Viti 1972 ishte një periudhë shumë e keqe për qeverinë e Enver Hoxhës. Në këtë vit nisi krisja e marrëdhënieve të Shqipërisë me disa vende aleate si Kina apo Koreja e Veriut. Gazeta publikon disa dokumente ku tregohet tensionimi i bashkëpunimeve.
04 mars 1972
Raport nga Etre Sandor mbi bisedën mes Pak Song-Çol dhe Friges Puja në Budapest, në lidhje me vizitën e presidentit amerikan Nikson në Kinë, marrëdhëniet koreano-sovjetike dhe koreano-kineze. Më 29 shkurt 1972 shoku Friges Puja i shoqëruar nga shoku Pak Seong Çol, drejtues i delegacioni qeveritar korean, bënë një vizitë në zonat rurale. Gjatë rrugës së tyre drejt Tihanit, Seong Çol dhe Puja këmbyen disa opinione mbi çështjet e iniciativës së partisë koreane. Përveç Seong Çol nuk ishte prezent asnjë korean tjetër apo përkthyes në makinë. Biseda u përkthye nga prezantuesi Entre Sandor. Në lidhje me vizitën e presidentit Nikson në Kinë, shoku Pak ishte i interesuar nëse Puja kishte lexuar deklaratën e përbashkët amerikano-kineze mbi vizitën e Nikson dhe nëse i kishte ndjekur reagimet ndërkombëtare. Pasi mori një përgjigje, Pak citoi diçka nga Kim Il Sung dhe tha se për amerikanët nuk ka asgjë të veçantë nga vizita e Nikson në Kinë. Kjo vizitë është një disfatë për amerikanët. Para se vizita të ndodhte mbi të bëheshin shumë spekulime por pas deklaratës së përbashkët, të gjitha hipotezat rezultuan të pabaza. Përse duhet të ketë ndonjë gjë të jashtëzakonshme nga vizita e Nikson në Pekin, kur këtë vit ai ka vizituar edhe Moskën? Në përgjigjen e tij shoku Puja komentoi dhe për motivet anti-sovjetike të vizitës apo motive të avancimit të lidhjeve Kinë-SHBA. Shoku Pak shprehu opinionin dhe për disa çështje të lidhura me këtë.
Marrëdhëniet kinezo-sovjetike
Shoku Pak Seung Çol theksoi se është e rëndësishme të merret parasysh dhe opinioni i shokëve kinezë. Këta të fundit pretendojnë se nuk dëshirojnë të vihen kundër sovjetikëve, ndërsa sovjetikët pretendojnë të kundërtën. Është e vështirë të sqarohen disa opinione kur janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Udhëheqësit koreanë kërkojnë të ruajnë marrëdhënie të mira si me Kinën dhe me BRSS apo vende të tjera socialiste. Korea po përballet drejtpërdrejti me armikun e saj SHBA dhe nuk kërkon të humbasë aleatë, prandaj mes Kinës dhe BRSS qëndrimi i saj do të jetë vetëm neutral. Koreanët mendojnë vetëm me kokën e tyre dhe jo me të tjerëve. Shoku Pak tha më tej se gjatë revolucionit të madh kulturor në Kinë, kinezët “na kritikonin pak” por që prej atëherë konflikti mes tyre ishte zgjidhur. Mosmarrëveshjet kryesore mes Kinës dhe Koresë ishin ato mbi sulmet e hapura kundër udhëheqjes sovjetike. Koreja nuk e konsideron Bashkimin Sovjetik “social-imperialist”, prandaj ishte e pamundur të bihej dakord me kërkesat e Kinës, veçanërisht për mosmarrëveshjet që po dilnin në sipërfaqe, të cilat mund të favorizonin armikun. Udhëheqësit koreane i kërkonin udhëheqësve kinezë të përmbaheshin nga fjalimet e hapura kundër BRSS gjatë vizitave të tyre ne Penian dhe një kërkesë të ngjashme ata e bënin dhe ndaj udhëheqësve sovjetikë, nëse vizitonin Penianin. Ndërsa si kinezët dhe sovjetikët i kërkonin Penianit të autorizonte botimin e artikujve të tyre në gazetat vendase. Koreanët nuk e pranuan këtë prandaj në shtypin korean nuk gjeje asnjë artikull apo deklaratë anti-sovjetike dhe anti-kineze, tha ambasadori. (Shënim: Kjo nuk është e vërtetë pasi revista teorike kineze Flamuri i Kuq shitej në Penian, kurse ajo sovjetike Komunisti, nuk