Pasaportat e arta, avokati zviceran i specializuar në një biznes fitimprurës: të ndihmojë të pasurit të marrin nënshtetësinë e vendeve që ofrojnë avantazhe të veçanta. Klientët e tij kryesorë janë investitorët rusë dhe kinezë
Hannes Grassegger, ‘Das Magazin’, Zvicër
1. Në një birrari
Jam njohur me ‘mbretin e pasaportave’ gjatë një festë ditëlindjeje në një birrari pak kohë para fillimit të luftës në Ukrainë. Ishte duke gdhirë dhe midis tullumbaceve të arta që mbanin logon e Bitcoin, kisha vënë re një zotëri me sy blu dhe flokë bjond thuajse në të thinjur. Ai kishte veshur një xhaketë dhe, ndryshe nga shumë të ftuar të tjerë, nuk mbante asnjë orë të shtrenjtë. Filluam të bisedonim.
Ai u prezantua me emrin Chris dhe më shpjegoi se është avokat ekspert për të drejtën kushtetuese. Ai mbante në xhaketë një spilë ku vëreheshin iniciale me shkronja argjendi: H&P. Pas bisedës, ndërsa u përshëndetëm, më dha kartvizitën e tij që mbante germa gri prej antraci në reliev: ‘Henley & Partners, Dr. Christian H. Kälin, Drejtues i Grupit’.
Në muajt në vijim kalova disa kohë me Kälin, avokatin, nga i cili mësova se si dhe ku mund të merren pasaporta në këmbim të parave. E shoqërova për të negociuar me krerë shtetesh dhe më tregoi se si, duke filluar nga Zyrihu, ndërtoi një biznes ndërkombëtar mbi dhënien e shtetësive deri në shndërrimin e kompanisë së tij në një lloj zyre pasaportash për të pasurit. Në fund më tregoi për projektin e tij: të shesë pasaportën zvicerane. Edhe pse ai saktësoi se absolutisht nuk duhej të flisja për këtë me këto terma, sepse ‘shitja’, më shpjegoi ai, nuk është tamam fjala e duhur. Por le të fillojmë nga e para.
2. Çfarë është një pasaportë?
Kjo pyetje ka dy përgjigje të mundshme, të cilat janë dy anët e së njëjtës medalje. Pikënisja është e njëjtë: pasaporta dokumenton zyrtarisht shtetësinë e një personi dhe shteti lëshues ka të drejtën sovrane të përcaktojë se cilat janë kriteret për marrjen e shtetësisë. Pasaportat janë një shpikje jo shumë e herëshme: në mesin e shekullit të njëzetë kur është vendosur detyrimi për të marrë vizë dhe për rrjedhojë edhe për të vërtetuar shtetësinë. Historikisht, pasaporta (një term i përbërë nga fjalët ‘kalim’ dhe ‘port’, d.m.th. vendi i tranzitit) në fakt është evolucioni i sjelljes së lashtë të lëvizjes, që garantonte mbrojtjen e fisnikëve ose të emisarëve të tyre.
Sot ajo përfaqëson premtimin se, duke e treguar atë, do të mund të kalojmë kufirin. Por na jep edhe të drejtën të kthehemi në vendin tonë me sigurinë për të gjetur strehim dhe mbrojtje. Shtetësia, në bazë të pasaportës, shkon edhe më tej: vendos ‘të drejtën për të pasur të drejta’, siç shkruante filozofja Hannah Arendt. Vetëm ata që janë qytetarë të një vendi mund të kërkojnë të gjitha të drejtat që vendi i garanton, siç është e drejta e votës në shtetet demokratike. Prandaj, përgjigja e parë vë në pikëpyetje mbrojtjen dhe i referohet një premtimi për barazi. Përgjigja e dytë nis nga një vëzhgim: pasaportat krijojnë kufij. Në vitin 1942, shkrimtari austro-britanik Stefan Cvajg e përshkroi epokën para ardhjes së tyre si më poshtë vijon: ‘Përpara vitit 1914, bota i përkiste të gjithëve: secili shkonte ku të donte dhe qëndronte atje për aq kohë sa të donte. Nuk kishit nevojë për leje e as leje për t’u larguar dhe gjithmonë më argëtonte habia e të rinjve kur u thosha se para vitit 1914 kisha qenë në Indi dhe Amerikë pa pasaportë’.
