Duke vijuar nga numri i djeshëm, me intervistën e rrallë me Artan Kokoshin, djalin e Avdyl Kokoshit, i dënuar, pushkatuar me grupin e deputetëve, sot do të vijojmë me historinë e familjes vlonjate Kokoshi, perskutimet masive të mjaft anëtarëve, të afërm të saj.
Të gjithë nën akuza, procese gjyqësore, deri edhe së bashku nën torturat, hetuesitë, qelitë, birucat, pastaj dënimet, pushkatimet, burgime, sot gazeta do të rrëfejë për Engjëll Kokoshin, vëllain e Avdyl Kokoshit. Edhe ky i dënuar nga regjimi i egër, shoqëruar me vite pafund të kaluara në burgjet komuniste. Gjithçka nën një rrëfim, që për herë të parë, Qazim Kokoshi, djali Engjëllit, tregon ferrin, vitet e burgut, vuajtjet e të atit të tij, familjes, përndjekjet gjatë viteve të diktaturës: “Atë që kanë hequr ata, të tilla vuajtje, mos i provoftë askush”, thotë për gazetën “Panorama”. Të gjitha kujtimet i ka nga çfarë i ka treguar Engjëlli, shumë vite më vonë pasi kishte dalë nga burgu, ishte martuar dhe kur Qazimi, djali i tij i vetëm, që trashëgoftë emrin e gjyshit, ishte rritur dhe mund të fliste me të atin. “Babai, nga një antifashist i deklaruar, më pas i dënuar nga komunistët. Nga një familje patriotike, të gjithë përfunduan në burgjet e diktaturës”.
Z. Kokoshi, diçka për Engjëllin babain tuaj?
Në 1942 mbaroi shkollën e mesme Tregtare të Vlorës. Ka qenë i arrestuar një herë në kohën e fashizmit rreth 6 muaj, si antifashist. Kam një dokument që e tregon qartë urdhrin e dhënë prej karabinierisë italiane në Vlorë, ku shkruhet se “Ëngjëll Kokoshi rrjedh nga një familje nacionaliste. Ai është nipi i të njohurit Qazim Kokoshi, që ka marrë pjesë aktive në demonstratat, me një qëndrim të hapur antifashist”. Sidoqoftë, babai do te arrestohet në 29 Nëntor të vitit 1944, nga komunistët, mbahet rreth 6 muaj i burgosur, lirohet. Riarrestohet përsëri në 9 shtator 1946 dhe dënohet më 23 nëntor 1946 si armik i popullit dhe sabotator i pushtetit popullor me vdekje, kur ishte vetëm 24 vjeç. Kur i ka mbaruar gjyqi, siç e organizonin asokohe, e nxorën që ta shihte populli i Vlorës dhe banorët e lagjes, ku disa prej tyre bërtisnin: “Tradhtarët në litarë”. Me vendim te Gjykatës së Lartë Ushtarake, i kthehet dënimi me 25 vjet, ndërsa Avdyli, vëllai i tij, dënohet me grupin e deputetëve me vdekje, me pushkatim.
Jepet dënimi me vdekje, pastaj ndryshon, por vuajtje janë pa fund?
Fillimisht e dënuan me vdekje, dhe ashtu ka qëndruar në burgun e Vlorës, rreth 78 ditë në pritje për ta ekzekutuar, i lidhur këmbë e duar me skafandër në kokë. Në kohën që ishte dënuar e provokonin, me tortura nga më të ndryshmet. Njëra prej tyre ishte kur i shkonin në katër të mëngjesit në qeli, çohu i thoshin se të ka ardhur urdhri për t’u pushkatuar, duke e detyruar të hapte gropën, varrin e tij. Kjo disa herë, pastaj e kthenin prapë në qeli. Ia ndryshuan dënimin, me burgim të përjetshëm, ia kthyen me 25 vjet, pastaj në 17 vjet e tetë muaj, pjesën më të madhe, 15 vjet i ka kaluar në burgun e Burrelit. E filloi në Qytetin Stalin në kampet e punës, në ndërtimin e aeroportit, erdhi ca kohë në Tiranë, pastaj e çuan në Burrel, nga ku doli në vitin 1964.