gjendej atje.) Koreanët dëshirojnë që Kina dhe BRSS të gjejnë një marrëveshje për çështjet e tyre konfliktuale, pasi kjo do të kishte shumë avantazhe për Korenë. Edhe hungarezët i kanë kërkuar udhëheqjes koreane, prej lidhjeve dhe qëndrimit të tyre të favorshëm, të ndihmojnë në përmirësimin e lidhjeve Kinë-BRSS. (Shënim: Sipas Pak kjo kërkesë është bërë nga shoku Losonxi, por në të vërtetë është bërë nga shoku Gaspar). Pak vazhdoi më tej: “Ata nuk mund ta bëjnë këtë, pasi nuk e dinë se cili ka të drejtë në debat dhe të dyja partitë ia hedhin fajin njëra-tjetrës. Sovjetikët sulmojnë dhe shajnë kinezët dhe kinezët bëjnë të njëjtën gjë. Kurse hungarezët dëgjojnë vetëm palën sovjetike, ndryshe nga koreanët që i dëgjojnë të dyja palët”. Shoku Puja tha: Gjithsesi nuk jemi ne por kinezët që na sulmojnë me akuza revizioniste edhe refuzojnë përmirësimin e marrëdhënieve. Shoku Pak tha se kjo është pune e brendshme e Hungarisë. “Negociatat në Pekin për kufirin veriore Kinë-BRSS nuk po vazhdojnë pasi sovjetikët nuk pranojnë kushtet e Kinës, pra që ata të tërhiqen me forcat e armatosura nga kufiri dhe të mos ushtrojnë presion ndaj kinezëve. Sovjetikët pretendojnë krejt të kundërtën. Është e vështirë të gjykosh me saktësi se kush ka të drejtë. Unë kam vizituar personalisht të dyja anët e kufirit të debatuar mes Kinës e BRSS dhe nuk munda të arrij në një konkluzion mbi konfliktin. Por në të njëjtën kohë nuk besoj se kinezët mund të bashkojnë forcat me SHBA për këtë çështje, kjo nuk mbështetet nga asnjë fakt. Dhe në të vërtetë Korea është e gatshme të luftojë si përkrah Kinës dhe përkrah BRSS. Një artikull kinez i vitit të ri thotë se Kina marshon përkrah Koresë e Vietnamit në luftën kundër imperializmit amerikan, por gjithashtu lufton përkrah Shqipërisë kundër social-imperializimit. Kjo është mbështetur edhe nga lideri korean si politika e vërtetë e Kinës.”
Vietnami
Në lidhje me çështjen e Vietnamit, shoku Puja përmendi pengesat që Kina ka ngritur për vende që duan të ndihmojnë Vietnamin, ndërsa Pak Seong Çol u përgjigj se e kishte studiuar këtë çështje dhe nuk kishte gjetur asnjë provë që Kina kishte ngritur qëllimisht pengesa për vendet e tjera që duan të ndihmojnë Vietnamin. Ai shtoi se këto vështirësi lindnin prej pamundësisë në kapacitetet e trenave kinezë. Koreja kishte dërguar nga ana e saj ndihma për Vietnamin, dhe kur shokët vietnamezë kishin kërkuar vullnetarë, Koreja kishte dërguar pilotë që kishin marrë pjesë në fluturime, të veshur me uniforma vietnameze. Kina nuk e kishte parandaluar këtë, edhe pse pilotët kishin udhëtuar përmes territorit të saj. Shoku Puja tha se Hungaria nuk kishte dërguar vullnetarë pasi vietnamezët nuk kishin kërkuar, por gjithsesi kinezët kishin lejuar vullnetarët koreanë por ata nuk do të bënin të njëjtën gjë me vullnetarët nga vendet socialiste evropiane. Ai shtoi se vietnamezët nuk kishin nevojë për njerëz, por qëllimi i rezistencës së tyre ishte të tregohej rezistenca e bashkuar e vendeve socialiste. Ndaj kësaj Pak u përgjigj se askush nuk i di të gjithë faktet se përe vietnamezët nuk po marrin ndihma në njerëz. As Bashkimi Sovjetik dhe as vende të tjera socialiste nuk dëshironin të dërgonin njerëz në Vietnam, e ndoshta as kinezët. Koreanët ishin të vetmit që kishin ndihmuar Vietnamin, jo vetëm me premtime por me veprime konkrete dhe vullnetarë. Pasi shoku Puja aprovoi bashkëpunimin e Koresë me Vietnamin dhe politikat e saj të përshtatshmërisë, shoku Pak nuk e vazhdoi më bisedën për këtë çështje.
