KUSHTUAR FARMACISTES SË NJOHUR REGJINA ZEFAJ NË 65 VJETORIN E LINDJES
Rrjedha e kohës sjell për çdo individ një përvojë shumë të këndshme, e shënuar nga një ndjenjë pafundësie dhe angazhimi të përgjithshëm, por dhe të veçantë. Proçesi kryesor i veprimtarisë së arsyeshme është një pranim i vetëdijshëm i asaj që bën dhe i mënyrës se si duhet ta bësh. Kjo do të na ndihmojë të aktivizojmë brenda vetes tonë aspektet që dëshirojmë në lidhje me të gjitha çështjet dhe, kur ta arrijmë këtë, thelbi i gjërave që duam, duhet të vijë nga eksperiencat tona shkencore dhe profesionale.
Njerëz të tillë, që punojnë me pasion dhe krijojnë portretin e tyre intelektual, janë të përkushtuar, por kur gjithë vëmendjen dhe përkushtimin tënd e vendos në shërbim të njeriut, rriten vlerat dhe cilësitë personale të gjithanshme njerëzore e profesionale. Dhe të shkruash për njerëz të tillë është përgjegjësi, por dhe një detyrim i madh intelektual dhe qytetar.
Aty rreth viteve ’30-të të shekullit të kaluar, babai i Regjinës ,Prekë Berisha, ardhë nga fisi i Berishajve të Grudës ,fis patriotësh dhe arsimdashës si shumë shqiptarë të Hotit,Grudës e Gucisë shkuan dhe u arsimuan në konviktin e “Maleve tona” Shkoder. I përkiste fisit të njohur të Berishajve, dera e të cilëve pati nxjerrë intelektualë të shquar, si: Profesor Kolë Berisha, Nol Berisha, Mark Berisha etj. Regjina ishte mbesë e këtyre intelektualëve të njohur,ku shquhej Kolë Berisha, si studiues i traditës kombëtare shqiptare, autor i disa botimeve mbi traditat tona popullore.
Ishte viti 1973, kur në një nga farmacitë e pakta të qytetit të Lezhës u shfaq një vajzë e re entuziaste, e sjellshme dhe energjike. Më thanë që quhet Regjina Berisha dhe vjen nga Gruda e Malit të Zi, së bashku me familjen e saj.
Regjina Zefajn – Berisha, farmacisten e njohur, njëherit të talentuar, e cila ka bërë emër në fushën e shërbimit farmacuetik në Lezhë dhe në fshatrat përrreth, e kanë njohur të gjithë, sepse ajo ka një jetë të tërë në shërbim të njerëzve, në shërbim të jetë së tyre.
Kujtimet e mia për Regjinën, këtë farmaciste model, janë të shumta. Për 40 vjet me radhë ajo ka punuar pa u lodhur, me intensitet dhe përkushtim të lartë në punë, duke dhënë modelin e një farmacisteje dhe njeriut të vërtetë. Dallohej gjithnjë Regjina për thjeshtësi, vlera njerëzore, botë të madhe shpirtërore, sidomos për njerëzit në nevojë, duke përsosur vazhdimisht shërbimin ndaj njerëzve dhe duke rritur personalitetin e saj intelektual dhe fisnikërinë njerëzore.
Kjo vajzë lezhjane dhe më vonë grua e njohur, që rridhte nga një familje me tradita të shquara patriotike, kreu gjimnazin “Hydajet Lezha” në Lezhë, pastaj vijoi studimet në Fakultetin e Mjeksisë në Tiranë, dega Farmaci. Ëndrra e saj ishte të bëhej një farmaciste e zonja, e mirë profesionalisht dhe e dashur me njerëzit, të cilëve do t’u shërbente.
Në vitet e para të punës u dallua për veprimtari të palodhur, punë plot përkushtim dhe komunikim perfekt me njerëzit, të cilët i donte dhe i respektonte. Për 20 vjet me radhë punoi në profesionin e nderuar të përgjegjëses dhe më pas të drejtueses së farmacisë të Spitalit të Lezhës.
Duke parë vizionin intelektual dhe emancipues të saj, përgatitjen profesionale, vlerat njerëzore, Regjinën e emërojnë në Drejtorinë Rajonale ISKSH-së për Qarkun e Lezhës, në cilësinë e Drejtores së Përgjithshme të këtij Institucioni.
Gjithnjë e dalluar për organizimin dhe drejtimin e punëve, e kualifikuar dhe e njohur si një nga drejtueset më në zë në Ministrinë e Shëndetësisë, puna e saj ishte gjithnjë produktive dhe angazhimi i saj ishte gjithnjë maksimal. Gjatë punës si drejtuese e këtij institucioni jetik për rajonin, ka ndjekur programet e përmirësimit të nivelit të punës së ISKSH-së dhe shpesh herë është dërguar për shkëmbim eksperience në disa vende të Europës, si: Finlandë, Turqi etj.
