Rrëfimet e shkrimtarit të njohur Petro Marko, ish-luftëtari i Brigadave Internacionaliste në Luftën e Spanjës në vitin 1936, dhe më pas edhe i rezistencës antifashiste në Tiranë, tregon prapaskenat e asaj që njihet si Lufta Nacionalçlirimtare dhe pse Koçi Xoxe urrente Enver Hoxhën?! Porosia e Sejfulla Maleshovës: “Kjo është parti terroriste, mos hap gojën, se do e pësosh…”! Përse u dënua Petro Marko dhe kush ishin ata që i’a përgatitën arrestimin dhe kush e ndihmoi pas daljes nga burgu, etj. Pjesë të zgjedhura nga libri “Intervistë me vetveten”, i shkrimtarit të njohur shqiptar Petro Marko, i botuar në fillim të viteve ’90-të pas shembjes së regjimit komunist, libër i cili pati një jehonë të madhe në shtypin e kohës, pasi u botua dhe ribotua disa herë, duke shënuar një rekord shitjesh.
ROMANI TJETËR “ÇIKA E SHTEGTARIT”
Në vitin 1980, disa zyrtarë, më sugjeruan që të shkruaja një roman në formë autokritike, për qëndrimin tim ndaj edukimit moralo-politik të rinisë dhe pastaj atë, ta paraqitja në Komitetin e Partisë. Kjo do të ishte forma që do të mund të më rehabilitonte, si shkrimtar dhe si prind, mbas lirimit me kusht të djalit nga burgu.
U ula, krijova personazhet, situatat në të cilat do të kalonin ato; personazh kryesor, vura veten, si shkrimtar. U mundova që nga faqja e pare, deri tek e fundit, të isha në pozita siç kërkohej. Por më lindi ideja, që krahas këtij krijimi të porositur, të vija po ato personazhe, si dhe veten time, jo në mënyrë fare të hapur, por afërsisht ashtu, siç mendoja unë, në një variant tjetër. Romanin e parë e dorëzova, kurse të dytin e futa në depo me dorëshkrimet e mia.
S’prita shumë dhe mora përgjigjen negative: romani është i pabotueshëm. E para herë që nuk u hidhërova. Përkundrazi. Dhe tani që kohët me sa duket po ndryshojnë dhe sistemi diktatorial do të përmbyset, shpresoj të shërohem përsëri, e të jetoj – kur them të jetoj, nënkuptoj të punoj – dhe midis planeve që më mbeten për të realizuar, është që edhe këtij romani, t’i hyj përsëri, kësaj radhe të shkruaj pa gjerdhe. Tani jam pak më i qetë, se në kopjen e dytë, kam arritur të bëj ato ndryshime të domosdoshme, të cilat i bluaja në kokë, duke ia diktuar Arianitës.
“RETË DHE GURËT”
Ëndrra ime si krijues. Deri më sot e parealizuar. Të them se nga e mora këtë titull, për veprën time ende të pashkruar: nga rrëfimet e gjyshes sime të mirë, mama Milles, e cila më rriti. Rrëfente ajo:
“Thonë se gurët e mëdhenj atje poshtë
në Shënmën, janë burrat që janë kthyer
dhe kanë vdekur në vend. Po të jesh trim
zemërbardhë, e po të shkosh andej natën,
i dëgjon të dëftejnë historitë e tyre.
Po të jesh frikacak e zemërlig, nuk i dëgjon dot.
Kurse ata burra që kanë ikur dhe kanë vdekur
në kurbet, janë bërë re…! Vijnë qajnë dhe ikin
(Edhe im shoq, që iku e s’u kthye më, por humbi në
mërgim, është bërë re: vjen qan dhe përsëri ikën.)
Dhe mbi spitharët më poshtë, ajër bregut,
mblidhen lotët e tyre siç mblidhet uji i shiut…”!
