Kuvendi i madh i copës së vogël të PD-së së Bashës këtë të shtunë ka vetëm një objektiv. Jo të sulmojë qeverisjen e Edi Ramës, të cilës, metastazat e korrupsionit po i dalin tani nga të gjitha vrimat e trupit dhe do të mbërthehen shpejt prej fyti dhe shefit të saj si në një film me horror, por objektivi i primar i Bashës është të sulmojë llokmën tjetër të PD-së, atë më të madhen që udhëhiqet nga Sali Berisha. Kurrë një lider politik nuk e do e kishte çuar kanibalizmin brenda llojit në këtë stad që po e çon Lulzim Basha. Në Kuvendin e tij të sotëm me regji të Potemkinit, ku një sallë e mbushur do të përpiqet të japë përshtypjen e rreme të një partie të mbushur, Basha do ta pagëzojë me eufemizëm luftën brenda llojit si shkëputje nga e kaluara.
Një marsian që zbret në Shqipëri do pyeste: plot një dekadë nga largimi i Sali Berishës nga çdo funksion qeveritar dhe kur gjatë kësaj dekade një qeverisje vampir po i thith gjakun shqiptarëve nga të gjitha vrimat, pse lakohet ende emri i Berishës? Rama dhe xhahilet e tij ministra burgaxhi i marrin shqiptarët si keca për t’i rrjepur, po ky tjetri, Lulzim Basha, pse i merr për budallenj?
Korrupsioni shtetëror është fashizëm, Berisha nuk është veçse opozitë…
Korrupsioni shtetëror është fashizëm sepse pengon “fotosintezën” e rotacionit që përben “lëndën e parë” të demokracisë. Historia ka treguar se përballë fashizmit të gjitha forcat e gjalla të njerëzimit duhen mobilizuar për ta shpartalluar atë murtajë. Këtë bënë anglosaksonët dje kur u shtrinë dorën edhe komunistëve edhe Stalinit që të gjithë bashkarisht të luftonin të keqen kryesore që ishte Hitleri. Këtë po bën bota perëndimore edhe sot që është e gatshme të bashkëpunojë edhe me Kinën për të frenuar në çmendurinë e saj “bishën naziste” putiniste.
Manifestimi i “fashizmit” në Shqipëri është dominimi i vendit nga një aleancë korruptive midis përfaqësues të pushtetit me disa pseudo biznesmen që hyjnë në një cikël shërbimesh reciproke njëri-tjetrit në kurriz të votës së lire. Nga njëra anë, një grusht njerëzish që mbajnë çelësat e pushtetit politik përpiqen t’i mbajnë ato në duart e tyre pafundësisht nëpërmjet blerjes së votave dhe bllokimit të rotacionit. Nga ana tjetër një grup oligarkësh që kërkon të mbipasurohet pa asnjë bazë ekonomike, juridike dhe morale. Marrëveshja: të parët, shtetasit u japin mundësi të dytëve, oligarkëve batakçinj, të pasurohen edhe nga hiçi siç qene shembujt e “spikatur” te inceneratoreve dhe sterilizatoreve, ku hiçi prodhoi miliona në euro vetëm me një firme te politikanit, ndërkohë qe oligarkët, me paratë e fituara me grushta nga ortaket ne politike u japin mundësi këtyre qe zgjedhjet t’i shndërrojnë çdo katër vjet në një formalizëm “demokratik” dhe te qëndrojnë përjetë ne krye te një turme amorfe që drejtohet si një kope delesh qe “s’ban zë” kur e qethin, tredhin a e rrjepin. Ne këtë dekor te Dantes, ata qe mund te mbronin delet, opozita, kacafytet me njëra tjetrën si dashët. Lulzim Basha do t’u thote deleve nga maja e Kuvendit pa pike kompleksi qe sot te shkëputemi nga e kaluara e Sali Berishës, kur mbrapa derës së Kuvendit të Bashës fërkon mjekrën një Rame në pritje te mundësive te reja për qethje te deleve qe krijon tymnaja qe ka përfshirë opozitën. Do dalë Lulzim Basha para kamerave te thërrasë “ujku, ujku, ujku Sali Berisha” në mënyrë qe çakalli te zgjedhe rehat ministra te rinj edhe me te apasionuar pas mollëve, dardhave apo mandarinave…
Përgjegjësia e Uashingtonit apo e Lulzim Bashës që nuk këmbënguli për « non grata » të tjerë.