Edhe patrioti Qazim Kokoshi, xhaxhai i tij, ishte në burg së bashku me Ëngjëllin?
Mbasi e kaloi gjithë ato peripeci, dhe pasi e njoftojnë, që të ka ardhur falja, ishte një oficeri që i thotë, meqë t’u fal jeta, çfarë do, kërko një gjë. E thjeshtë, iu përgjigj babai, dua të takoj Qazimin, xhaxhanë, që ishte në burg edhe ai në Vlorë. Ishte rreth 66 vjeç, u takuam, sa u çmallën, në ato momente ai vdes në duart e tij, aty ndërroi jetë.
Burgu i Burrelit ishte transformuar, kthyer si “shtëpi” për mbiemrin Kokoshi?
Përveç babait tim, ne burgun famëkeq te Burrelit ishin dhe tre pjesëtarë të tjerë të fisit Kokoshi, Kudret Kokoshi Jurist poet dhe perkthyes mbaruar ne Itali për drejtësi, arrestohet fillimisht nga Gestapo ne Prishtinë dhe me pas internohet në Mat’hauzen nga gjermanët, lirohet në dhjetor 1944, arrestohet ne Bari si antikomunist nga Brigadat e Kuqe dhe riatdhesohet në Shqipëri, në Tetor 1945 dënohet me 25 vjet si armik i popullit dhe sabotator i pushtetit popullor nga Gjykata Ushtarake e Vlorës nga të cilat kryen plot 19 vjet.
Një ngjarje tronditëse ajo me Fatoshin?
Fatosh Kokoshi, i biri i Qazim Kokoshit, jurist, në tetor 1947 dënohet 15 vjet si armik i popullit dhe sabotator i pushtetit popullor, mbasi kryen dënimin del nga burgu në gjendje të keqe shëndetësore. Ishte i martuar por nuk kishte fëmijë, dhe me shpresën se do të jetonte i bën një kërkesë babait tim, (ndërkohe babai im Engjelli kishte dalë nga burgu dhe kishte krijuar familje dhe ishte në pritje te lindjes time). “Ëngjëll, i thotë jo të parin por fëmijën e dytë do të ma japësh mua”? Fatoshit ia kishin prerë shpresat për të jetuar dhe babai për t’i dhënë sado pak gëzim në fund të jetës së tij (edhe pse nuk e kishte në plan punën e emrit) i thotë, Fatosh me lejen tende djalit qe lindi a mundet ti vendos emrin e Qazimit babait tënd? Ai u prek, iu mbushën sytë me lot dhe i dha miratimin, pas dy ditësh ndërroi jetë dhe motra, e tij, vajza e Qazim Kokoshit, njëkohësisht gruaja e Reshit Collakut, dëshmorit, duke e qarë i thoshte: “Vdiqe ti, por t’u ngjall babai, duke iu referuar emrit tim”.
Edhe Burimi, një tjetër Kokosh në burgjet komuniste?
Burim Kokoshi, arrestohet 17 vjeç, në nëntor 1946, Gjykata Ushtarake e Vlorës e deklaroi fajtor për “krimin e pjesëmarrjes në organizatën e Ballit Kombëtar, në operacionet kundër partizanëve dhe ka treguar aktivitet të gjerë reaksionar kundër pushtetit popullor”, duke e dënuar me 30 vjet burg, punë të detyruar dhe humbjen e të drejtave qytetare dhe politike për aq kohë.
Ka një detaj, që as për të vdekurit nuk i njoftonin familjarët?