Në vitin 2007, Regjina pati dhënë dorëheqjen nga drejtuese e DRSKSH-së dhe pati filluar aktivitetin e saj privat në Sh.P.K “Regina”, në qytetin e Lezhës, ku punon edhe sot, duke iu përkushtuar profesionit të nderuar të farmacistes dhe në këtë periudhë dallohet për disiplinë, rregull dhe humanizëm në shërbimin ndaj njerëzve. Edhe në këtë periudhë vazhdon të ndjekë aktivitetet shkencore dhe kualifikuese të organizuara nga UFSH dhe MSH, brenda dhe jashtë vendit, duke e ngritur në shkallën më të lartë nivelin e njohjes dhe të shërbimit farmaceutik.
Në punën e saj, shpesh kujtoj thënien “Jeta i jepet njeriut vetëm një herë dhe ajo duhet jetuar me dinjitet“. Këtë devizë personale dhe profesionale, Regjina e ka pasur parasyshë, madje e zbatonte me seriozitet qëkur ishte farmaciste e thjeshtë, por edhe gjatë gjithë aktivtetit të saj, në çdo çast të jetës.
Kjo vajzë dhe grua lezhjane e emancipuar, e ndjente përherë se njeriu, si qenie njerëzore dhe shoqërore, nuk mund të mendojë vetëm për veten e tij, por lumturinë duhet ta gjejë edhe tek ajo se çfarë bën për të tjerët, për shoqërinë në pergjithësi dhe për fëmijët në veçanti.
Në punën vetmohuese dhe veprimtarinë e saj kërkuese e novatore dhe plot vitalitet, Regjina Zefaj fisnikëroi më tej veten, por njëkohësisht vlerësoi integritetin dhe inteligjencën e saj, vlerësoi dhe ndihmoi njerëzit në nevojë. Me këtë bindje, jeta e Regjinës ka marrë sot vlera të shumanëshme, ajo mbetet një njeri i respektuar vazhdimisht nga shoqëria.
Të gjithë dëshirojmë të jemi të suksesshëm, por nuk është e lehtë të ndjekësh gjithnjë shtigjet që të çojnë në këtë udhë. Ti do që “të arrish” dhe për të arritur, duhet të mendohesh mirë se ku do të arrish. Dhe për këtë duhet kurajo, veçanërisht kur nisesh për një qëllim afatgjatë. Por Regjina i kishte parashikuar të gjitha dhe ia arriti me sukses, me durim, me dashuri profesionale dhe humanizëm që të mbetej një grua model dhe e respektuar.
Ajo nuk ka kërkuar asnjëherë pushtet, por masa e njerëzve e ka përzgjedhur, sepse ajo meritonte të ishte perfaqësuesja e tyre. Këtu qëndron edhe respekti i jashtëzakonshëm që kishte shoqëria, njerëzit për të, por këtu e ka burimin edhe gëzimi e kënaqësia e saj më e madhe, sadisfaksioni moral që provonte shpesh. Nuk është e rëndësishme të jesh, por e rëndësishme është se çfarë je dhe çfarë bën në jetë për shoqërinë njerëzore.
Pyetjes, në se ndryshimi i saj ka ardhur thjeshtë nga dëshira apo mundësitë që i janë ofruar, Regjina do t`i përgjigjej sinqerisht se është një kombinim midis formimit të saj për të kontribuar, por edhe mundësive që i janë ofruar në punë dhe në jetë nga shteti dhe shoqëria që ka përfaqësuar.
Kur po shkruaja këto radhë, më vjen në mendje një fjalë e urtë popullore, që thotë se në botë kanë kaluar në heshtje dhe pa u ndjerë miliona njerëz…, po në fakt njeriu ka të veten dhe të padiskutueshmen aftësitë dhe intelektin e tij, dëshirat dhe kërkesat, vullnetin dhe këmbënguljen, të cilat, siç mund të kuptohen, mbeten personale dhe janë atribut i vetë individit. Pastaj, është shoqëria që bën vlerësimin, diferencën, që afirmon dhe e ngre individin në piedestalin e lartë njerëzor.
Është e bukur dhe në interes të shoqërisë që, kur këto dy anë pozitive të personalitetit të njeriut kombinohen, atëherë arrihet ajo që është më e mira dhe për këtë Regjina punoi dhe luftoi çdo ditë për të bërë më të mirën për njerëzit. Nuk ka kufi për intelektin njerëzor që i shërben me devotshmëri kombit të vet,sepse njeriu ka personalitetin e tij, që është formuar në punë e sipër, në fisnikërinë ndaj njerëzve, në veprimtaritë jetësore, në mes shoqeve e kolegëve, me të cilët, të gjithë bashkë bëjnë punë të ndershme e të përkushtuar, në shërbim të detyrave shtetërore ose shoqërore qofshin.
