Më 31 tetor 2022 gazeta e kryeqytetit “Dita” ka botuar një shkrim me sfond historik me titull “Aspekte shqiptare nga lufta italo-greke” me një porosi të veçantë të redaksisë: “shpërndaje”.
“Lufta italo-greke, 82 vite më parë, e cila filloi më 28 tetor 1940 dhe përfundoi në prill 1941 nuk ka gjetur një pasqyrim të plotë në historiografi”. Kështu fillon artikulli, që është më shumë një renditje këgësh popullore mbi atë periudhë se sa një studim i mirëfilltë historik. Më poshtë autori i artikullit, z. Dilaver Goxhaj, shkruan: “Ajo klasë politike kolaboracioniste e vunë vëndin tonë me akte zyrtare në gjëndje lufte me Greqinë, akte që, veç firmës së Mbretit Viktor Emanuel III, mbanin dhe firmën e kryeministrit kuisling Mustafa Kruja duke e quajtur një okazion për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”….
Si rrjedhojë e atij nënëshkrimi nga Mustafa Kruja, Shqipëria pas okupacionit italian po vihej edhe nën okupacionin grek, që do t’i kushtonte veçanërisht Jugut të Shqipërisë. Duke u rreshtuar në anën e agresorit, kolaboracionistët e bënë Shqipërinë, nga një vënd viktimë e agresorit në një palë ndërluftuese, pjesëmarrëse në sulmin kundër Greqisë në krah të Italisë”.
Ky është thelbi i shkrimit të z. Goxhaj. Mund të shmëzohet me zero nga ana historike kur thotë se Mustafa Kruja ishte kryeministri që firmosi aktet zyrtare për gjendjen e luftës me Greqinë, si pasojë e sulmit të saj nga ana e Italisë. Është një pohim krejtësisht i rremë, sepse n’atë kohë Mustafa Kruja kryesonte Institutin e Studimeve Shqiptare dhe ishte senator i Mbretërisë italiane, duke mos patur asnjë post qeveritar. Dihet mirë se Mustafa Kruja u emërua kryeministër më 13 dhjetor 1941 dhe dha dorëheqjen më 3 janar 1943.
Sigurisht autori i artikullit nuk e ka quajtur të rëndësishëm këtë fakt, mbasi në pasigurinë do të kishte hapur historinë e Shqipërisë, në të cilën studjues më të kujdesshëm për të vënë datat e sakta do ta kishin ndihmuar për të mos rënë në një gabim të rëndë përsa i përket së vërtetës historike. Apo ndoshta ndonjë paragjykim johenik ndaj personazhit e ka shtyrë të verë në qendër të mërisë së tij emrin duke menduar se askush nuk do ta verë re. Në fakt redaksia e gazetës “Dita”nuk e ka parë dhe e ka porositur lexuesin ta “shpërndajë” sa më shumë këtë xhevahir të publicistikës. Ky fallsitet historik e kthen në pluhur gjithë qëllimin e autorit për të vazhduar traditën e hershme të shtypit komunist në poshtërimin e personaliteteve atdhetare jo komuniste, që kanë vënë interesat e atdheut mbi gjithçka tjetër, mbi vuajtjet e tyre e të familjeve, mbi flijimet, mbi interesat e tyre vetiake.
Duke u kthyer në pohimet e mësipërme të shkrimit, e vërteta është se nuk ka asnjë dokument të nënshkruar nga ndonjë shqiptar, duke filluar nga Mbreti Zog deri tek Opozita kundër-zogiste jashtë Shqipërisë, pra tek i gjithë qarku i plotë i politikës shqiptare t’asaj kohe, që të ketë “mbështetur pushtimin e Shqipërisë nga Italia” siç mëton z. Goxhaj. Askush nuk e ka dashur pushtimin dhe askush nuk ka qënë në gjendje që ta ndalojë.
Nëse ka ndonjë miratim të detyruar nga qeveria e Vërlacit kundrejt sulmit të Italisë kundër Greqisë, ai nuk ka patur si qëllim skllavërimin e popullit grek, por shpresën për bashkimin e trojeve shqiptare në Shtetin shqiptar. Por nëse ky synim u sendërtua për Kosovën, Dibrën e Zonën e Liqejve apo disa pjesë të Malit të Zi, nuk u arrit të kryhej për trojet e Jugut, Çamërinë dhe Epirin e Veriut, toka që kishin qenë që nga lashtësia territore të Arbërisë e të Vilajetit të Janinës nën pushtimin otoman.
Ka një të vërtetë në pohimet e z. Goxhaj kur ai thotë se Mustafa Kruja përpiqej për “Shqipërinë e Madhe”. Është një pohim i bërë me qëllim poshtërimi të figurës së atdhetarit krutan, në një zë me paditë që i ka bërë atij propaganda sllavofile sërbe e shqiptare. Ai dhe miku i tij Qazim Koculi, ashtu si dhe shumë atdhetarë të tjerë patën si synim kryesor të veprimtarisë politike pikërisht Shqipërinë etnike dhe shmangien e ardhjes së partisë komuniste në pushtetin e Shqipërisë.
Nëse, mbas tetëdhjetë vitesh, ka ndonjë studjues shqiptar që i quan ende këta synime si të padobishme, madje edhe të dëmshme për interesat e vërteta të Shqipërisë, ky fakt na çon në përfundimin se, fatkeqësisht, dogmat e historiografisë komuniste çuditërisht mbeten ende më të fuqishme se sa ligjet më parake të logjikës njerëzore.
Komentet