një krim më të lehtë se sa përfshirja direkte në trafikun e drogës. Por mbrëmë e pranoi vetë se e ka përdorur sërish narko-taksinë, AA003GB, edhe pse e paska shitur, duke u vetëdenoncuar si i implikuar në trafikun kriminal. Nuk ka më asnjë shteg shpëtimi për Saimir Tahirin. Duhet të largohet nga zyra e nga detyra që mban, që prokuroria të bëjë hetim të plotë e të pandikuar”, tha kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkeleid Alibeaj.
Kurse ministri i Brendshëm e komentoi kështu dje në emisionin ‘’Top Story’’ çështjen e makinës: “Çështja e makinës sime, shkurt dhe pastër është kjo: makinën e kam shitur në 6 nëntor 2013, dy muaj pasi u bëra ministër. U akam shitur kushërinjve të mi mjaft të largët dhe, në dijeninë time si ministër i Brendshëm, zotërinjtë që akuzohen nga opozita si kryetrafikantët e drogës, nuk kanë qenë kurrë të proceduar, nën hetim, të arrestuar apo të gjykuar për trafik droge. Më bllokuan llogaritë bankare, hipotekën e shtëpisë dhe mundësinë e ndërrimit të targave të makinës edhe pse u bëra ministër më duhej të paguaja gjobat pas vendimit të gjykatës dhe për këtë aplikova për të marrë një kredi, që të shlyeja koston time të të bërit opozitë. Deri në miratimi e kredisë unë e shita makinën dhe është barrë ligjore e blerësit që të ndërrojë pronësinë. Ata nuk kanë mundur, sepse makinës nuk i ndërrohet pronësia për këtë shkak, ndaj dhe makina figuron ende në emrin tim. Gjatë kësaj kohe ajo është përdorur edhe dy herë të tjera prej meje. Edhe këtu dua të theksoj dëshminë e të qeverisurit tonë dhe qeverisjes së atyre. Nëse do të veproja si ministrant e qeverisë së mëparshme do të merrja makinat e qeverisë dhe do të lëvizja nga të doja, por zgjodha të huazoja sërish këtë makinë për të shkuar me pushime me familjen time. E mora ndaj kushërinjve të mi të largët dhe mendoni se kam bërë trafik droge me familjen time?’’



Komentet