Studiuesja Ayelet Shachar flet për pasaporën si një objekt të përfituar vetëm nga fati përmes të cilit në disa raste vendi i lindjes dënon njerëzimin të qëndrojë mes humbësve. Ndërsa pasaporta zvicerane hap çdo derë, në të gjithë botën. Zvicra dërgon fluturime çarter dhe përfaqësues diplomatikë për të shpëtuar, evakuuar dhe ndihmuar qytetarët e saj, ndërsa vendet e tjera gjymtojnë, gjuajnë dhe vrasin qytetarët e tyre kudo që janë në botë, si Irani, Rusia apo Arabia Saudite. Regjimi autoritar që qeveris Kinën ka ndalur prej kohësh lëshimin e pasaportave, përveç arsyeve specifike, dhe në fakt po e burgos popullsinë e saj.
Me pak fjalë, shumë do të donin një pasaportë të ndryshme nga ajo që kanë, por marrja e saj nuk është një ndërmarrje e lehtë: as 2 % e njerëzve nuk marrin një shtetësi të dytë gjatë jetës së tyre. Si rregull, një pasaportë merret në lindje bazuar në kombësinë e prindërve – ius sanguinis, të drejtën në bazë të gjakut – ose për shkak se dikush ka lindur në një vend të caktuar – ius soli, në bazë të tokës (mëmëdheut). I ashtuquajturi natyralizim, pra marrja e një shtetësie të ndryshme si ajo e përfituar nga lindja, nuk është askund e lehtë: zakonisht për ta marrë atë duhet deri në dhjetë vjet qëndrim në vend, njohuri të gjuhës dhe para për të mbështetur veten financiarisht. Por pastaj ka përjashtime, sepse në realitet, shtetësia është një fushë e parregulluar: nuk ka autoritet apo regjistër global të pasaportave. Çdo vend vendos rregullat e veta dhe përcakton se kujt i jepet shtetësia dhe kujt jo. Dhe këtu hyjnë ndërmjetësit e pasaportave, përfshirë Kälin, siç më shpjegoi ai vetë. Por, së pari, le të fillojmë me një shembull të fundit.
3. Rusët bëhen turq
Kur shpërtheu lufta në Ukrainë, shumë rusë, duke imagjinuar se situata në vendin e tyre do të vështirësohej, vendosën të bëhen turq. Nuk ishte e komplikuar: mjaftonte të blinin një pasaportë. Jo një fallco, ta keni parasysh, sepse do të ishte krim, por merrnin një pasaportë të ligjshme në këmbim të parave. Në Turqi, çështja rregullohet nga neni 12 i ligjit nr. 5901 për shtetësinë, sipas të cilit, për t’u bërë turk, duhet të demonstrohet se ka blerë pasuri të paluajtshme në Turqi për një vlerë minimale prej 400 mijë dollarësh ose se ka krijuar të pakten 50 vende pune apo se ka sjellë në Turqi gjysmë milioni dollarësh, duke i investuar në kompani turke për një periudhë minimale prej tre vjetësh, duke i paguar në bankat turke ose duke blerë bono qeveritare turke ose fonde investimi.
Kur një shtetësi mund të blihet sipas kritereve të paracaktuara, quhet ‘program për pasaportat’. Dhe pikërisht tani, falë programit të saj, Turqia, e cila po vuan shumë nga zhvlerësimi i lirës, sheh miliarda dollarë shumë solide që hyjnë në vend.
Meqenëse formalisht është shteti që jep pasaportat, kjo do të thotë se është shteti që i shet ato. Turqia e quan këtë tregti një ‘kërkesë’ dhe kushdo mund ta paraqesë atë, përveç qytetarëve të shteteve fqinje armiqësore si Armenia. Për të aplikuar dhe për të kaluar provimin e Ministrisë së Brendshme, nuk të kërkohet as nëse ke precedent penal. Pas vitit 2018 dhe para valës ruse, rreth 20.000 iranianë, irakenë, jemenas dhe afganë kishin marrë pasaporta turke, të cilët gjetkë shpesh nuk mund të merrnin as vizë hyrjeje. Për disa, shtetësia turke, ishte vetëm një hap i ndërmjetëm për të arritur në Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Europian ose Zvicrën.