Në këtë situatë mbetëse për çdo qytetar, deri në asfiksi jo vetëm ekonomike por edhe fizike, populli i neveritur nga kleptokracia shqiptare ka farkëtuar figurën mitike të një heroi, të një supermeni, të një super xhandari, që do të vinë t’i shpëtonin nga hienat qeveritare shqiptare. Ky super-hero, si në filmat hollywoodianë, s’mund të ishte për shqiptarët e dëshpëruar e të pa shpresë veçse Amerika vetë. Uashingtoni zyrtar, qoftë ai i Trump-it apo ai i Biden-it, apo kujtdo tjetër nesër, është shndërruar në imagjinatën kolektive të shqiptarëve si “dallga cunamike” që do të përlante e zhdukte njëherë e përgjithmonë bandat politike në fuqi në Shqipëri, të cilat çelësat e pushtetit i kishin përdorur për të hapur dyert e parajsës për vete dhe ato të ferrit për shqiptarët. Por kur pritej që rrufeja vdekjeprurëse ndaj korrupsionit të binte tek godina e Këshillit të Ministrave hajduta atë muaj maj 2021, ajo ra çuditërisht diku tjetër në Tiranë tek adresa e një pensionisti që kishte qenë në pushtet para një dekade por që po e hapte si shumë llapen se gjoja Rama kishte vjedhur me oligarkët zgjedhjet e datës 25 prill 2021. Uashingtoni i tregonte kështu muskujt e non gratës një politikani që nuk kishte më në dorë çelësat e pushtetit por ato të kashtës, dhe nuk shpallte non grata të paktën një ministër, një zëvendës ministër në listën e gjatë që po servir drejtësia shqiptare sot.
Më e çuditshmja është se lajmi « non grata » qëlloi rrufeshëm Berishën dhe jo Ramën bash në momentin kur në SHBA vetë, një juri popullore kërkonte gjyq ndaj njëpunësi civil amerikan super të korruptuar i kapur në flagrancë se merrte shuma të majme nga njerëz të afërt me kryeministrin e Shqipërisë. Por për administratën amerikane në Uashington problemi në atë moment nuk qe fare McGonigal që bente allishverishe me puse nafte në Shqipëri me ndihmën e qeverisë Rama, problemi madhor ishte ai, Sali Berisha, i cili kreu mëkatin e denoncimit publik se zgjedhjet legjislative të prillit 2021 ishin vjedhur po si ato të 2017-ës, me para të pista droge apo koncesionesh fiktive që riktheheshin në makineri blerje industriale votash. Equivalent me non grata » u bë për « samaritanët » e Edi Ramës përtej Atlantikut edhe redaksia e Lapsit. Thjesht sepse edhe kjo kreu krimin e denoncimit të skandalit të patronazhistëve që shokoi mbarë Europën por që i vlejti gazetarëve shqiptarë bastisjen e zyrave të tyre nga përfaqësuesit e « drejtësisë së re » të instaluar nga heronjtë mitikë amerikanë të shqiptarëve. Në momentin e shpalljes non grata të Berishës, Uashingtoni kishte në dorë jo vetëm dosjen e akrobacive korruptive të McGonigal me qeveritarët në Shqipëri, por edhe rezultatet e përgjimeve të shërbimeve sekrete perëndimore që SPAK ka vendosur t’i bëjë publike sot. Në maj 2021, ndërsa shpallnin Berishën non grata mbi bazën e artikujve të shtypit, amerikanët kishin në dorë fale mijëra faqeve përgjime, gjithë skemën se si funksiononte korrupsioni shtetëror në bande të organizuar në Shqipëri. Një korrupsion që jo vetëm vidhte zgjedhje, por vriste dhe njerëz…
