Në kulmin e emergjencës prej rrezikut nga coronavirus, kur e gjithë Zvicra është e prekur prej Covid 19 dhe pritet që rastet të shtohen, vemendja fokusohet tek mbajtja e situatës nën kontroll për të mos lejuar shtimin drastik të personave të infektuar që sistemi shëndetësor të ruhet solid e të mos shkojë në kolaps.
Vetizolimi është zgjidhje, por lind pyetja a mund të mbyllet gjithë komuniteti në shtëpi?
Ku ta gjenim sikur të mbyllej! Do të ishte shpëtim karantina, vetëdijësimi se qëndrimi në shtëpi është masa më e mirë e sigurisë.
Shkollat dhe universitetet janë mbyllur në rrang shteti, shumë shërbime jo të domosdoshme po ashtu, rinia dhe gjithë shoqëria duhet të adoptojë një stil të ri jete, por megjithatë e ka të pamundur të jetojë pa ngrënë.
Në Itali kemi parë se në supermerkato blerjet bëhen me rregull, nën kontrollin e një personeli, duke u ruajtur distanca dhe duke u bërë dezinfektimet.
Të njējtat masa duhet të merren me urgjencë edhe në Zvicër. Tashmë disa kantone kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. E para e shpalli Tiçino dhe kështu me rradhë.
Në masat brenda kuadrit të gjendjes të jashtëzakonshme janë edhe maskat. Pra, kur njerëzit të lëvizin në rrugë për arsye madhore, sepse u duhet të blenë ushqimet e përditëshme, ata duhet të jenë të pajisur me maska. Maskat janë mbrojtje dhe vetëmbrojtje e komunitetit.
Por në farmacitë e Zvicrës nuk ka maska. Problemi i maskave është edhe në Itali. Si është e mundur! U lidha me telefon me disa farmaci brenda komunës dhe nëpër kantone të ndryshme. Më thanë të njëjtën përgjigje se nuk kanë maska. Sepse ishte një produkt i blerë nga Kina! Po si do të vazhdohet? Pa maska nuk mund të lëvizet. Lëvizja pa maska rrit rrezikun e infektimit masiv.
Tani shtetet brenda BE-së po mbyllin kufijtë midis tyre si masë mbrojtje. Sapo e kanë bërë me dije Gjermania dhe Austria, por kufijtë për emergjencat humanitare apo katastrofat pandemike duhet të mbeten hapur dhe secili shtet duhet të ndihmojë me të gjitha mundësitë që ka.
Pajisja e popullsisë me maska është emergjencë e emergjencave.
Një tjetër emergjencë janë supermerkatot që frekuentohen nga komuniteti si në ditë të zakonshme kur nuk kishte plasur pandemia e koronavirusit Covid 19. Bile frekuentimi është rritur dhe për herë të parë kemi parë supermerkato me rafte bosh, se njerëzit i kap paniku se mund të mbeten pa ushqime. Dyndja e madhe, pa rregull, pa distancë, si fundjavën që shkoi, rrit rrezikun e infektimeve masive. Sepse çdo blerës mund të jetë një potencial infektimi, pasi periudha e inkubacionit të virusit zgjat 2 deri në 14 ditë, pra një i infektuar me Covid 19 gjatë periudhës së inkubacionit mund të mos shfaqë asnjë simptomë. Supermerkatot Migros, Coop, Denner, Aldi etj, të stërmbushur me njerëz, iu ngjajnë bombave me sahat sepse në situata të tilla mjafton një i infektuar që të infektojë disa e pastaj infektimi shkon zinxhir me dhjetra, qindra e mijëra.
Në konferencën për shtyp të së premtes që shkoi, katër keshilltare federalë: Presidentja e Konfederatës Simonetta Sommaruga, Ministri i Ekonomisë Guy Parmelin, ai i Shëndetësisë Alain Berset dhe Ministrja e Drejtësisë Karin Keller-Sutter nënvizuan disa herë se qeveritë lokale, kantonale dhe komunale kanë të gjitha mundësitë ligjore të ndërmarrin masa vetë me qëllim mbrojtjen e komunitetit nga infektimi me Covid-19.
Deri fundjavën që shkoi komunat nuk kishin ndërmarrë asgjë. Njerëzit, që mbushnin supermerkatot në rradha ku ndodhte shpesh të shërbehej vetëm në një kasë, ngjanin si turma vulnerabël sepse popullsia e ka të edukuar si kulturë të jetesës respektimin e rregullave, por jo t’i vendosin vetë rregullat, Zvicra ka shtet të së drejtës në shërbim të qytetarëve.
Te djelën u lajmërua edhe ndërprerja para kohe e sesionit pranveror të Parlamentit të Konfederatës. Pra gjendja e jashtezakonshme në rrang konfederate është e vendosur, por popullsia ka nevojë 1. të ketë maska 2.të jetë e mbrojtur kur bën blerje nëpër supermerkato dhe 3. të marrë info nga mediumet e indormimit masiv të publikut për të shmangur stresin dhe zbutur traumën. Për ushqime kanë nevojë edhe të infektuarit. Pra komuniteti pret organizim.
Zvicra, një shtet që rreshtohet gjithmonë në vijë të parë për të ndihmuar vendet e goditura nga konfliktet apo katastrofat natyrore, do të dëshmojë gjithë potencialin për të përballuar këtë dramë të përmasave globale me sa më pak humbje në njerëz. Konfederata Helvetike me një sistem unik demokratik do të ishte mirë që të përfitonte prej tiparit dallues të identitetit të saj, që është neutraliteti, i cili e ka shpëtuar pa u përfshirë në dy luftërat botërore të shekullit të shkuar, por që, helas, nuk e shpëtoi pa u përfshirë në pandeminë e koronavirusit.
Komentet