Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo e konsideron të tepërt qëndrimin e Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim me Evropën, në Shqipëri. Sipas tij, para vitit 2000, OSBE-ja ka luajtur një rol të rëndësishëm në Shqipëri, por më pas ky mision ka nisur të zbehet dukshëm, sepse Shqipëria nuk është më vend që prodhon konflikte. Madje Milo shprehet se ka një kontradiktë mes qëndrimit të këtij misioni dhe strukturave të tjera ndërkombëtare për sa kohë që këto struktura kanë dhënë vlerësimet përkatëse, të cilat kanë mundësuar anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, por edhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Ish-kreu i diplomacisë shqiptare nuk rezervohet ta quajë të dështuar rolin e OSBE-së sa i përket kontributit të saj për zgjedhjet në Shqipëri, ndërsa kujton projekte të mbështetura fort nga misioni siç ishte numërimi elektronik i votave, një projekt që megjithëse u testua nuk mundi të zbatohej. Milo pranon se vendi ynë ka ende disa probleme në mënyrë të veçantë sa u takon proceseve zgjedhore, por, sipas tij, kontributi i OSBEsë në këtë drejtim mund të zgjidhet më së miri me një komision ad-hoc dhe jo me një mision të përhershëm. Lidhur me raportin më të fundit të dalë nga zyrat e OSBE-së për lidhjet e biznesit me politikën apo influencat politike për të interesa të caktuara personale, për të cilin vetë misioni ka deklaruar se nuk është qëndrimi i tyre zyrtar, Milo nuk pranon të japë komente. Misioni i OSBE- së në Shqipëri përfundon mandatin e tij të radhës në fund të vitit.
Zoti Milo në politikën shqiptare prej kohësh ka nisur të diskutohet se sa i nevojshëm është misioni i përhershëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE-së, në vendin tonë. Ju sa të dobishëm e cilësoni veprimtarinë e këtij misioni në Shqipëri?
Çështja e OSBE-së ka të paktën 15 vite që diskutohet. Pastaj dobia ose jo e misionit të OSBE-së është edhe çështje interpretimi politik. Por një vend që është anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian, mendohet se parametrat e demokracisë, funksionimit të saj dhe të shtetit ligjor i ka të plotësuara dhe nuk do të kishin vlerë gjykimet e këtyre institucioneve të rëndësishme në rast se del një institucion tjetër dhe vë në dyshim këto vlera në të cilat janë mbështetur NATO-ja dhe Bashkimi Evropian për t’i dhënë Shqipërisë në rastin e parë anëtarësimin dhe në rastin e dytë statusin e vendit kandidat. Kështu që ka një kontradiktë të brendshme në vetë gjykimin e institucioneve ndërkombëtare. Në rastin konkret, për mendimin tim, OSBE-ja ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në fazën e parë, deri në vitin 2000, por pastaj roli i saj erdhi duke u zbehur sepse Shqipëria nuk është më vend burim konfliktesh dhe shqetësimesh të mëdha. Shqipëria prodhonte siguri pas këtyre viteve, nuk konsumonte siguri prandaj dhe për rolin e OSBE-së në Shqipëri, tashmë ka ardhur koha që të merret një vendim.
Pra sipas jush nuk duhet të zgjatet më afati i qëndrimit të këtij misioni në Shqipëri, mandati zyrtar i të cilit përfundon në dhjetor të këtij viti?
Unë mendoj se Shqipëria ka ende deficite demokratike sidomos në proceset zgjedhore kur OSBE-ja nuk ka arritur të plotësojë misionin e saj. Kam parasysh këtu standardet, kam parasysh këtu çfarë u tentua me vendosjen sistemit të numërimit elektronik të votave, projekte këto që u mbështetën nga OSBEja, por që, për fat të keq, nuk u zbatuan. Ka edhe projekte të tjera, por ato mund të zgjidhen edhe me komisione ah-hoc dhe jo me mision permanent të OSBEsë në Shqipëri.
Pak ditë më parë është publikuar në media një raport i OSBE-së ku përmenden emrat e shumë politikanëve, pasuria e tyre, por dhe lidhjet mes politikës apo biznesit. Si e konsideroni këtë raport të cilin OSBE e konsideroi si përmbledhje të informacioneve mediatike dhe jo qëndrim zyrtar të saj?
Abstenoj t’i përgjigjem kësaj pyetje.
Komentet