Ne nuk do t’i kërkojmë llogari Washingtonit pse preferoi të godasë Berishën në rolin e tij si kryeministër para dhjetë vitesh dhe vendosi të heshtë për korrupsionin e lartë shtetëror nën qeverisjen aktuale të Edi Ramës. S’mund t’i bësh moral një superfuqie, për më tepër një vend aleat, pse është selektive në fushën e diplomacisë dhe të gjeopolitikës sepse nuk do marrësh kurrë përgjigje. ShBA-të nuk do ta shpjegojnë, për shembull, kurrë sot paradoksin pse denoncojnë me forcë ekzekutimet në Iran dhe jo ato në Arabi Saudite, ku sërish këtë javë u dënua me vdekje një mësues në pension, pse kishte bërë disa mesazhe në “tweet” në favor të respektimit të të drejtave të njeriut. Ky është avantazhi i një superfuqie, nuk ndjen asnjë detyrim të shpjegojë veprimet e saja.
Por Lulzim Bashës llogari i duhet kërkuar dhe pikërisht në ditën e Kuvendit të tij personal. Pse lejoi ai që të përdorej si mjet kundër të tijve në Opozitë dhe jo kundër qeveritarëve të korruptuar dhe vjedhësve të zgjedhjeve? Lulzim Basha është përgjegjësi i capalimit të Opozitës shqiptare që nga momenti kur ekzekutoi urdhrin selektiv të administratës amerikane për të goditur vetëm Berishën. Basha në atë moment, edhe nëse shantazhohej te pika e tij më e dobët, për përdorimin e fondeve ruse për lobim politik në ShBA, duhej të kishte patur guximin t’i kërkonte Aleatit strategjik një shërbim minimal dhe moral: në këmbim të vrasjes politike që i kërkohej të kryente ndaj Sali Berishës, ShBA-të të vinin në bankën e non gratave edhe bashkëpunëtorë të lartë të Edi Ramës, nëse jo vetë Kryeministrin. Morali, ndërgjegjja, sensi politik dhe ai i shërbimit ndaj popullit duhet ta kishin shtyrë Bashën të besonte dhe të argumentonte te amerikanët se Berisha nuk mund të ishte, kurrsesi, atë muaj maj 2021, një faktor rreziku më i madh për shqiptarët, por edhe për vetë amerikanët se çfarë ishte Edi Rama. Basha mund të kërkonte si “kompensim” që një Beqaj apo një Ahmetaj të shpalleshin edhe ata “non grata”, sepse fjalët kishin filluar të përhapeshin mbi ata të dy në media, ashtu si dhe amerikanët e justifikonin non gratën e Berishës me artikuj të botuar në media.
Kur Basha mburrte me superlativa Berishën në momentin “non grata”
E vetmja gjë që “morali” apo “ndërgjegjja” e shtyu të vepronte Bashën menjëherë pasi amerikanët shpallën non grata Berishën ishte t’i njohë meritat e pamohueshme të Sali Berishës për kohën kur ky qeverisi shqiptarët! Ja pjesë nga deklarata e Lulzim Bashës më 19 maj 2021 me shprehje që sot tingëllojnë surrealiste kur ai i kërkon Kuvendit të tij “të shkëputemi nga e kaluara” berishiane:
“U njoha me keqardhje me vendimin e Sekretarit të Shtetit për ish Presidentin dhe ish kryeministrin Sali Berisha….Dr. Berisha është padyshim udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për zhvillimin e vendit dhe forcimin e demokracisë, dhe çoi miqësinë dhe aleancën strategjike të Shqipërisë me SHBA në nivelet më të larta… Vendimi i sotëm i Sekretarit të Shtetit nuk cenon arritjet madhore të Shqipërisë nën drejtimin e Sali Berishës, Gjatë kohës që z. Berisha ishte Kryeministër, Shqipëria përmbushi të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësimin në NATO, si dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, ku lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar ishin kryekushte.”