Më 1947, kur i vdes nëna, Meshtane, e cila vuante nga astma, Ëngjëlli ndodhej në burg. Nezoja, gruaja e Avdylit, ndonëse në një situatë të vështirë, dhe që nuk ishte e lehtë të komunikoje me një të burgosur, i dërgon një letër ku e shpreh ngushëllimet, pasi në burg nuk i njoftonin për asgjë. Pas një kohe, babai i tij, Hasimi i shkon në burg, për ta pare Engjëllin e dërguar pak ushqim, ai e pyet: Si është nëna? dhe menjëherë i thotë: Pse nuk më ke thënë që ajo ka vdekur?. Asimi (babai I tij) me lot ne sy i përgjigjet: Më mirë të kisha vdekur unë, ajo mund të bënte pa mua, ndërsa unë nuk mund të bëj pa atë. Dhe pas disa vitesh, më 1953 edhe ai ndërroi jetë. Babai të dy prindërve nuk mundi t’i hidhte as dhe një grusht dhe.
Shumë vite të babait në burgun famëkeq të Burrelit?
Në burgun e Burrelit e provokonin, kur bënin inspektime, ai reagonte ashpër. I hiqe batanijen ja I thoshte kushtet ku ne jetojmë, skandaloze, 6 muaj pa ilaçe, 70 vetë në një dhomë. E merrni dhe e mbanin 30 ditë në qeli. Kur halla shkonte për ta parë në burg, i thoshin: “Thuaj vëllait të mos i jep gojës, që ishte një sinjal për ta përcjellë babait”.
Në burg edhe me një italian, Teruzzi.
Me babain, në burgun e Burrelit ka qenë edhe italiani Xhiuzepe Teruzi, kunati i Xhiakomino Pozelit, ish-portierit të kombëtares. Teruzi ishte martuar me Aurellia Poselli një vajzë e bukur italiane, madje thonë se Enver Hoxha e pëlqente, por ajo e refuzonte. Ishte kjo arsyeja që ai morri hak, e dënoi, fillimisht me vdekje Xhiuzepen, pastaj me 20 vite burg, ku ai vdiq në Burrel, më 1952. Ka qenë në një qeli me babain dhe Petrit Velajn. Pozeli u kthye në Tiranë më 1993, bashkë me nipin, takoi Ëngjëllin dhe shkuan në Burrel, në kërkim të eshtrave të Teruzit. Bënë kërkime, te qershiza siç i thoshin, i njohur si vendi ku varrosnin ato që vdisnin në burg, ku sot është stadiumi, por, nuk arritën të gjenin asgjë, asnjë gjurmë nga eshtrat e të atit.
Del nga burgu, nis një tjetër jetë, ndonëse në liri, por e vështirë?
Doli nga Burreli, gjëja e parë nuk kishte ku të shkonte, e vetmja mundësi ku mund të sistemohej ishte Dinushi, vëllai i tij. Dinushi edhe pse nuk u burgos i pati vuajtjet njësoj si babai im, nuk lanë vend pa e dëbuar, nga Rrogozhina në zonat e thella të Pukës dhe së fundmi banonte në Elbasan në një bodrum së bashku me gruan dhe tre fëmijët e tij. Kishte mbaruar për Financë në Beograd dhe punonte në fabrikë të çimentos në Elbasan. Tek i vëllai qëndroi 5-6 muaj. Punonte dy muaj në një vend e tre muaj në një tjetër ku të gjente punë nga më të rëndat, të vështirat, nga më të ndryshmet.
Vjen njohja, martesa me gruan, mamanë tuaj, lindët ju?
Me pas u njoh me nënën time që edhe ajo rridhte nga një familje atdhetare dhe me tradita me origjinë nga Delvina me mbiemër Hado, e persekutuar me babain dhe vëllain të burgosur, u martuan, kur babai ishte 44 vjeç, edhe mamaja 35. Në vitin 1967 linda unë, mbas shume peripecish u vendosën ne Shijak ku banonte një vëlla i nënës time. Fillimisht nuk i jepnin as leje banimi. Ne Shijak banonin dhe shume familje te tjera të persekutuara, mbiemra të njohur si Kosmaci, Runa, Leskaj etj., që kishin ardhur aty si të internuar dhe të dëbuar nga vendet e tyre. Dua të theksoj se pothuajse të gjithë banorët e Shijakut dhe pse e dinin të shkuarën e prindërve t mi gjithmonë i kanë mbështetur dhe i kanë përkrahur.
