Një ditë pas protestës së opozitës në kryeqytet, policia e Tiranës ka arrestuar 5 persona, shpallur në kërkim dy të tjerë dhe ka proceduar penalisht sekretari organizativ të PD-së, Enno Bozdon.
Ndërkohë që të arrestuarit akuzohen për “Shkatërrim prone” “Mosbindje ndaj urdhërit të policisë rendit publik”, “Prishje e qetësise publike“, mbi Bozdon rëndon akuza e “Organizmimit dhe pjesmarrjes në grumbullime, manifestime të paligjishme”.
Në një njoftim për mediat, policia e Tiranës njofton se “protesta ka devijuar itenerarin e paracaktuar, duke u përshkallëzuar në veprime të dhunshme, me dëmtim të hyrjes, fasadës, thyerjes së disa xhamave të objektit të Kryeministrisë, prishjen dhe shkatërrimin e objektit në ndërtim muzeal “Bunkeri” i cili gjendet pranë godinës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe janë thyer xhamat e dritareve të Ministrisë së Transporteve dhe Infrastrukturës”.
Nisur nga kjo situatë, Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Tiranë, e cila udhëzoi dhe drejtoi veprimet, ka nisur procedim penal për organizatorët e këtij tubimi:
– Enno Bozdo, 43 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Organizmim dhe pjesmarrje në grumbullime, manifestime të paligjishme”, (Neni 262 i K.Penal)
– Besim Ndregjoni, 62 vjeç , banues në Tiranë, për veprën penale “Thirrje publike për kryerjen e veprimeve te dhunshme”, (Neni 223 i K.enal)
– I.V, 41 vjeç , banues në Tiranë, për “Mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit rendit publik“, (Neni 242 i K.Penal)
Gjithashtu u arrestuan në flagrancë këta shtetas për veprat penale “Shkatërrim prone”, “Mosbindje ndaj urdhërit të policisë rendit”, “Prishje e qetësise publike“:
– Aurel Filaji, 23 vjeç banues në Tiranë
– Suzana Dimushi, 37 vjeç , banues në Tiranë
– Xhulian Calai, 23 vjeç, banues në Durrës
– Arben Hajdari, 43 vjeç , banues në Tiranë
– Andi Kuka, 22 vjeç , banues në Tiranë.
Ndërkohë janë shpallur në kërkim për veprat penale “Shkatërrim prone”, “Mosbindje ndaj urdhërit të policisë rendit publik”, “Prishje e qetësise publike“, shtetasit e mëposhtëm:
– F. L, 44 vjeç , banues në Tiranë, i dënuar më parë.
– G. Gj, 27 vjeç , banues në Tiranë.
Nga ana e Prokurorisë dhe Policisë është bërë kqyrja e vendit të ngjarjes, sekuestrimi i provave materiale, sekuestrimi i pamjeve filmike dhe vazhdon puna hetimore për dokumentimin e plotë dhe vënien para drejtësisë të gjithë personave të përfshirë në këtë ngjarje.
Komentet