Turqi, për të aplikuar dhe për të kaluar provimin e Ministrisë së Brendshme, nuk të kërkohet as nëse ke precedent penal
Me luftën në Ukrainë, kërkesa për pasaporta u rrit në atë masë sa që në maj të 2022 Turqia rriti çmimet e saj me 60%. Tani duhen 400.000 dollarë për të marrë nënshtetësinë duke blerë pasuri të paluajtshme, ndërsa më parë mjaftonin 250.000. Turqia nuk publikon shifra dhe emra të klientëve të saj, por blerjet e pasurive të paluajtshme janë një tregues i mirë: sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, tashmë në shkurt 2022 kërkesa nga rusët ishte pothuajse dyfishuar në krahasim me një vit më parë dhe në qershor 2022 ishte gjashtëfishuar krahasuar me dymbëdhjetë muaj më parë. Midis janarit dhe korrikut 2022, pothuajse shtatë mijë qytetarë rusë kanë blerë prona në Turqi.
Si Rusia ashtu edhe Turqia lejojnë shtetësinë e dyfishtë. Nëse Bashkimi Europian do të ndalonte hyrjen e rusëve, ‘neo-turqit’ mund të vazhdojnë të hyjnë në këtë territor dhe të dërgojnë transferta ndërkombëtare, sot të penguar nga sanksionet. Për më tepër, ata që kanë vetëm një pasaportë ruse janë në mëshirën e Vladimir Putin. Siç shkruhet në shumicën e pasaportave, këto dokumente i përkasin shtetit. Si rezultat, Putini mund të konfiskojë një rus në çdo kohë.
Për këtë arsye, sot superjahtet e miliarderëve rusë grumbullohen në portet turke, ndërsa VK, gjiganti rus i IT, po planifikon të zhvendosë dy mijë programues softuerësh në Turqi. Me pak fjalë, vendi po kthehet në një postë ruse. Dhe fakti që Turqia sot ofron shtetësinë e saj në këmbim të parave është kryesisht për shkak të Kälin.
4. Nga Antigua në Turqi
Zyra e Kälin ndodhet në ‘Klosbachstrasse’, në lagjen Hottingen të Zyrihut, në katin e parë të një ndërtese pesëkatëshe ngjyrë gri të fillim shekullit të njëzetë. Kompania e tij quhet ‘Henley &Partners’: kur ai bleu këtë studio ligjore anglo-amerikane së bashku me familjen e tij, mbajti emrin e saj në anglisht. Sot Kälin është kryetar i bordit të drejtorëve.
U takuam për herë të parë në zyrë në janar 2022. Recepsionistja më shoqëroi në një dhomë takimi të ndritshme dhe më shërbeu kafe në një filxhan porcelani, shoqëruar me një çokollatë. Dhoma kishte një raft të mbushur me libra të shkruar nga Kälin dhe një seri broshurash. Nga dritarja valëviteshin flamuj ekzotikë, si në një ambasadë. ‘Henley &Partners’ ka më shumë se tridhjetë filiale në mbarë botën. Ai në Moskë do të mbyllej menjëherë pas takimit tonë.
Në faqen e internetit, kompania liston njëmbëdhjetë shtetësi të disponueshme sipas rendit alfabetik: nga A për Antigua në T për Turqinë, si dhe njëzet e pesë të ashtuquajturat ‘viza të arta’, leje qëndrimi që merren në këmbim të ‘investimeve’ në vende si p.sh. Portugalia apo Zvicra. Por kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë që ju mund të blini nënshtetësinë zvicerane, më shpjegon Kälin ndërkohë që po pijmë çaj.
Në shumë kantone zvicerane, të huajt e pasur që aplikojnë për të marrë një leje qëndrimi, ata e marrin lejen me afat të caktuar – leja B – zakonisht duke pranuar një regjim tatimor me tarifë të sheshtë që fillon nga rreth 150.000 franga në vit. Aplikimet duhet të dërgohen për një ekzaminim paraprak në Konfederatën Zvicerane, e cila ka të drejtën e vetos dhe, nga ana tjetër, mund t’i kërkojë zyrës së policisë federale të shqyrtojë dosjet, duke i vlerësuar më pas rast pas rasti.
