Më 17 shtator 1825 u lind në Shkodër shkrimtari, poeti dhe publicisti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Vaso Pasha. Njihet, gjithashtu, si Pashko Vasa e Vasa Pashë Shkodrani. Vaso Pasha ishte njëri ndër rilindësit më të spikatur të Shqipërisë dhe njëri ndër iluministët e ndritur të kombit.
Ai, tërë jetën dhe veprën ia kushtoi çështjes së çlirimi të Shqipërisë, arsimimit, kulturës, diturisë. Ai ishte nëpunës i konsullatës britanike në Shkodër, oficer kalorësie në Bolonjë, revolucionar i Risorgimento-s, nëpunës i Perandorisë Osmane dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Të parët e tij, nga i ati, ishin shpërngulur prej Mirdite dhe ishin zhvendosur në qytet, në atë shtëpi ku sot është shtëpiamuze e Pashko Vasës. Pasi kreu mësimet e para në vendlindje, shërbeu si sekretar i konsullatës britanike nga 1842 deri më 1847, ku pati mundësinë të përmirësojë dijet e tij në gjuhët e huaja: italisht, frëngjisht, turqisht dhe greqisht. Më 1847 vajti në Itali, ku ziente lufta kryengritëse për liri dhe ai mori pjesë gjallërisht në radhët e forcave kryengritëse italiane. Në Bolonjë u caktua si oficer i Kalorësisë Qytetare. Në vitet 1878-1882, Pasha u shqua si një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë. Më 1879-n, u rreshtua mes veprimtarëve më aktivë të “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip”. Vaso Pasha është autor i shumë veprave politike e historike, përmes të cilave gjeti shtegun për të mbrojtur të drejtën e shqiptarëve për të jetuar të lirë dhe të pavarur.
Që nga viti 1883 e derisa vdiq, Pashko Vasa shërbeu si guvernator i përgjithshëm i Libanit, ku edhe vdiq. Rilindasi i shquar u nda nga jeta më 29 qershor 1892 në Bejrut. Eshtrat tij u sollën në Atdhe në kohën e regjimit komunist të Shqipërisë. Më 1847 vajti në Itali, ku ziente lufta kryengritëse për liri, ku mori pjesë gjallërisht në radhët e forcave kryengritëse italiane. Në Bolonjë u caktua si oficer i Rojës Qytetare. I frymëzuar nga atdhetarët e shquar italianë, si Mazzini, Garibaldi, Gioberti, dhe të vendeve tjera si Mickieviçi etj. Idetë që e ushqyen për këtë qëllim solidar ai i shpreh në dy letra, që i dërgon nga Bolonja në qershor dhe korrik 1848, Nikolo Tomazeut. Në shpalljen e Republikës jetëshkurtër Venedikase nga Daniele Manin, mori pjesë përkrah kryengritësve kur u rrethuan nga ushtria austriake në Mestre. Ndërkohë që austriakët hynë me 28 gusht 1849, Vasa u largua me disa shokë tjerë për në Ankona ku u kap dhe si shtetas osman, u ekstradua në Stamboll.
ZYRTAR OSMAN
Më 1850 u punësua pa pagesë në Zyrën e Përkthimit të Sarajit Perandorak. Një vit më pas u emërua me rrogë nëpunës përkthimi në zyrën e shëndetësisë. Në vitin 1856 kaloi në Shkodër si përkthyes në shërbim të administratës lokale (sipas AQSH qe sekretar i Bib Dodë Pashës gjatë viteve 1951-1957), ku me ofiqin e zyrtarit osman shkoi në Cetinë t’i uronte princ Nikollës shërim të shpejtë. Gjatë luftës me Malin e Zi më 1860- 61 kreu detyrën e sekretarit dhe përkthyesit të Ahmet Xhevdet Pashës, kur ky u dërgua me misioni të veçantë në viset shqiptare. Më pas punoi për verifikimin e gjendjes së marrëveshjes kufitare dhe në komisionin përkatës. I tërhequr pas inteligjencës së terxhumanit të tij, Xhevdet Pasha e mori me vete në postet drejtuese ku u emërua. Ndoqi Ahmet Xhevdet Pashën në Bosnjë, ku Vasa u bë përkthyes pranë divizionit ushtarak për njëzet muaj. Në tetor të 1863 pasi qe graduar nëpunës i gradës së tretë u kthye në Stamboll ku punoi stazhier për zyrën e korrespondencës me vendet e huaja. Më 1865 për herë të dytë u emërua përkthyes në Sanxhakun e Shkodrës.
Më 1866 u dërgua në Halep me postin e zv/drejtorit për çështjet politike, ku do të emërohej drejtor më 1868. Në korrik të atij viti iu akordua grada e dytë e klasit special dhe u caktua me punë si kryesekretar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në shtator të 1869 merr gradën e parë të klasit të dytë dhe emërohet anëtar i Gjykatës Penale dhe Civile te Ministria e Drejtësisë. Më 1875 emërohet anëtar i Zyrës së Krimeve te Gjykata e Apelit dhe po atë vit u emërua kryetar i Komisionit të Reformave në Hercegovinë dhe më tej atë vit anëtar i Komisionit për Mbledhjen e Taksave në Bullgari.
Më 1876 u caktua nëpunës për borxhet tek zyra e zv/valiut të vilajetit të Manastirit dhe në gusht të 1877 këshilltar i Vilajetit të Kosovës. Më 1878 u emërua komisar i Rodopeve, brenda vitit emërohet anëtar i Këshillit të Shtetit dhe drejtor i zyrës së shtypit dhe botimeve. Në shtator të 1879 u emërua këshilltar i Vilajetit të Edernesë, ku punonte edhe Ismail Qemali. Më 10 korrik 1883 me titullin vezir, u emërua mytesarif i Malit të Libanit me qendër në Beirut, post që e mbajti derisa ndërroi jetë më 26 qershor 1892, pak para se t’i mbaronte mandati 10 vjeçar në atë post administrativ. Ritet funebër u kryen në kishën St-Louise des Capucins, në Bejrut dhe u varros në të ashtuquajturat “varrezat e pashallarëve” në kodrinën e Hazmiehut, në periferi e kryeqytetit të sotëm libanez.
