Nga Ali Samil/ -Poetja Nafije Abidi, viktimë e spastrimeve politike që u ndërmorën nga Stalini në Bashkimin Sovjetik, humbi burgjeve të Azerbajxhanit, ku dhe vdiq, pas arrestimit bashkë me të shoqin-
Një poete me origjinë gjysmë shqiptare nga Janina, Nafije Abidi (Nafie Tefik Tanur) për dashurinë me shkrimtarin azerbajxhanas, Emin Abidi, la studimet e larta për Letërsi në Stamboll, e ndoqi pas në Baku (Azerbajxhan) ku hoqi persekutimin e KGB-së sovjetike, duke u akuzuar për antikomunizëm, bashkë me të. Por ndërsa të shoqin e pushkatuan, fati i saj ende ka mbetur mister, sepse nuk dihet fundi që pati nëpër burgjet e Azerbajxhanit, në vitet e komunizmit.
Historinë e saj e tregon shkrimtari dhe publicisti azerbajxhanas, Ali Samil, që merret me historitë e disidentëve që vuajtën në burgjet azerbajxhanase, si vazhdim i shkrimeve që bëjnë fjalë për historinë e jetës së shqiptarëve, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre modest, në shoqërinë e Azerbajxhanit.
*******
Firmat në disa shkrime, tregime dhe poezi të Nafije Abidit, rastisen vetëm në botime të vitit 1927 dhe nëse nuk do të merresha nga afër me jetën dhe krijimtarinë e Emin Abidit, nuk do të më tërhiqnin vëmendjen. Kur studioja në universitet (1969–1973), kushdo që kishte njohur Emin Adibin (shkrimtar, publicist dhe antikomunist azerbajxhanas), thoshte se; kur studionte në Stamboll, u martua dhe me gruan u rikthye në Baku.
Nga kujtimet e të njohurve, mësohet se e shoqja, që vinte nga një familje e pasur, kishte talent në fushën e poezisë. Nga njerëz të familjes Abidi, sigurova dy fotografi të saj, ku dallon një zonjë e bukur dhe qibare. Me burgosjen e Eminit, u burgos dhe e shoqja, Nafija, por ndërsa dihet se Eminin e pushkatoi KGB-ja, nuk dihet fati i saj, që u burgos nga shërbimi sekret famëkeq në Azerbajxhan.
Tregime dhe poezi, botuar në turqisht në Baku dhe Tbilis, me firmën Nafije Abidi, nuk kanë mjaftuar për të mësuar të vërtetën e shqiptaro-turkes. Pyetjeve se ku dhe kur lindi, emri i babait, mbiemri i vajzërisë, krijimtaria e saj poetike, para se të vinte në Baku, më pas, ç’bëri Nafije Abidi, etj., nuk u ishte gjetur përgjigje. Madje në 1997, në emisionin e radios turke “Zëri i Azerbajxhanit”, drejtori i redaktimit, Sejfedin Altajll, më fali librin “Për pavarësi” dhe kur lexova poemën e Nafije Shyqyri, “Dashuria e vëllait”, nuk mendoja se mund të ishte e shkruar nga Nafije Abidi.
Vetëm në vitin 1998, kur përgatisja një artikull për shkrimtarin Emin Abidi, në përkujtim të 100-vjetorit të lindjes, mes kërkimeve në arkivin e KGB-së, arrita të njihja punën e tij dhe të së shoqes, Nafijes, dhe pyetjeve të mësipërme pas afro 30 vitesh, u dhashë përgjigje brenda 2-3 orëve.
