“Patëm fillue me nji poezi dhe po mbarojmë me nji tragjedi, sa me i u dhimbtë gurit e drunit”, do të shkruante At Anton Harapi, një nga anëtarët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ngritur më 1940.
Kjo është një foto e 1942 , AKADEMIA E PARË SHQIPTARE, krijuar më emrin Instituti i Studimeve Shqiptare, Kryetar i parë i këtij Instituti ishte Ernest Koliqi dhe sekretar i përgjithshëm Zef Valentini.
Në foto nga e majta në të djathte: Vangjel Koça, Aleksandër Xhuvani, Anton Paluca, At Anton Harapi, Xhevat Korça, Mustafa Kruja, Ernest Koliqi, Dhimitër Berati, Zef Valentini, Karl Gurakuqi, Ekrem Vlora, Nikola la Ruso Atoma, Dom Lazër Shantoja.
Mes tyre dijetarë, profesorë, studiues, klerikë, poetë, shkrimtarë, akademikë, profesionistë e mbi të gjitha patriotë.
Shumica antikomunisë, disa u vranë e pushkatuan nga regjimi, disa zgjodhën emigrimin e punuan për të luftuar sistemin diktatorial.
Ja çfarë shkruanin disa nga këta Alademikë për Komunizmin e Shqipërinë.
Vangjel Koça, anëtar i Akademisë së Shkencave në prill 1937 do të shkruante;
Komunizmi nuk zhduket me kërbac!
“Komunizma është një ide. Një ide antikombëtare, shkatërronjëse. Po është një ide. Dhe siç dihet, ideja nuk zhduket në kërbaç, po me një kundër-ide më të mirë. Këtë na e mëson historia e njerëzimit dhe e evolucionit të regjimeve shoqërore.Hamleti që vërtitet me pallë ngjeshur kundër hijes dhe shpresave që ta shpëtojnë, përfytyron njeriun që i vërtitet me armë një ideje dhe shpreson që ta shpojë. Po gjer më sot nuk është gjendur ndonjë çelik kaq i mirë sa për të bërë një pallë kaq të mirë, që mund të vras një ide. Provë: Paganizmën nuk e vrau palla, por fuqia dhe madhështia morale e kristianizmës së kohërave të para. Pra, për të mundur idenë komuniste na duhet një kundër-ide më e mirë. Për ne kundër-ideja më e mirë është vetëm Ideja Kombëtare”.
At Anton Harapi, anëtar i Akademisë së Shkencave do te shkruante “Patëm fillue me nji poezi dhe po mbarojmë me nji tragjedi, sa me i u dhimbtë gurit e drunit. Nuk âsht dita sot të likuidojmë fajet e fajtorët; sot na duhet të bâjmë nji punë të vetme : të shpëtojmë kapitalin e parë, që âsht Shqipnija dhe populli. Fajtorët mjaft t’i paralizojmë që mos të jenë të damshëm e mandej nesër do t’i thrrasim me na dhanë arsye.
Edhe komunistavet due t’u a tham nji fjalë , por kjartë e shkurt. Unë jam i bindun se pak janë ata shqiptarë, të cilët vërtet e kuptojnë doktrinën komuniste, por, tashmâ të gjithë po e shohin dhe po e njohin organizatën dhe veprën komuniste në Shqipni. Kjo âsht vërtetë, e kjo don me thânë se gadi të gjithë komunistat shqiptarë veprojnë me krye në thes pa dijtë shka bâjnë dhe për shka veprojnë. Por, po thonë se e kanë për Shqipni, e vetëm për Shqipni. Unë due t’u besoj, por ky dallim midis doktrinës komuniste dhe veprës komuniste me formën kombtare – sikurse i kam ndigjue unë dhe vetë tue dishmue organizatorët komunista — mue më ban me dyshue për sinqeritetin e kësaj rryme shqiptare : Pse, vall, komunistat veshen e ngjeshen me zellin atdhetar, kurse atyne mbi të gjitha u intereson doktrina dhe jo atdheu ? Masat terroristike, mandej, vllavrasja, lidhnija e ngushtë deri në dependencë të plotë prej dorës së huej, dhe përdorimi i çdo mjeti për qëllim, nuk i lânë vend dyshimit. More, me kobure në gjoks nuk bâhet kush as vllá, as shoq, por ja skllav, ja mizuer apo hypokrit. Gjithëmonë tue rrenue, nuk ndërtohet.
