Partia Demokratike ka denoncuar tenderin e Qeverisë për të blerë 29 makina të reja luksoze me xhama të zinj. Përmes deputetit Edmond Spaho, në një deklaratë nga selia blu, PD thekson se kjo është një formë ‘shpërblimi i Ramës për ministrat e tij që e kanë kryer me sukses misionin e vjedhjes së shqiptarëve’.
“Ky është shpërblimi që ka Edi Rama për ministrat e tij që e kanë kryer shumë mirë deri tani misionin e vjedhjes, zvhatjes, e plackitjes së fondeve kudo, në çdo mundësi që u është dhënë.
Shpërmblim jo vetëm për ta, por dhe për koncesionarin, mikun e Edi Ramës ku do merren makinat.
Një jaguar i ri për Mimin dhe kushërirën ministre, për Ditmirin e Peleshin, për tërë bravo-cunat, e qeverisë, është mesazhi i Edi Ramës, për mijëra familje që nuk mbyllin dot muajin, për mijëra që kanë mbyllur dyqanet, për mijëra që po ikin nga sytë këmbët.
Ky është mesazhi i tij; nuk më intereson fare gjendja juaj, jeta juaj. Çfarë duhet tani është nga një jaguar për të dhe ministrat e tij që janë sot fytyrat më të urryera në vend, simboli i vjedhjes, korrupsionit e pasurimit me taksat e shqiptarëve, shkaktarët e mjerimit.
Një jaguar luksoz për Saimir Tahirin, i cili e ndan makinën e tij private me bandën e drogës, më pas thotë e kam shitur por pranon që ka shkelur ligjin duke mos e deklaruar, dhe në fund e merr sërish narko-taksinë kur shkon vetë me pushime.
Një jaguar luksoz për Ilir Beqën, kampionin e korrupsionit që jo vetëm ka marrë 28 tendera për kompaninë e tij private, rreth 11 milionë euro, por po shpërndan qindra milionë euro me koncesionet në shendetësi, tek miqtë e tij e të kryeministrit.
Një jaguar luksoz për Damianin që është në kallëzim penal për 479 milionë euro, dëmin më të madh të shkaktuar vendit në gjithë historinë e tij, me marrëveshjen kriminale të CEZ-it”,- tha Spaho.
Në kulmin e krizës dhe në kohën kur buxheti është shkurtuar për shkak se financat nuk arrijnë dot të mbledhin të ardhurat në arkën e shtetit, qeveria ka gjetur kohën për të pajisur me 29 automjete luksoze personalitetet e larta.
Me anë të këtij vendimi, Këshilli i Ministrave i ka ngarkuar si detyrë Gardës së Republikës që të zhvillojë një tender për marrjen e automjeteve, por pa përcaktuar fondin limit që do t’i zbritet buxhetit. Në fakt, përpara se të miratohet shuma e parave që duhet të vihet në dispozicion, Garda, së bashku me përfaqësues nga Ministria e Transporteve duhet fillimisht të përcaktojnë detajet teknike dhe llojin e automjeteve, më pas kostoja për blerjen e tyre i ngarkohet institucioneve, të cilat do t’i përdorin. Pjesa më e madhe e makinave që do të blihen janë të tipit “jaguar” me fuqi motorike të mëdha, ndërkohë që specifikimet janë nga më absurdet.
Komentet