LIDHJA E PRIZRENIT
Si pjesë e parisë së bashkësisë shqiptare në Stamboll në mbështetje të Lidhjes së Prizrenit, më 20 qershor 1878 qe firma e parë në një memorandum dërguar ministrit të Punëve të Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze, kontit Andrassy. Në memorandum i luteshin që të kishin parasysh të drejtat shqiptare. Pjesë nga memorandumi ku kërkohej përparimi i synimeve kombëtare: “Populli shqiptar i frymzuem prej traditave dhe interesave të tij do dhe dëshiron, të jetojë në gjinin e perandorís nën skeptrin e Madhnis së Tij Sulltanit dhe nuk pranon në asnji mënyrë që të jetë i damë prej saj. Mbas vendimeve të Shin Stefanit, mënyra e administrimit të mbrendshëm do të ndryshojë e në kët rasë populli shqiptar pa i cënue të drejtat e përjetshme të sovranitetit të Madhnis së Tij Sulltanit kërkon që të formohet për kët qëllim nji komision i përbâmë prej Shqiptarësh, i cili nën mbrojtje e Ti të naltë dhe me pëlqimin e Portës së Naltë të studiojë formën e përshtatshme dhe të ndalojë institucionet e reja lokale duke u a përshtat karakterit, zakoneve dhe nevojave të vendit”.
Pas Aksionit të Gjakovës, në tetor shkoi të takonte kontin Zichy, ambasadori i Austro-Hungarisë në Stamboll, të cilit i shpjegoi historinë e shqiptarëve dhe i kërkoi ndihmë. Konti i kërkoi ta përpilonte në frëngjisht, dhe më 22 tetor Vaso Pasha ia paraqiti në trajtë promemorieje ambasadorit, me titullin “La vérité sur l’Albanie et les Albanais”. Së bashku me figura të tjera kombëtare në Stamboll, si Hoxhë Hasan Tahsini, Jani Vreto dhe Sami Frashëri, ai luajti rol në krijimin e një alfabeti të shqipes dhe, lidhur me këtë, botoi një broshurë 16 faqesh me titull “L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise”. Ishte anëtar i Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip.
KRIJIMTARIA
Për atë çka pa e përjetoi në Itali, botoi pas një viti librin “La mia prigionia, episodio storico dell’assedio di Venezia”, 1850 (Burgimi im, episod historik nga rrethimi i Venedikut). Titull i ngjashëm me atë të kujtimeve të famshme të dramaturgut italian Silvio Pellico, “Le mie prigioni” (Burgjet e mija), botuar më 1832. Më 1873 botoi një përmbledhje me vjersha në italisht “Rose e spine”. Për përvojën e tij në Bosnie la veprën Bosnie et Hercegovine pendant la mission de Djevdet Effendi (shq. Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut) më 1865. Ndërsa më 1872 Esquisse historique sur le Monténégro d’après les traditions de l’Albanie (shq. Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë).
Ai zuri një vend edhe në historinë e letërsisë shqiptare që po krijohej; ai është autor i vjershës së njohur “Moj Shqypni, e mjera Shqypni!” (1880), e cila u botua si fletë fluturuese. Me dashurinë e flaktë për atdheun që dergjej nën thundrën e të huajit, me notën e dhimbjes për të, me grishjen drejtuar bashkatdhetarëve për të kapërcyer dasitë fetare dhe për t’u bashkuar në emër të çlirimit të vendit, vjersha luajti rol për zgjimin kombëtar të shqiptarëve. E vënë në muzikë, ajo u këndua si himn patriotik. Vepër tjetër e Pashko Vasës në lëmin e letërsisë është “Bardha e Temalit” (“Barda de Témal”, Paris 1890), një nga romanet e para në letërsinë shqiptare. Aty përshkruhet mjedisi shqiptar në Shkodër në vitet 40 të shek.XIX me doket dhe zakonet karakteristike. Botoi edhe një përmbledhje me vjersha italisht «Rose e spine» (1873).
Që nga viti 1883 e derisa vdiq, në qershor të vitit 1892, Pashko Vasa shërbeu si Guvernator i përgjithshëm i Libanit, ku edhe vdiq. Eshtrat tij u sollën në Atdhe në kohën e regjimit komunist të Shqipërisë. (Vik.) Poema e famshme “O Moj Shqypni, e mjera Shqypni” është vepra më e shkëlqyer e Pashko Vasës. Ajo u dërgua nga Stambolli në frontin e luftimeve me fletë të veçanta, kaloi dorë në dorë dhe u këndua me një muzikë sa prekëse aq mobilizuese. Autori u frymëzua nga atmosfera luftarake e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit… Gjendja e mjerueshme e popullit, veçanërisht figura simbol e Nanës Shqipëri, i jepte asaj forcë të madhe emocionuese dhe mobilizuese në luftë për liri e pavarësi. Me 20 shkurt 1881 Sami Frashëri i shkruante Jeronin de Radës: “Të dergonj edhe një këngë patriotike nga vëllait tonë Pasko Vasës…”O moj Shqypni…” u bë “Marsejeza” e popullit Shqiptar: “Këtë nanë të dashtun a do ta lamë/që njeri i huej ta shkelë me kambë/ para se të hupë kështu Shqypnia/ me pushkë në dorë le të desë trimnia”. gsh