Porse, mbas gjase, komunizmi sot ndër ne e ka lânë m’anash doktrinën dhe don të justifikohet me veprën politike atdhetare. Kjo për mue âsht nji kontrast. Nuk due të bjerri kohë tue polemizue me komunista, vetëm po thom se këtu në Shqipni palla në thes nuk hyn. Nuk kemi si t’andrrojmë me ngrehë republikën e Platonit, kurse jemi ende në gjendjen primitive; nuk kemi sot si të kapërcejmë n’internacionalizëm kurse ende nuk e kemi formue si duhet ndërgjegjen kombtare. E pse atyne u âsht mbushë mendja se luftën e fitojnë udhëheqësit e së tretës internacjonale, nuk âsht kjo nji arsye, që na qysh tash t’i a nxjerrim sytë shoqishoqit dhe të krijojmë hekatomba shqiptare.
Ernest Koliqi, anëtar i Akademisë së Shkencave “Karl i dashtun, të falem nderit për fjalët që më drejton me rasën e 28 Nandorit dhe për urimet që më ban. Ti ma parë se unë, mandej unë pak ma vonë, jemi përpjekë, me mendje të ndritun e pa mburrje qesharake, si disa, për nji zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar. Në vend të nji shpërblimi të merituem mbas djersës e mundit të derdhun, patme shpifje, të shame e përçmime. Në fund edhe mbetme pa Atdhe, për të cilin lodhem trutë e pësuem ngashrim shpirtit. Ani: puna që kryejmë e ka shpërblimin në vetvete dhe në kuptimin e disa dashamirëvet të pakët. S’pres kurrgja të mirë nga masa e shqiptarëvet të sotshëm, por shpresoj se trashëgimia letrare qi lam pas vehtes ka me u njoftë si tharm rilindje, breznive t’ardhshme”, ka shkruar Koliqi.
Dom Lazër Shantoja, anëtarë i Akademisë së Shkencave do të shkruante “Shqipnia i ka ngja “një anijes që udhëton me një të vdekun mbrendë. Në barkën e Shtetit tonë të randuem ekonomikisht nuk gjejmë sot tjetër përposë një trup të vdekunit. Ky i vdekun asht Populli! Qeveritarët tonë deri më sot u kujtuen me mbajtë Shqipninë e.., mbytne Popullin!
At Zef Valentin, anëtarë i Akademisë së Shkencave më 1935 do tw shkruante “Mos të kujtojmë se gjithshka na vjen në emën të qytetnimit t’okcidentit, asht e mirë. E mirë asht drejtsija, rregullimi, dashtnija e shoqit, parija e familjes, vjeftësimi i puntorit të ndershëm e i punës së pahile, organizimi i punës e i prodhimit për dobi të përbashktë, e gjithshka e naltson njierin, ja ban larg vuejtjet e ja ban të let jetesën për nji ideal ma të naltë. Dishirin e pakundërshtueshëm qi me gëzue mbi kët tokë mirëgjendje t’arsyeshme, ja dikoj Zoti njierit në zemër. Kobët e mbrapshtit e qytetnimit të sodit tashma po i njofim. Prej tyne duhet të ruhemi e ato t’i mbajmë larg vendit t’onë.
Në vend të kultit të mishit e të qefeve duhet të përtrijmë virtytet e të Parvet qi kjenë synonima e Shqiptarit: Ndera, besa, burrnija.
Në vend të kultit të pares, burim i sa e sa të zezavet, duhet të përpiqemi të largojmë at zemërgursi, qi na shtyen të pasunohemi me mjete të palejshme, e përkundra të rranjosim në zemër të setëcillit, dashtnin e zellin për punë e për fitim të ndershëm.