Vendimet merren në bazë të nenit 30 të ligjit për të huajt dhe integrimin e tyre, i cili lejon dhënien e shtetësisë për ‘interesa të rëndësishme publike’, duke përfshirë ‘interesat e rëndësishme tatimore kantonale’. Sipas Sekretariatit Shtetëror për Migracionin (SEM), që nga viti 2008 janë 5094 persona që kanë marrë leje qëndrimi në bazë të këtij ligji. Emrat e tyre nuk janë publikë. SEM refuzon të japë detaje të tjera, por bën të ditur se disa dosje janë refuzuar.
Në faqen e internetit të biznesit të Kälin lexojmë se kompania e tij është një lider në bisnesin e marrjes së shtetësive sipas investimeve dhe një video shpjegon: ‘Henley & Partners’ ka shpikur një industri. ‘Industria do të ishte ajo e tregtimit të pasaportave?’, e pyes. ‘Jo, jo,’ përgjigjet Kalin duke tundur kokën me forcë. ‘Tregtimi dhe shitblerja e pasaportave janë krime me të cilat nuk kemi absolutisht asnjë lidhje.’ Ajo çfarë ai bën, më shpjegon më tej, është krejtësisht e ligjshme. ‘Kushtet e sakta janë marrja e nënshtetësisë me investim, program për dhënien e shtetësisë, dhënia e shtetësisë me investim ose më së shumti pasaporta programore ose marrja e pasaportave me investim’. – më shpjegon duke e përsëritur disa herë.
Unë absolutisht nuk duhet të përdor ‘terma të gabuara’, më këshillon ai. ‘Henley & Partners’ nuk bën tregti me pasaporta. E përsëris këtë pa pushim për të gjithë punonjësit e mi dhe gjithashtu për qeveritë nëse u ndodh që fjalë të tilla të rrëshqasin nga goja e tyre.’
Por kur i kërkoj të mësojë më shumë, Kälin heziton. Ai ka patur mjaftueshëm eksperiencë me publicitetin e keq për biznesin e tij, shton ai, duke iu referuar raportimeve për ‘zgjedhjet e pilotuara’, akuzave që i janë ngritur për rastin e vrasjes së gazetares malteze Daphne Caruana Galizia, lajmeve për kriminelët e dyshuar, politikanët dhe oligarkët, të cilëve Henley dhe partnerët thuhet se kanë blerë pasaporta. Media, Bashkimi Europian, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) janë të gjithë kundër tij, ankohet ai, edhe pse ka ndihmuar dhjetëra mijëra njerëz të ndërtojnë jetë më të mirë. Pastaj pi një gllënjkë çaj dhe fillon të tregojë.
5. Saint Kitts e Nevis
Kälin mbërrin në moshën 34-vjeçare në Saint Kitts dhe Nevis, një shtet i formuar nga dy ishuj të arkipelagut të Karaibeve. Në atë kohë, vendi ishte në telashe serioze: deri vonë jetonte nga kultivimi i kallam sheqerit, por në vitin 2005, kur Bashkimi Europian ndryshoi rregullat për importin e produkteve nga të dy ishujt, ekonomia vendase thuajse ra në kolaps.
Kälin punon për ‘Henley &Partners’, një firmë e vogël e specializuar në projektet ndërkombëtare dhe ligjin e emigracionit, të cilët e punësuan atë në vitet 1990 kur ai studionte për drejtësi në Zyrih. Ai fillimisht krijoi eksperiencë në një bankë private në qytetin zviceran, blerë më vonë nga ‘Coutts &Co’, i përfshirë në 2014 në disa skandale që lidhen me parajsat fiskale, ndër të tjera në Ishujt Kajman. Avokati zviceran e di se çfarë duan klientët e tij të pasur, të cilët jo vetëm që kërkojnë një parajsë fiskale për kompaninë e tyre, por duan të lëvizin, të blejnë pasuri të paluajtshme dhe të investojnë jashtë vendit. Për këtë ata shpesh kanë nevojë për ato leje qëndrimi që është bërë specialiteti i Kälin.