Kam vite të tëra, që e kam të ndërtuar në kokë këtë roman. Ky është romani, më i dashur për mua. I kam hedhur në letër faqet e para, por pena nuk po më bindet. Jam i lodhur, shumë i sëmurë nga emfizema e, të tjera të moshës. Me sa shoh, nuk do të arrij dot që ta shkruaj.
Ka ditë, kur nuk mund të ulem as para makinës së shkrimit. Edhe për këto pak faqe, për 45 vjet të gjatë e të mundimshëm, që po i shkruaj për biografinë time, nxitëse është Safoja, e cila me siguri e ndien, që mua po më lënë forcat. Ajo mendon se është e domosdoshme që unë t’i hedh në letër shkurt kujtimet që nga viti 1945. Thotë se jeta ime dhe krijimtaria ime janë zhvilluar në mote me furtunë, luftëra, burgje, internime, punë, krijimtari të shumëllojtë, me aq shumë episode, ngjarje, vite, data, njerëz, sa askush tjetër nuk mund t’i renditë e t’i kujtojë, ashtu siç mund të bëj unë vetë. Ka të drejtë. Unë kaq mund të shkruaj, tani në këtë gjendje që jam. Aq i sëmurë e i pafuqishëm ndihem, sa nuk e di se kur do të më ndalet dora. Në këto çaste pështjellimi, nuk e di pse më kujtohen vargjet e mia:
Rrëmbem’, o dallgë e bukur, si pirati,
dhe më bashko me kapedanë trima,
zemër-delfina të shpejtë vetëtima.
Te kulV e jetës, ku na shkruhet fati,
Të derdhemi, o dallgë, e ta hedhim në erë!
Të shoh edhe unë – edhe ne – parë verë!
Pyetje: Si e përjetuat ngjarjen e rëndë të arrestimit të djalit?
Përgjigje: – Djalit tim, ia kam vënë emrin Jamarbër. Është shumë i talentuar. Është poet, por nuk boton. Shumë i mbyllur është, shumë i ndjeshëm. Gjatë viteve të gjimnazit, me klasën e tij, shkuan në një aksion në rrethin e Tiranës. Kur u kthye nga aksioni, ai kishte pësuar një zhgënjim. Kur biseduam në mbrëmje, m’u drejtua me fjalë akuzuese. Më tha: “Pse gënjeni dhe flisni për lumturinë dhe begatinë e fshatarësisë, kur unë vetë bashkë me shokët e mi, i pamë se sa të varfër janë”?!
Ai ishte tronditur nga varfëria e tyre. U kishin vënë për të ngrënë bukë e dhallë dhe u kishin shtruar për të fjetur në rrogoz, mbi truall. Asnjë nga djemtë nuk kishte fjetur dot, jo nga të ftohtët, se stina ishte e ngrohtë, por nga fjalët e të zotit të shtëpisë. Plaku kishte treguar për mjerimin në të cilin jetonin: mezi siguronin bukën për familjen; se ditë të tilla kaq të këqija, nuk kishte parë ndonjëherë (ai ishte 70 vjeç) dhe pothuajse tërë fshati, kujtonte me mall kohën e Zogut, si kohën e bollëkut.
Unë i thashë djalit, se ai duhet të kishte qenë ndonjë zogist dhe mund të ishte armik i pushtetit, meqë fliste me këtë gjuhë. Kurse unë vetë, u dëshpërova shumë për këtë zhgënjim të tij, pasi, nuk duhej që fëmijët, të konstatonin me sytë e tyre, këtë realitet të pamohueshëm.