Shqipëri-Kinë
Në lidhje me marrëdhëniet shqiptaro-koreane, Pak tha se udhëheqja koreane i ka kërkuar udhëheqjes shqiptare të mos dërgojë letra urimesh me përmbajtje anti-sovjetike, dhe në fjalimet e tyre në Penian gjithashtu të mos sulmojnë vende të tjera socialiste. Por megjithatë shqiptarët mbajtën një fjalim në kongresin e rinisë në 1971 që përmbante disa pjesë anti-sovjetike, të cilat nuk u përkthyen nga përkthyesit koreanë. Për këtë dhe për kërkesat e letrave, pala shqiptare proteston vazhdimisht me zyrtarët koreanë. Koreanët besojnë se udhëheqësi shqiptar Enver Hoxha është një budalla që nuk mund të mbajë vendin e tij, por shpërndahet në shumë çështje njëherësh, gjë që nuk ka logjikë.
Situata në Kore
Në lidhje me situatën e brendshme koreane, Pak tha se partia atje vazhdon përpjekjet për ndërtimin e socializmit, dhe prej situatës së vështirë ata nuk mund të bëjnë asnjë moment pushim. Vitet e fundit ka gjithnjë e më shumë njerëz që shikojnë me nostalgji kohët e vjetra, dhe ish-pronarët mezi presin rastin të rikthehen në pushtet për të marrë pronat e humbura. Njerëzit janë të lodhur me gjendjen e vështirë ekonomike dhe mendojnë vetëm për lumturinë e tyre personale. Por shoku Kim Il Sing ka mbajtur së fundmi një fjalim për këtë, ku deklaroi se të gjithë duhet të armatosen me ideologjinë e unifikuar të partisë, dhe shoqëria të revolucionarizohet. Revolucionarizimi do të thotë që të gjithë duhet të punojnë dhe të jetojnë në mënyrë revolucionare, si dhe të marrin pjesë aktive në revolucion. Çdo anëtar i shoqërisë duhet të armatoset me idealet e klasës punëtore dhe të veprojë sipas tyre. Ndërsa edukimi i të rinjve është një problem më vete. Për të arritur objektivat e mësipërme Koreja po rishkruan të gjithë librat e arsimit që prej shkollave elementare deri te universitetet. Ne gjithashtu po kryejmë revolucionin tonë kulturor, por në mënyrë më të zgjuar sesa fqinji ynë Kina, tha Pak Seong Çol. Qilimi kryesor i lëvizjes koreane është ngulitja e ideve revolucionare dhe koncepteve të udhëheqjes dhe Kim Il Sung, në kokën e gjeneratës së re dhe asaj në rritje, me qëllim përfundimin e ndërtimit të socializmit me metodat e caktuara tashmë. Por natyrisht që kjo nuk është një detyrë e thjeshtë, prandaj dhe Koreja po forcon jetën e organizuar mes të rinjve dhe punëtorëve. Në lidhje me Hungarinë, Pak Seong Çol tha se nuk e kuptonte arsyetimin për nevojën e zhvillimit të turizmit. Sipas tij vizitat e turistëve perëndimorë në vend ndihmojnë vetëm në përhapjen e ideve borgjeze, prandaj hapjet ndaj Perëndimit janë shumë të rrezikshme. Duke përmendur shembullin e Çekosllovakisë, ai paralajmëroi se turizmi perëndimor ndihmon vetëm që njerëzit të shikojnë vetëm dollarë para syve të tyre, në një kohë kur ideologjitë tona nuk mund të këmbehen me dollarë. Ai tha se gjithmonë duhet të llogaritet se mes çdo 10 turistëve perëndimore, 2 deri në 3 janë spiunë. Puja u përgjigj se mbyllja e Hungarisë para vitit 1965 nuk e shpëtoi dot vendin nga kundër-revolucioni dhe se është e pamundur mbyllja e plotë e kufijve të vendeve socialiste të Evropës. Shoku Pak nuk u përgjigj. ak tha se nuk e kuptonte politikën e fesë dhe të kishave në Hungari. Nëse priftërinjtë mund të predikojnë çdo ditë në kisha përse këtë mund ta bënin sekretarët e partisë, pyeti ai me shaka por gjithashtu me kritikë. “Me sa duket populli