Mësova se prindërit e Nafies, quheshin Shyqyri dhe Zyhra. Në poemën “Dashuria e vëllait” në librin “Shpresa për pavarësi” kuptova se autori Emin Abidi, me një firmë tjetër, nën emrin Gyltekin Beu, bënte fjalë për Nafije Abidin. Poema “Dashuria e vëllait”, fillon me dedikimin “Poetit kombëtar të Azerbajxhanit”, nga Gyltekin beu, në 15 janar 1925. Subjekti dhe elementë të saj, janë shumë të ngjashme me poezitë e Gyltekin:
“Fryn në Lindje ajo erë e ngrohtë/ Në fushat jeshile të Kaukazeve/ Kujtimi i fundit i dashurisë që është në shpirtin tim/ Besomë zëmra ime digjet në thellësi të saj/ Dridhet ndjenja në zërin tim/ Një dashuri e thellë në zërin tim/ Ti vetëm nuk je në atë vend të dashur/ Dhe unë i lutem zotit o vend i bekuar”.
Nga një informacion i vitit 1903, mësohet se Nafija ishte shqiptare nga nëna, Zyra, me origjinë nga Janina, që me ndarjen e Perandorisë Osmane, mbeti në Greqi dhe familja emigroi në Stamboll. Pas vdekjes së të atit, në moshë të vogël Zyra Tefik Tanur, u largua, ndaj emrin e Nafijes, në dokumentet e vajzërisë, e gjejmë me emrin; Nafie Tefik Tanur.
Kur ishte 7 vjeçe, Nafije Tefik Tanur, ndoqi Liceun “Xhamllëk” të Stambollit, që e përfundoi në moshën 18 vjeçe. Pasi ndoqi një vit kursin e Pedagogjisë, hyri në Fakultetin e Historisë dhe të Letërsisë në Universitetin e Stambollit, ku u njoh me Emin Abidin. Nuk rastiset data e martesës së tyre, por në pjesën e pasme të një fotoje, gjendet shkruar prej saj: “Nënës sime të dashur, pas martese, vajza juaj 1341”, (sipas kalendarit të ri, 1923). Pra, Nafija u pranua në Universitetin e Stambollit, në vitin 1922 dhe u martua me Emin Abidin në 1923.
Emin Abid Mytealib oglu Ahmedov, (Abidi) me origjinë nga Hysejnkullu han, lindi në Baku në vitin 1898, në një familje gurpunuesish. Vëllai i madh, Aliabbas Müznibdir, njihej si poet, gazetar, studiues dhe botues. E ëma, Rejhan Adnan, u mor me përgatitjen e lajmeve të “Mektebit”, “İrşadit” dhe “Dirilikut”, shkroi tregime të vogla, poezi, artikuj shkencorë, publicistikë. Pas mbarimit të gjimnazit dhe tensioneve të Luftës së Parë Botërore, mes Rusisë dhe Perandorisë Osmane, Emin Abidi punoi si redaktor për revistat e vëllait, Müznibin.
Krijimi i Republikës së Azerbajxhanit në 1918, i dha mundësi të studionte, pasi në vitin 1921, Komisariati Shkencor i Azerbajxhanit, i dha një bursë prej 35 dollarësh në muaj, për studime në Universitet në Fakultetin Letërsi-Histori në Stamboll, ku shkroi sipas kërkesës, veprën; “Historia e letërsisë së turqve të Azerbajxhanit”.
Duke punuar në arkivat e Gazvinit, Vjenës, Budapestit dhe Stambollit, përveç studimit dhe mbledhjes së materialeve për historinë e letërsisë turke, mori pjesë aktive në jetën sociale. I interesuar për ngjarjet politike, kur ishte student në Stamboll, Emin Abidi u takua disa herë me drejtuesin e Azerbajxhanit, Mehmet Emin Resulzade.
Kontribuoi në zbulimin e muhaxhirëve dhe dallojnë botimet e poezive e artikujve të ndryshëm, në revistën “Kaukazi i Ri”, ku botoi me emra të tjerë, si; Gyltekin Beu. Në veprën; “Gjurmët e luftës të pavarësisë të letërsisë së Azerbajxhanit”, E. Xhaferoglut, shkruan: “Forca dhe fuqia e poezive të Gyltekin beut, nga poezitë më të mira krijuara, edhe sot përmenden në popullsinë e Stambollit dhe shkruhet mirë për të”. Emin Abidi, mbaroi studimet në 1926 dhe u kthye në Baku, bashkë me gruan, Nafijen, që la për të shkollën e lartë.