Pas kësaj, në fund të vitit, në maturë, ndodhi një ngjarje e shëmtuar. U hap zarfi me pyetjet, përpara provimit. Kjo gjë u bë problem në Komitetin e Rinisë. Në mbledhje u thirrën gjithë djemtë e klasës, u akuzuan rëndë dhe u mor vendim që të gjithë të dënoheshin me punë të detyruar. Në Laç, në Fabrikën e Superfosfatit, bashkë me shokun e tij, Fatos Lubonjën, në gjirin e klasës punëtore, për djalin, erdhi përsëri një zhgënjim i ri. Ai u afrua me familjet e punëtorëve dhe pa përsëri varfërinë, që i kujtonte atë të fshatit të Tiranës. Shpesh, më tregonte për bisedat që bënte me punëtorët, për pakënaqësitë e tyre. Ky për të, ishte zhgënjimi i dytë, kësaj here edhe më i madh.
Pakënaqësitë e të rinjve, të shokëve të djalit, ishin dhe të tij at: Dëshironin të visheshin sipas modës perëndimore, pavarësisht se mund t’u vinin fletë-rrufe, sipas modelit kinez. Dëshironin të dëgjonin muzikë të huaj, të kohës, muzikë të ndaluar. Dëshironin të lexonin letërsi të huaj, moderne. Dëshironin të vallëzonin dhe këtë e bënin pa pyetur as prindërit. Dëshironin të mbanin flokë të gjatë.
Por të gjitha këto, Partia i quante degjenerim dhe ishin të dënueshme. Një gjendje e tillë, stimuloi dhe shfaqjen e mendimeve. Ata akuzonin Partinë. Ata e njihnin shumë mirë ligjin, që të dënonte për agjitacion e propagandë. Kishte edhe arratisje, kapërcim të kufirit, por kishte dhe qendra për vuajtje të dënimit, të cilat ishin në zë, si: Spaçi, Burreli etj. Por ata nuk kishin frikë, ishin të rinj.
Më vonë, i doli e drejta e studimit, në Fakultetin Juridik, dega gazetari. Stazhin pas fakultetit, e bëri në gazetën “Zëri i Vlorës”, në Vlorë. Atje punoi mirë, por e shtoi pijen. Pas stazhit, pritëm emërimin, i cili nuk po vinte. Ai erdhi në Tiranë, shumë i revoltuar. Unë bëra përpjekje për ta sistemuar në ndonjë gazetë, por asnjë rezultat. Ndërkohë ishte arrestuar shoku i tij i gjimnazit, Fatos Lubonja, i cili u dënua me shumë vjet. Shqetësimi i djalit, kishte filluar që me masat e marra kundër meje. Me situatën e krijuar, me arrestimet që pasuan, ai kaloi në një gjendje shumë të stresuar. Në atë kohë, u internua dhe miku im, Vangjush Gambeta dhe, kur ai po ngrinte plaçkat e, i ngarkonte në makinën që do ta çonte në internim, në Derjan të Burrelit, im bir, iu afrua ta ndihmonte. E kishte pasur pedagog në fakultet. Vangjushi i kishte thënë: “Ikë, Jamarbër! E di që më do e më respekton. Ikë, se mos të sheh njeri”! Unë, e humba përsëri një mik inteligjent, e të këndshëm.
Më 7 gusht 1975, në orën 12 të natës, djali u arrestua në shtëpi. Njerëzit e Sigurimit, e kryen detyrën, duke qenë shumë të sjellshëm. Pasi i vunë prangat djalit dhe e morën, nuk lanë gjë pa kontrolluar. Arrestimi i djalit, qe gjëja më e rendë e jetës sime.
U gdhimë, unë, Safoja dhe vajza, duke diskutuar se; çfarë do të na priste?! Flisnim me gjysmë zëri. Kur zbardhi mëngjesi, ne ishim ende të tre, kokë më kokë, duke menduar se çfarë do të ndodhte më tej. Për vajzën, studente në Institutin e Arteve dhe për ne, si krijues, ishte vdekje. Unë isha i dënuar, i shembur, Safoja, mund të humbiste punën si piktore, në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, vajza do të humbiste Institutin dhe të ardhmen.