Kur lexon këtë dokument historik, pyetja legjitimisht shtrohet nëse Basha i merr shqiptarët si krijesa pa kujtesë. Konsideratat e djeshme të tipit «Doktor Berisha» apo «udhëheqësi me kontributin më të çmuar në Shqipëri» s’mund të shndërrohen sot në thirrje që vendi dhe PD-ja të shkëputen nga e kaluara, nga Sali Berisha. Çfarë, në sytë e Bashës, ka bërë Berisha në këto dy vitet e fundit që ta konsiderojë nga «një vlerë për kombin» në një person që duhet «ekzekutuar» politikisht dhe penalisht nga kombi? E gjitha kjo nuk është aspak serioze. Gabimin e parë, kur u la fushë të lire amerikanëve të selektonin një figurë të opozitës si non grata në vend të një prej të korruptuarve në qeveri, Basha i shton sot fajin e dytë duke vazhduar të qëllojë me breshëri dhe goditje të përqendruar brenda kampit të tij. Ai dobëson «rruazat e bardha» të një populli siç janë opozitarët të të gjitha krahëve, në vend që ta drejtojë lazer-in kah virusit vdekjeprurës të korrupsionit që ka marrë në dorë organet vitale të kombit.
“Testi” për Bashën
Mbetet një gur i thjeshtë provë për Bashën nëse do të tregojë se lufton të keqen e korrupsionit oligarko-shtetëror dhe jo të merret thjesht me karrierën e tij personale duke sulmuar Berishën që i zë vendin. Basha të qartësojë qëndrimin e tij nëse po apo jo biznesmenë të lidhur me marrëveshje korruptive me zyrtarë të lartë kanë trafikuar zgjedhjet e 14 majit 2023, ato të prillit të 2021 dhe ato të qershorit 2017? Dhe nëse e pranon se këto masakra elektorale kane ndodhur, a është i gatshëm Basha te bashkëpunojë me pjesën tjetër të opozitës për te kërkuar interpelancë me faktorin ndërkombëtar si ne Tirane ashtu dhe ne Bruksel a Strasburg? Kudo ne Perëndim kemi parë ministra te korruptuar por kurrë ne atë shkalle qe fati i zgjedhjeve të jetë vënë në pikëpyetje. Kjo e bën rastin e korrupsionit ne Shqipëri me te veçantin dhe me te rrezikshmin sepse ai minon dhe vete themelet e demokracisë. Verbëria e Lulzim Bashës ndaj Sali Berishës po e shpie atë deri ne mohim të të pamohueshmes që zgjedhjet në Shqipëri janë kthyer ne një farsë elektorale. Nëse pranon se zgjedhjet vidhen, Basha frigohet se legjitimon kështu tezat e Berishës, armikut të tij të betuar. «Armiku i armikut tim është miku im», një ekuacion që do të shpjerë vetvetiu tek një aleancë kundër natyrë midis PD-se Bashës dhe pushtetit të Edi Ramës, dy «armiq» që do t’i bëjë miq urrejtja ndaj Berishës.
I humburi final rrezikon megjithatë të jetë populli shqiptar, meqenëse negociatat mbi fatet e tij, siç janë midis të tjerash reforma zgjedhore dhe vota e diasporës, do te zhvillohen koke me koke midis PS-se se Ramës dhe PD-se Bashës, në mungese te grupit të Berishës që përfaqëson një elektorat të rëndësishëm. A janë demokratike këto përjashtime për një Parti Demokratike? Basha i ka hyrë një rruge te gabuar.