Mendimet, kujtimet dhe nderimet për Regjinën nuk kanë shterrim. Tërë jetën e saj 40 vjeçare ka punuar dhe punon me përkushtim, përpiqet të mësojë nga të tjerët, duke shfrytëzuar eksperiencën dhe dituritë dhe duke u dhënë diçka nga vetja, nga ajo përvoja e saj në jetë si drejtuese dhe farmaciste e zonja, duke treguar vazhdimisht shpirtin e saj të dhembshur dhe human, sidomos për shtresat në nevojë.
Ajo është vlerësuar edhe për komunikimin perfekt dhe të përhershëm me kolegët, si dhe për korrektësinë në marrëdhëniet e saja me institucionet shtetërore. Kjo është Regjina Zefaj, një grua model, promotor i cilësisë dhe dashurisë njerëzore, një grua me zemër të gjerë, që rrezaton kurdoherë mirësi, kulturë, dashuri njerëzore dhe përkushtim jo vetëm në profesionin e nderuar të farmacistes, por edhe në jetën familjare, si nënë e devotshme me fëmijët dhe bashkëshorte shembullore.
Fëmijëria dhe adoleshenca e saj nuk kanë qenë të lehta për të. Ndoshta, ky është shkaku i një miredukimi e shkollimi me sakrificë, të cilët ajo ka ditur t’i realizojë mjaft mirë. Shkollimi ka qenë pika më e ndjeshme e Regjinës, sepse shkolla hapi tek ajo rrugë dhe horizonte të reja, ngriti emancipimin e saj dhe e bëri që të njohë më mirë jetën, vështirësitë, sakrificat, punën dhe njerëzit.
Që në rininë e hershme, Regjina veçohej si një grua fjalëpakët, por punëshumë. Shërbeu pa zhurmë dhe me energji të pashtershme si punëtore e palodhur, gjithnjë e gatshme për t`u shërbyer njerëzve. Prandaj, shumë shpejt, kjo grua u shndërrua në një ndër figurat më të dashura publike për Lezhën dhe fshatrat përrreth, duke krijuar marrëdhënie korrekte, frutdhënëse dhe paqësore me të gjithë.
Pas shkollimit, u njoh me kolegun e saj, i cili u bë edhe bashkëshorti i saj i ardhshëm, i mirënjohuri Doktor Zefi, gjinekologu duarartë jo vetëm në Lezhë, por edhe në mbarë vendin, një profesionist që bën pjesë në plejadën e mjekëve, që tërë jetën e ka lidhur me shërbimin dhe mbrotjen e shëndetit të nënës e fëmijës.
E në këto vite të vështira, Regjina investoi shumë nga vetja, duke rritur, edukuar dhe shkolluar dy djem të mrekullueshëm. Me mësimin dhe edukimin e prindërve, ata u rritën dhe u shkolluan në universitetet më në zë të Londrës dhe të Bolonjës. Djali i madh, Rezari, tani është arkitekt, kurse Arbëri, ka kryer Fakultetin e Mjekësisë, duke ndjekur rrugën e prindërve. Këta dy pasardhës shikojnë tek prindërit e tyre modelin e prindit të devotshëm, një baba shembullor dhe një nënë që personifikon modelin njerëzor, figurën e një nëne të dhembshur, të dashur dhe edukatore e përsosur, me cilësi të spikatura individuale. Një nënë e shkëlqyer, një bashkëshorte model, që rrezaton veçse dashuri dhe mirësi, një nënë dhe qytetare me emancipim bashkëkohor.Çelësi i suksesit, shprehet Regjina në një shoqëri të mirë dhe të pastër është femra .Arma më e fortë e femrës në jetë konsideroi këmbënguljen dhe durimin.Si për ta vazhduar më tej bisedën ,kemi trashëguar shumë vese të traditës vjetër,që sot nuk i përkasin më shoqërisë së emancipuar.Po ndodh që femrat ndiehen të shtypura jo vetëm fizikisht,por edhe psikologjikisht. Kjo e dyta dheëmb më shumë për femrat e sotme shqiptare. Ka ardhur koha për më shumë liri mendimi dhe veprimi si në të gjitha vendet e emancipuara,e mbyll bisedën Regjina.
Për Regjinën e heshtur dhe punëtore, mendoj se do t’i shkonte shumë mirë shprehja se janë ca medalje që varen në shpirt, jo në xhaketë. Dhe doktoreshë Regjina tashmë i ka vënë me kohë “medaljet” në shpirtin e saj për kulturën që ka transmetuar, për korrektesën në marrëdhëniet me njerëzit, për aftësitë profesionale dhe për etiken njerëzore.
Komentet