Cilat ishin marrëdhëniet e Kokoshve gjatë persekutimit të tyre?
Nezoja, gruaja e Avdylit e mbante gjallë Ëngjëllin, ishte ajo që i dërgoi letrën në burg, kur i vdiq nëna. I shkruante vazhdimisht, edhe kur ndodhej në burgun e Burrelit. Një të tillë ka mundur ta ruajë, me një foto të Artanit dy vjeç që mamaja e tij, ja ka dërguar babait në burg. Është shkurt i vitit 1948, ku i thotë: “Xhaxhi Ëngjëllit, që të më ketë gjithmonë pranë”, Artani. Edhe më vonë, kur doli nga burgu, Ëngjëlli u interesonte, mbante kontakte, kur shkonte në Shkodër, kur punonte në ndërmarrjen e tensionit të lartë, takonte, Nezihanë, Artanin. Edhe halla, Burbuqja, gjithashtu.
Jepet lajmi për ekzekutimin, pushkatimin e Avdyl Kokoshit, nuk i lejojnë as ta qajnë?
Kur e pushkatuan Avdylin, i njoftuan “ejani të merrni rrobat”. Vetëm ato i dhanë familjes. Siç ishte zakoni hapen dyert e mortit te shtëpia e Ali Asllanit, që rrinte në Tiranë. Aty u mblodhën motrat, gratë e fisit, dhe filluan ta qanin me ligje sipas zakoneve Avdylin, ndonëse pa trupin, kufomën e tij aty. Por dhe për këtë i ndaluan: “Nuk lejohet, ai është tradhtar nuk mund ta vajtoni” i urdhëruan.
Pse babai nuk u kthye në Vlorë?
Nuk u kthye në Vlorë, se në Vlorë nuk kishte mbetur asnjë nga familja. I kishin sekuestruar gjithçka kishin. Kur i përzunë nga Vlora dhe bastisën shtëpinë, arritën deri aty që dhe gjellën që po gatuhej mbi sobë e morën. Avdyli ishte i martuar, kishte sjellë një dhomë gjumi nga Italia, të cilën e morri Josif Pashko dhe deri në fund të viteve ’90 e ka pasur i biri tij në shtëpi. Edhe sot, në Vlorë nga trungu i gjyshit tonë nuk ka mbetur asnjë, nuk jeton askush aty. Ne, nipërit, fëmijët e tyre kemi kohë qe jetojmë në Tiranë, Elbasan, Itali e Kanada.
Edhe familjarë, të afërm, të gjithë në burgje dhe të internuar?
Nga familja, ishte edhe halla, e dyta Burbuqe që e vuajti shumë, pasi burrin e saj, Shefki Minarolli, e dënuan me 20 vite burg me gjyqin e deputetëve dhe një pjesë të dënimit ka qenë me Engjëllin, në burgun e Burrelit. Edhe halla e madhe Qanija e martuar me Ali Asllanin, Kryetari i parë i Bashkisë Vlorë, Ambasador në Athinë, Sofje etj., poet, publicist, njeri i njohur në Tiranë e më gjerë. Nuk bëri burg, por nuk i jepnin as një pension minimal edhe pse ka qenë nëpunës i lartë shteti. Atë që kanë hequr ata, të tilla vuajtje, persekutime, dënime mos i provoftë askush.
Ka një keqardhje nga ju?
Ironia më e madhe sot nga të dyja kahet politike është se mungon respekti, vlerësimi për kontributin patriotik që ka dhënë ky mbiemër në Vlorë. Për dënimet, vuajtjet e kësaj familjeje, do më vinte mirë sikur të shikoja qoftë dhe një emër rrugë me mbiemrin e familjes tonë në Vlorë.