Vendet e emigrimit si Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara kanë kohë që ofrojnë leje qëndrimi me pagesë për investitorët, me të ashtuquajturat ‘viza të arta’, siç është Eb-5 e SHBA-së, e cila me një investim prej të paktën 800.000 dollarë në një biznes, garanton një qëndrim të pacaktuar (leje qëndrimi pa limit), (në këtë mënyrë Shtetet e Bashkuara kanë arkëtuar 37 miliardë dollarë që nga viti 2008. Kështu dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, ka financuar disa projekte për pasuri të paluajtshme).
Por Kälin është veçanërisht i magjepsur nga një shtet i vogël malor në zemër të Europës – Austria – ku ligji ka parashikuar tashmë që nga viti 1985 se shtetësia mund të jepet për ‘merita të jashtëzakonshme me interes të veçantë për republikën’. Në thelb, në këmbim të investimeve milionerësh ose donacioneve bamirëse, ju merrni një pasaportë austriake. Është ligj kushtetues, më shpjegoi juristi vjenez Stefan Pacher, por nuk ka asnjë kriter transparent për zbatimin e tij. Çdo gjashtë muaj qeveria në seancë të përbashkët vendos nëse do të japë natyralizime. Kjo do të thotë se të gjithë ministrat duhet të kontaktohen dhe të binden.
Krahas investimit të klientëve të tij, Kälin kujdeset për vendosjen e kontakteve, organizimin e takimeve dhe përgatitjen e temave të përshtatshme. Është një proces impenjativ, por çdo shtetësi i jep atij një tarifë prej qindra mijëra frangash. Në atë kohë, vetëm specialistë të nivelit të tij e dinin se marrja e ligjshme e shtetësisë, përveçse në Austri, ishte e mundur vetëm në Shën Kitts, Nevis dhe në Dominika, një tjetër shtet ishull. Pasaportat e të dy ishujve kanë një reputacion të keq. Por më pas fati favorizon lojën e Kälin.
Listat e pritjes për programin federal të emigracionit të investitorëve janë bërë pothuajse po aq të gjata sa ato për marrjen e shtetësisë përmes kanaleve normale. Kërkesa për viza të ngjashme dhe madje edhe pasaporta është rritur në mënyrë eksponenciale. Në vitin 2005, pasi Saint Kitts dhe Nevis humbën papritur burimin kryesor të të ardhurave, eksportet e sheqerit, Kälin shikoi një mundësi të artë.
Në vitin 2006 ai gjendet në zyrën e vogël të kryeministrit Denzil Douglas, në rrethin qeveritar të kryeqytetit Basseterre, duke i shpjeguar se shteti i Saint Kitts dhe Nevis mund të bëjë shumë para: ai do të sjellë investitorë të interesuar për natyralizim dhe të gatshëm për të paguar shuma të mëdha.
Propozimi tingëllon mjaft i çuditshëm duke pasur parasysh se ishulli i Karaibeve tashmë e ka një program për lëshimin e pasaportave për të huajt, por në vitin 2005 ka lëshuar vetëm gjashtë të tilla. Ndonëse, në realitet, ishte ishulli i Shën Kitts dhe Nevisit që shpiku ‘blerjen dhe shitjen’ e pasaportave moderne, me rezultatin paradoksal që praktikisht askush nuk e dëshiron dokumentin e ishullit. Në Saint Kitts dhe Nevis praktika ishte krijuar pas pavarësisë së fituar në viti 1983, kur një ndërmjetës francez në shërbim të kartelit Medellín ishte përpjekur të merrte pasaporta për t’u dhënë një identitet të ri klientëve të tij. Nevoja e tij kishte shtyrë një politikan dinak të merrte iniciativën dhe, një vit më vonë, parlamenti kishte miratuar një ligj që lejonte marrjen e shtetësisë për pesëdhjetë mijë dollarë plus shpenzimet. Por në vitin 2006, kur Kälin është në Saint Kitts dhe Nevis, marrja e nënshtetësisë së ishullit është e komplikuar: mund të duhen muaj ose vite, në varësi të cilit ministër arrin të kontaktosh. Në fakt, ligji nuk parashikon një ministër përgjegjës për procedurën.