Pas rrëzimit të Republikës Popullore të Azerbajxhanit, bolshevikët, një pjesë të kuadrove kombëtare i vranë, një pjesë i internuan në Siberi, ndërsa të tjerë, u larguan jashtë vendit. Emin Abidi dhe Nafija, qëndruan mënjanë, çka duket në dokumente të arkivave të KGB-së. Kryetari i Zyrës Politike të Azerbajxhanit, Nevruz Rizajev, dhe Komiteti Qendror i Partisë Komuniste, në letrën e fshehtë të sekretariatit në 15 maj 1929, krijojnë komisionin “për pastrim”, që nxori nga arsimi profesorët patriotë dhe futën spiunët në vend tyre. Këshillohej që “pastrimet”, të drejtoheshin veçanërisht ndaj mësuesve të letërsisë turke, gjeografisë dhe sociologjisë, u aplikua dërgimi i tyre në shkolla të veçanta dhe filloi burgosja në grupe.
As Emin Abidi nuk mbeti jashtë “pastrimit”. Ai u dërgua me punë në Agdash, ku botoi në shtyp shumë artikuj, por nga viti 1930, hasi pengesa për botim. Nafije Adibi e shqetësuar nga këto ndjekje, u kthye në Turqi. Në vitin 1934, Emin Abidi me ndërhyrjen e Ali Nazimit, nisi punë në Akademinë e Shkencave dhe asokohe ngrihet hipoteza se Nafija, u rikthye në Baku. Në pasaportën e saj, shihet se në 20 shkurt 1935, kishte marrë vizë që në vitin 1923, për të ardhur në Azerbajxhan, në 2 gusht vizë për kthimin në Turqi dhe po në 14 gusht, për t’u kthyer në Baku.
Sido që të jetë, marrja e saj në pyetje nga KGB-ja, në dokumente shihet interesante vajtja e Nafijes në Ankara, në Ministrinë e Financës. Ndërsa arsyeja e vajtjes së saj: “Si vajzë e vetme, babai kërkoi të shikoja menjëherë nënën time, që ishte sëmurë”, – shpjegon qëllimin e udhëtimit. Interesante është dhe prania e saj në shtëpinë e Nuri beut, konsull i Republikës Turke në Baku.
Në dokumentet sekrete të gjetura në arkivat e KGB-së, gjatë marrjes së saj në pyetje, përmendet fakti i ardhjes në Baku të nënës së saj, në vitin 1930. Atëherë Bedrije Hanëmi, e shoqja e konsullit turk në Baku, e thërret Nafijen në shtëpinë e vet. Por nëse nëna e saj, do të ishte e sëmurë, nuk do të mund të vinte në Baku në vitet ’30-të. Takimet në Baku u ndërprenë dhe Nafija nuk shkoi për të vizituar nënën e sëmurë.
Në leximin e dokumenteve për marrjen në pyetje të Nafijes për vajtje-ardhjet nga Turqia në Baku, mbetet me interes, mënyra e marrjes së vizave dhe kupton se në vitet 1935, ishte e vështirë nxjerrja e vizës për personat që kërkonin të vinin nga Turqia në Azerbajxhan. Nafija pohon se; Abdyl Halik Renda, disa herë anëtar i Kuvendit në Turqi, e ndihmoi për t’i marrë një vizë, por dikush foli dhe u zbulua aplikimi i saj në Moskë, në Komisariatin e Punëve të Jashtme.
Aty tregohen emrat e të afërmve nga ana e nënës të Nafije Shyqyri Ahmedovës, si; Tefik Tanur, kryellogaritar në Zyrën Hekurudhore në Turqi dhe vëllezërit, Ismail Tanuri, që punonte në Bankën Bujqësore në qytetin Ajvallëk dhe Qamil Tanuri, si llogaritar. Mbetet po aq interesant fakti, se e ëma, Zyraja, grua shtëpiake, bënte përkthime. Nga procedura e marrjes në pyetje të Nafijes nga KGB-ja, lihet mënjanë faji i spiunazhit për të dhe kuptohet se ndër të afërmit, për të cilin u morr më shumë në pyetje, ishte Abdyl Halik Renda.