Mbi të gjitha, nuk dinim se çdo të ndodhte me djalin. Safoja i drejtoi një letër Hysni Kapos. Unë shkova në Ministrinë e Brendshme, por nuk më pritën, megjithëse aty kisha shumë miq që nga koha e rinisë sime.
Që nga ajo ditë, filluam ta ndienim ftohtësinë e njerëzve që na rrethonin, dhe largimin e shumë miqve. Ishin vite shumë të rënda dhe i justifikuam të gjithë. Çdo makinë e madhe që ndalonte përballë pallatit tonë, bënte që, përveç nesh, të dilnin në dritare edhe ata që na kishin dashur, duke menduar, se kishin ardhur për internimin.
Mora kontakt me hetuesin, një djalë i ri shumë i sjellshëm. Ai më tha: “Vetëm një emër të më thotë, dhe unë e nxjerr që tani, ta marrësh me vete”. Mbas pesë muajsh në hetuesi, më 31 dhjetor 1975, u dha vendimi i gjyqit: gjashtë vjet heqje lirie, për agjitacion e propagandë. Në takimin e parë me djalin, përpara se të nisej për në Spaç, takim me dy palë hekura mes nesh, ai ishte jashtë mase i tronditur, i verdhë, i ënjtur, i deformuar. Ne e pyesnim dhe ai heshtte. Shqiptoi vetëm disa fjalë të pakuptimta për ne: “Jam këtu, për të dytin”. Kishte menduar se ne ishim të internuar, pasi gjatë gjithë kohës, i tregonin urdhrin e internimit. Ishim të gjithë jashtëzakonisht të tronditur, por për mua, ishte më e rënda. Se e pashë tim bir prapa hekurave, njëlloj si veten time.
Ato vite ishin shumë të rënda. Safoja punonte ditë e natë, për të mbajtur familjen dhe burgun e dytë. Unë nuk mund të punoja, pasi nuk kisha më të drejtën e botimit. Asnjeri nuk më afrohej, por edhe unë, nuk i afrohesha askujt. Edhe shumë shokë të ngushtë, që më parë e frekuentonin shpesh shtëpinë time, nuk u panë më! Vetëm shokët e Spanjës, nuk m’u ndanë kurrë. I miri dhe i guximshmi, Skënder Luarasi, që i dridhej shpirti për arrestimin e djalit tim, disa herë më dha për të cigare dhe çokollata. Por unë, nuk i kam mbajtur mëri askujt. E tillë ishte koha.
(Dua të kujtoj diçka që lidhet me guximin e Skënderit. Sa herë që kishim ndonjë mbledhje të rëndësishme në rrethet tona letrare, vinte e na gjente Alfredi (Alfred Uçi) djali i Minait dhe i Shegës, motrës së Skënderit, dhe na porosiste mua dhe Manen, që, kur të uleshim në mbledhje, ta futnim Skënderin në mes, e ta detyronim me forcë, që të mos reagonte e të mos fliste, kur revoltohej nga diskutimet e të tjerëve. Ne qeshnim dhe i premtonim.) Alfred Uçi, Sofo Lazri dhe miku im i vjetër, Dr. Shefqet Ndroqi, u përpoqën me të gjitha mënyrat në organet e pushtetit dhe të partisë, që unë të mund të shkoja e të operohesha, në një shtet tjetër evropian, më 1989, kur këtu po më rrezikohej seriozisht jeta. Dhe mbetën të pikëlluar, kur morën përgjigje negative.
Midis gjithë këtyre të këqijave, patëm një gëzim: vajzën nuk e hoqën nga Instituti, megjithëse u bënë tentativa për këtë. Safon nuk e lëvizën nga Shtëpia Botuese. Në shtëpi, me gjysmë zëri diskutonim: ‘Të ketë ndërhyrë Hysni Kapo, për të gjitha këto”?!