‘Shit-blerja e pasaportave’, shpikur në 1983 kur një ndërmjetës francez në shërbim të kartelit Medellín ishte përpjekur të merrte pasaporta për t’u dhënë një identitet të ri klientëve të tij
Tani ky i huaj biond ka filluar t’i shpjegojë kryeministrit se duhet të ‘mendojmë gjerë’, duke kaluar në marrjen e shtetësisë në shkallë industriale. Kälin ka një vizion: një pasaportë me reputacion të mirë, si ajo austriake, por shumë më e lirë dhe e lëshuar në shkallë të gjerë, ashtu si në Kanada. Projekti është i qartë: një linjë montimi pasaportash. Kälin i shpjegon kryeministrit se do të rrisë çmimin, pra ‘kriteret e investimit’ dhe do të kontrollojë më rreptësi kandidatët: jo kriminelë, sepse do ta bënin produktin jo tërheqës. Në këmbim, megjithatë, ajo do të thjeshtojë procedurën dhe do të reklamojë Saint Kitts e Nevis dhe gjithashtu pasaportën e këtyre vendeve.
Me këto të ardhura kreu i shtetit mund ta shpëtonte vendin. Douglas është i interesuar, por qeveria nuk ka para për të financuar një projekt të tillë. Kälin e ka menduar edhe këtë: ai do të bëjë gjithçka falas, kompania e tij do të avancojë financimin me rrezikun e saj, me kusht që të marrë një çmim prej njëzet mijë dollarësh për çdo aplikim të suksesshëm. Për më tepër, Saint Kitts dhe Nevis do t’i japë ‘Henley &Partners’ monopolin e marketingut, duke i besuar gjithashtu përpunimin e procedurës, pra rregullat dhe procedurat ligjore për marrjen e shtetësisë. Douglas pranon.
Kälin e di shumë mirë se cilët do të jenë klientët e tij. Ka shumë amerikanë dhe britanikë që tradicionalisht blejnë shtëpi pushimi në ato ishuj dhe që sigurisht nuk do ta përçmojnë një pasaportë si një shtesë të vogël, të marrë duke blerë pasuri të paluajtshme.
Por ka edhe klientë të tjerë. Globalizimi ecën me shpejtësi të plotë dhe tregtia botërore sjell me vete zhvendosjen e proceseve të prodhimit nga vendet e kushtueshme perëndimore në Azi, Lindje e Mesme, Afrikëe Veriut dhe Amerikë e Jugut. Një klasë e re sipërmarrësish të pasur po lind dhe, në të ashtuquajturat vende në zhvillim, numri i tyre po rritet në mënyrë eksponenciale: 62 milionë njerëz në botë kanë asete të paktën një milion dollarë, nga të cilat më shumë se tetë milionë vijnë nga Afrika, Lindja e Mesme dhe Azia.
Po lind një klasë e re e të pasurish në botë. 62 milionë persona zotërojnë pasuri prej të paktën një milion dollarë
Në vendin e tyre këta njerëz kanë një jetesë të klasit të parë, por në xhepat e tyre ata kanë një pasaportë që shpesh e ndërlikon jetën: kushdo nga Bangladeshi ose Nigeria që dëshiron të shkojë në New York, për shembull, për turizëm ose biznes, duhet të presë një vizë për muaj.
Të gjithë këtyre njerëzve patjetër që u duhet një pasaportë më e mirë. Ata nuk duan të shkojnë në Saint Kitts dhe Nevis, duan vetëm një pasaportë. Kälin nuhat shumë klientë të mundshëm dhe i quan ata ‘global citizens’ (qytetarë globalë).
6. Modeli
‘Ne i kemi bërë të gjitha vetë në Saint Kitts’, thotë Kälin ende sot, shumë e kënaqur. Ai shkroi rregullat, në interes të klientëve të tij dhe për herë të parë në histori është tregu ai që përcakton se kush do të marrë nënshtetësinë. Rezultati është një modeli e më pas një sektori, i cili së shpejti do të kalonte barrierat e Bashkimit Europian.
Në Saint Kitts, Kälin zhvillon kontekstin për pothuajse të gjitha programet aktuale të natyralizimit: nga rregulloret dhe procedurat burokratike te logot, faqet e broshurat dhe madje edhe njoftimet e punës.