hungarez dëgjon priftërinjtë që predikojnë për idealizimin fetar, dhe nuk dëgjojnë fjalët e partisë. Ata njohin më mirë kishën sesa deklaratat e komitetit qendror. Përse nuk e ndaloni predikimin, ose të paktën të lejoni që sekretarët e partisë të informojnë njerëzit për politikat e partisë pas meshës? Si kërkojnë hungarezët të ndërtojnë socializmin në këto kushte? Njerëzit duhet të dëgjojnë fjalën e partisë dhe jo gënjeshtrat e Kishës, tha Pak, i cili më tej dëgjoi dhe nuk kundërshtoi shpjegimet e shokut Puja për politikat e kishës dhe marrëdhënien e vendit me Vatikanin. Me gjithë opinionet e ndryshme për disa çështje, biseda mes shokut Pak Seong Çvol dhe shokut Puja u zhvillua në një atmosferë miqësore. Pas bisedës këshilltari i parë i ministrisë së Jashtme dhe shoku Pak Seong Çol ftuan shokun Puja për një vizitë në Kore. Budapest, 4 mars 1972.
4 shkurt 1972
Informacion mbi bisedën e atasheut ushtarak sovjetik në Korenë e Veriut dhe ambasadorit bullgar, mbi Shqipërinë. Janakiev e Bulanov diskutojnë marrëdhëniet e Shqipërisë me Korenë, Kinën, BRSS dhe marrëdhëniet kino-koreane. Shoku ambasador, siç u kërkua nga ndihmës-atasheu ushtarak në ambasadën sovjetike, major Bulanov, unë sot me lejen tuaj vizitova atasheun e ambasadës shqiptare në Penian, Kosta Çifliku. Gjatë diskutimit ne këmbyem opinione për disa çështje, për të cilat ai shprehu pikëpamjet e mëposhtme: Në lidhje me marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Koresë, ai mendon se gjatë vitit të kaluar 1971, ato janë zhvilluar, edhe pse jo në mënyrë të konsiderueshme. Një delegacion i organizatës së të rinjve shqiptarë vizitoi Korenë e Veriut për të marrë pjesë në kongresin e gjashtë të të rinjve socialistë koreanë. Në delegacion përfshihej dhe një grup specialistësh që vinin për të studiuar prodhimin korean të mishit të pulës, me qëllim blerjen e pajisjeve për një fabrike pule. Ndërsa një ftesë e dërguar për partinë koreane nga Shqipëria për të marrë pjesë në kongresin e partisë së Shqipërisë, u refuzua nga Koreja për arsye të “disa rrethanave të veçanta”. Në një kontratë tregtare të vitit 1972 parashikohej një rritje prej 20 për qind e import/eksporteve mes dy vendeve duke arritur në rreth 1 milionë rubla në të dyja drejtimet. Gjatë negociatave të nënshkrimit, të dyja vendet shprehën interes në zgjerimin e marrëdhënieve tregtare, por një nga pengesat në këtë drejtim ishte çështja e transportit. Për arsye të masës së vogël të mallrave shqiptarët nuk kishin interes të dërgonin anijet e tyre në republikën demokratike të Koresë, prandaj mallrat duhet të dërgoheshin me tren deri në portet kineze. Në përgjigje të pyetjes sime mbi marrëdhëniet kinezo-shqiptare dhe qëndrimin e Shqipërisë në lidhje me vizitën e presidentit Nikson në Kinë, Kosta Çifliku tha sa më poshtë: “Marrdhëniet mes nesh nuk kanë ndryshuar. Meqenëse Shqipëria e konsideronte vizitën e presidentit Nikson në Kinë si një çështje e brendshme e kësaj të fundit, ne nuk bëmë një deklaratë publike. Asgjë nuk u përmend mbi këtë çështje as në kongres”. Pyetjes sime në lidhje me perspektivën e normalizimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, ambasadori tha se kjo çështje është qartësuar nga udhëheqësi Enver Hoxha në Kongres. Bashkimi Sovjetik ka ekspozuar mënyra për normalizimin e marrëdhënieve por tentativat kanë rezultuar të padobishme.
