Pas Ardian Fullanit ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë që u dëmshpërblye me 56 paga mujore nga gjykata administrative e Apelit, kjo gjykatë ka vendosur të dëmshpërblejë me pagesa financiare dhe Dëshira Subashin.
Ish-nën/kryetarja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Dëshira Subashi, ka arritur të fitojë procesin gjyqësor me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, duke fituar 37 pagesa mujore, raporton Shqiptarja.com.
Vendimi për dëmshpërblimin e ish-qjyqtares Subashi është marrë nga gjyqtari Bari Shyti, i cila ka pranuar pjesërisht kërkesën e Subashit, duke dëmshpërblyer atë me 37 paga mujore.
Sipas vendimit të gjykatës Subashi do paguhet nga buxheti financiar i KLD, për periudhën kur ajo duhet të ishte anëtare e KQZ. Dhe më konkretisht pagesat mujore duhet të fillojnë nga 1 janari 2013 deri në 30 janar 2016, kohë kjo kur Dëshira Subashit i përfundonte mandati si anëtare e KQZ.
37 pagesa të kryhen për 6 muaj
Tre vite më parë Subashi i është drejtuar me një padi gjykatës administrative të Tiranës, duke kërkuar nga KLD që ta rikthente në vendin e punës ku ka qënë, si gjyqtare e Apelit Tiranë. Në objekt padinë e ngritur kërkohej: .”..konstatimi i diskriminimit ndreqje e shkeljes se ligjit shpërblim dëmi material dhe moral. Të detyrohet Këshilli i Lartë i Drejtësisë të marrë në shqyrtim kërkesën dhe të vendosë emërimin e paditëses në detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Apelit Tiranë…”. Nga ana tjetër gjykata Administrative ka rrëzuar kërkesën e saj për dëmshpërblim të dëmit material dhe moral, por ka pranuar të dëmshpërblejë Subashin vetëm me kohën kur ajo duhet të ishte në detyrë.Në vednimin e gjykatës thuhet:“…Detyrimin e palës së paditur, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, të dëmshpërblejë paditësen Deshira Subashi,për dëmin pasuror të shkaktuar,duke i kompesuar pagën mbi pagën e përfituar në zbatim të nenit 7 të ligjit nr 8097 dt 23.03.1996 , deri në nivelin e pagës referuese të funksionit si nënkryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për periudhën 01.01.2013 deri 30.01.2016. Rrëzimin e padisë në kërkimet e tjera. Ky vendim përbën titull ekzekutiv dhe ekzekutohet nga përmbaruesi gjyqësor në rast mospërmbushje vullnetare të detyrimit nga pala e paditur. Afati i përmbushjes së detyrimit është 6 muaj…”.
KLD ka refuzuar emërimin si gjyqtare
Më 18 tetor 2012 në Kuvendin e Shqipërisë u betuan Kryetarja dhe anëtarët e rinj të KQZ-së. Kjo do të thoshte se që nga kjo datë, ish-anëtarët e KQZ-së, si edhe ish-Kryetari i saj, duhet të ishin sistemuar në punë të reja.Sipas kodit zgjedhur të vitit 2012, anëtarit të KQZ-së, të cilit i ndërpritet mandati, kthehet në funksionin publik të mëparshëm, ose emërohet në një funksion ekuivalent me të. Ish-kryetari i KQZ-së, Arben Ristani është emëruar zv/ministër i Brendshëm, ndërsa ish-anëtari i KQZ-së, Artan Lazaj, është emëruar nga KLD-së, jo në vendin e mëparshëm, gjyqtar në Gjirokastër, por në vendin ekuivalent me të, gjyqtar në Gjykatën e rrethit Gjyqësor Tiranë.
E vetmja, që deri tani nuk është emëruar, është ish-anëtarja e KQZ-së, Dëshira Subashi. Para se të fillonte punën në KQZ, Dëshira Subashi ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë. Në momentin e kërkesës kanë ekzistuar dy vende vakante në këtë gjykatë, që prej disa muajsh KLD-ja i kishte publikuar si vende vakante. Në atë mbledhje të KLD-së, ku u emërua Artan Lazaj, KLD-ja bëri dhe riorganizimin e gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apelit dhe emri i Dëshira Subashit nuk u diskutua fare.
Komentet