Rrit në mënyrë drastike çmimin e pasaportës – ose më mirë të nënshtetësisë – duke e çuar në 250 mijë dollarë plus ‘shpenzimet’. Për të marrë një pasaportë për veten dhe për 3 anëtarë të familjes, klientët mund të zgjedhin midis një investimi prej 250.000 dollarësh në pasuri të paluajtshme në ishull dhe një dhurimi prej 150.000 dollarësh për një fond të pasurisë të krijuar nga Kälin: Fondi i Diversifikimit të Industrisë së Sheqerit (Sidf).
Duke preferuar dhurimin për blerjen e pasurive të paluajtshme, ‘shpenzimet’ janë dukshëm më të ulëta: 7500 dollarë në vend të pesëdhjetë mijë. Nxitja është e qartë: me Sidf-in, paratë e premtuara nga Kälin për Douglas do të mbërrijnë në mbështetje të një sistemi ekonomik në vështirësi, të rishpërndarë zyrtarisht nga një organ i pavarur, por, në realitet, të menaxhuar nga kryeministri. Rregullat ndryshojnë gjatë gjithë kohës. Së shpejti investimi minimal në pasuri të paluajtshme u rrit në 400.000 dollarë, duke rezultuar në një bum në ndërtesat luksoze. Më pas, Sidf fillon të ndërhyjë në fronte të ndryshme, nga financimi i banesave sociale te investimet, deri te kreditë për individët.
Çdokush mund të aplikojë. Nuk është e nevojshme të banosh në vend ose të udhëtosh personalisht atje, por të gjitha rastet shqyrtohen sipas të njëjtave rregulla. Duhet të kryhet një kujdes i duhur (hetim dhe analizë e thellë e të dhënave dhe informacion i detajuar lidhur me objektin/personinnë negocim), me qëllim që të përjashtohet që klientët e padëshiruar dhe të bëjnë që pasaporta dhe Saint Kitts e Nevis të humbasin vlerën. Nëse një pasaportë shkon për botën e krimit, vendet e tjera janë të kujdesshme, duke kufizuar hyrjen për ata që e posedojnë atë.
Më parë, thekson Kälin, kur bëheshin aplikimet për shtetësi, Saint Kitts dhe Nevis mezi i hidhnin një sy të dhënave kriminale lokale ose listave të Interpolit. Bazat e tjera të të dhënave nuk konsultoheshin pothuajse asnjëherë, aq më pak ndodhte që dikush kontaktonte Njësinë Ndërkombëtare Kundër Pastrimit të Parave, UIF (Njësia e Inteligjencës Financiare). ‘Henley &Partners’, punojne me module të ndryshme përmes të cilëve u kërkojnë klientëve informacione të ndryshme: për shembull, lidhur me origjinën e parave me të cilat do të paguhet pasaporta.
Për të menaxhuar sistemin, ‘Henley &Partners’ hap një agjenci në Saint Kitts dhe Nevis, njësia e nënshtetësisë sipas investimeve, e cila raporton drejtpërdrejt te kryeministri. Për herë të parë, një shtet po vë në dispozicion një dritare të vetme qendrore për këdo që dëshiron të blejë një pasaportë. Nuk ka mungesë të mbikëqyrjes: auditi shtetëror mbikëqyr agjencinë, ndërsa kompania shumëkombëshe PricewaterhouseCoopers (PwC) është përgjegjëse për auditimin e buxhetit të Sidf-it. Kushdo që paguan dhe kalon kontrollet do të marrë nënshtetësinë dhe rrjedhimisht pasaportën. Megjithatë në fillim, programi i Kälin-it në Saint Kitts dhe Nevis duket të jetë një dështim. Në vitin 2006 shiten vetëm 19 shtetësi. ‘Saint what?’ pyesin Kälin personat kur ai i paraqet pasaportën e tij të Karaibeve në Hong Kong.
Por, tre vjet më vonë, ai dhe ekipi i tij nisin një turne reklamash në mbarë botën dhe, dalëngadalë, numrat fillojnë të rriten: në 2007 pasaportat e shitura janë 75 dhe në 2008 202. Ndërkohë, Kälin përgatit goditjen përfundimtare në një skenë krejtësisht tjetër: Brukselin./Internazionale – Përgatiti në shqip për Syri.net Jerina Luka
(vijon nesër)