Marrëdhëniet kinezo-koreane
Ambasadori shqiptar tha se këto marrëdhënie po zhvillohen me shpejtësi dhe duket se i kanë kaluar dhe ato mes Koresë dhe BRSS, me gjithë pretendimet se Koreja po përpiqet të ruajë njëfarë balance mes lidhjeve me Kinën dhe atyre me Bashkimin Sovjetik. Sipas tij progresi i shpejtë në marrëdhëniet kinezo-koreane nuk po ndodh në kurriz të marrëdhënieve të Koresë me BRSS. Unë e pyeta nëse ka informacione më specifike mbi marrëdhëniet Kinë-Kore, dhe ai deklaroi se kinezët nuk i tregojnë shumë zhvillime prandaj nuk ka di për gjëra specifike. Ai shtoi se ambasada kineze është e shumë e interesuar në vizitat e delegacioneve koreane, të kryesuara nga Pak Seong Çeol, Jeong Jun Tek dhe Deo Ham, në vendet lindore socialiste evropiane. Ata interesohen se cilat delegacione vizitojnë vende të caktuara. Unë e pyeta nëse ndonjë nga këto delegacione do të vizitojë Shqipërinë, Kinën apo Jugosllavinë. Ai u përgjigj se deri tani koreanët nuk kishin diskutuar për gjëra të tilla. Ai gjithashtu nuk dinte asnjë dhe një lidhje me vizitën në Jugosllavi. Ai thga se kishte zhurma se një delegacion i lartë korean do të shkonte për vizitë në Kinë, por nuk dinte asgjë më specifike.
Në lidhje me ngjarjet në Kinë
Ai tha se beson se në udhëheqje ka kontradikta, dhe tha se beson se Liu Shaoqi është gjallë. Nuk tha asgjë specifike për Lin Biao, përveçse kishte si qëllim të largohej nga vendi, por nuk kishte qenë në avionin që u rrëzua në Mongoli. Sipas tij ka më shumë gjasa që në avion të ketë qenë ish-gjenerali i ushtrisë Xian Jun Shen. Ai nuk iu përgjigj komentit tim se sipas shtypit britanik ka qenë CIA që ka ndihmuar në zbulimin e grupit të Lin Biao-s. Mbi çështjen e propozimit të Kim Il Sung për bashkimin paqësor të Koresë, ai tha se ky është një rezultat i ndryshimit të qëndrimit të Kinës për këtë çështje, pasi deri pak më parë ata kishin insistuar për zgjidhjen e problemit me mjete ushtarake. Unë nga ana ime e informova për marrëdhëniet bullgaro-koreane, duke theksuar lidhjet ekonomike dhe delegacionet e shumta që kanë vizituar republikën demokratike të Koresë. Në fund i më kërkoi nëse e kisha broshurën e ndryshimeve ligjore të aprovuara në Kongresin e Pestë, për ta konsultuar, ose që unë t’i thosha se cilat ishin ndryshimet kryesore që ishin aprovuar. Unë i thashë se nuk e kisha por nëse do të mësoja diçka apo nëse e gjeja libretin do t’ia kaloja. Meqenëse Çifliku dhe unë e njohim njëri-tjetrin që prej viteve të universitetit, takimi kaloi pa provokime nga asnjëra palë. Gjatë bisedës ai përpiqej shumë që të dukej sa më i sinqertë, kryesisht për shpjegimet se ambasada kineze nuk e informonte për asgjë. Sigurisht që diçka e tillë mund të merret vetëm si hipotezë. Por bashkë me këtë kishte një ndjesi se ai nuk dëshironte të fliste në më shumë detaje për marrëdhëniet Kinezo-Koreane dhe Kinezo-Shqiptare.
Komentet