Pas ardhjes për herë të dytë në Baku, Nafija jetoi e qetë për dy vjet dhe Emin Abidi, vinte aty nga Agdami, ku bashkë me Ali Nazmi, përgatiti për botim veprat e tij trevëllimëshe shkencore si dhe botoi artikuj me nivel të lartë shkencor. Përballë punës shkencore, studimeve, veprave të botuara e pabotuara të Emin Abidi, disertacionit e punëve shkencore, kryesia e Akademisë së Shkencave të Azerbajxhanit, propozoi që t’i jepej titulli “Kandidat i Shkencave”.
Por në 1936, në Azerbajxhan, si kudo në BRSS, rifilluan burgimet. Në maj 1937, Emin Abidin e nxjerrin nga puna në Akademinë e Shkencave dhe shkon si mësues në rajonin e Kyrdemirit, Karakojunllu. Në 1938, burgoset si antikomunist dhe dërgohet në rajonin Ismail. I morën shtëpinë dhe i burgosën të vëllanë, Aliabaz Müznib, poet kombëtar, ndërsa të afërmit e të njohurit nga frika, u kthyen shpinën.
Nafija, e mbetur e vetme, u përpoq të kthehej në Turqi. Me shpresë për të marrë një vizë në Batum, shkon në konsullatën turke, por e burgosin sapo doli prej saj, në 11 gusht 1938, me nenin 58/6, të barbarizmit në BRSS për spiunazh, pas urdhrit të dalë prej kohësh. E arrestuan dhe i morën nga dora orën e kuqe me nr. 165920, vëthët brilant, dy unaza të kuqe dhe disa veshje të tjera.
Marrja në pyetje e Nafije Abidit, nuk kaloi qetë, pasi problem u bë pasaporta me fotografinë, kur ishte e bukur dhe e re. Në burg, pas torturave dhe vuajtjeve, Nafija brenda një kohe të shkurtër, nuk njihej më, për më tepër, duke mos duruar dot, humbi mendjen, ndërsa nga mjeku që e kuroi, zbuloi se ishte e sëmurë edhe nga zemra.
Marrja e saj në pyetje, nisi në gusht 1938, nga ndihmësi i Komisariatit të Punëve të Brendshme të Azerbajxhanit dhe prokurori Kurbanov. Në 28 prill 1939, ai shkruan: “Duke marrë në shqyrtim me kujdes karakterin e fakteve të mbledhura që flasin kundra Nafije Shyqyri Ahmedovës (Ahmet) e quaj të pamundur dërgimin në gjyq, për marrje në pyetje.
Për këtë arsye, pranoj dërgimin e çështjes, së saj në një këshill të veçantë pranë SSRİ XDK (Ministria e Punës e Bashkimit të Republikave Sovjetike Socialiste)”. Shënimi për dënimin e saj, pa u shoqëruar me detyrën, gradën, madje, as emrin e babait, ishte me këtë fjali: “Nafije Shyqyri Ahmedova, si një element shumë i rrezikshëm, të fshihet në burg që të përmirësohet. Koha e dënimit llogaritet nga 11 gushti i vitit 1938”.
Emin Abidi, u pushkatua në orën 21:30, në 21 tetor 1938. Për të nuk pati më asnjë lajm. Ndërsa për të shoqen, Nafije të njohurit nuk shprehen qartë nëse pas burgosjes u kthye në Turqi. Këtu gjithçka mbetet mister. Vërtet u kthye në Turqi? Kur dhe ç’bëri më tej? A pati më aktivitet social-politik? A ka ndonjë nga poezitë e saj të botuara? Këto dhe shumë të tjera pyetje, kanë mbetur ende pa përgjigje. Kur u krijua nga e para ekspozita letrare e Azerbajxhanit, pasaporta e Nafije Abidit, tërhoqi vëmendjen mes eksponentëve që kishin qenë në burgjet komuniste. Memorie.al