Kishte edhe njerëz me zemër. Çdo muaj shkonim në Spaç dhe më vonë në Ballsh, kur djali u transferua atje. Nuk mund t’i harroj udhëtimet për në Spaç, hipur mbi karroceritë e kamionëve në mes të dimrit, në ato male të ashpra, ku të grinte veriu, unë me një pardesy fësh-fëshe. Në këto rrugë, mora shumë herë bronkopneumoni, që më shkaktoi këtë emfizemë pulmonare, e cila po më merr jetën tani.
Në Ballsh, ngaqë përvëlonte dielli në verë, vinim në kokë, lecka të lagura, në rrugën e gjatë pa mbarim, drejt barakave të kampit të riedukimit. Majtas rrezatonte rafineria e naftës, me vezullime marramendëse, si një qytet jashtëtokësor. Një ditë, teksa ecnim ngarkuar me trastat e rënda drejt kampit, një grup kinezësh të rinj, që po vinin nga rafineria, kapërcyen rrugën dhe, duke buzëqeshur, na përshëndetën me kokë, ndërsa njëri prej tyre tha: “Tungjatjeta, Petro Marko”! U çudita!
Arianita, vajza ime e vogël, e talentuar, për të cilën ëndërroja se do të bëhej një piktore e madhe, përfundoi si: “punëtore e kualifikuar”, në Fabrikën e Qelqit në Kavajë. Dikur, kur ishte vetëm 12 vjeç, miku im Abdurrahim Buza, kur pa punët e saj, tha: “Me këtë portret, Arianita mbron diplomën në Akademi”.
Neve, si prindër, na u shembën ëndrrat. Megjithatë, të gjithë ishim gjallë, kishim jetën. Unë mendoja se nuk duhej të udhëtonim të tre bashkë, me makinë për në Spaç, se kisha frikë mos makina rrokullisej, nëpër ato rrëpira dhe vdisnim që të tre. Atëherë çdo të bëhej me djalin?
Po tregoj tri raste:
- Isha duke shëtitur në bulevard, kur dëgjova dikë të më thërriste. Ktheva kokën dhe pashë në ballkonin e tij Dhimitër Shuteriqin, i cili ma bëri me dorë që ta prisja. Erdhi më dha dorën (për çudi) dhe më tha:
– Të shoh përditë që shëtit kokulur. Ngrije kokën. Kush je ti? Çfarë i ke dhënë kulturës sonë ti… Ai djalë është… bëri gabime… dhe do të dalë… Po ti, Petro, ec kokëlart!
- Një ditë, aty nga fundi i bulevardit, pashë mikun tim Koço Kosta, që ikte poshtë. Pastaj e pashë të kthehej dhe të më drejtohej. M’u afrua dhe më tha:
– Do të të përqafoj një herë, pa le të më varin… – dhe m’u hodh në qafë.
- Një ditë tjetër, ndesha ballë për ballë me mikun tim të dashur, Dritëro Agolli. Ai më foli dhe më ftoi të futeshim në Kafe “Tirana”, për të pirë një kafe. U ulëm dhe ai kushedi se nga vinte, se ishte data 5 maj, dita e Dëshmorëve dhe kushedi se në cilën familje dëshmori kishte qenë. Kur nisi të pinte kafen, më tha:
– Sot kam nderin, të pi kafe me një dëshmor të gjallë!
As njerëzit e mi nuk mund të vinin në shtëpi. Por vëllai im Agjisilla, që qante për fatin e djalit tim, dhe motra Lilo, erdhën me ne dhe e takuan djalin, në burgun e Ballshit. Liloja e ngarkuar si në fshat. Kurse nipi im, Lluka, djali i Jani Markos, i persekutuar, më siguronte një automjet, për të vajtur deri në burg, në Spaç ose në Ballsh, se shoferët, po të ishe i ngarkuar me ushqime për në burg, rrallëherë të merrnin, se kishin urdhër.
Lluka çdo të diel vinte e më takonte në shtëpi. Agjisilla, ishte larg, në Vlorë. Vetëm Dunajt, kushërinjtë e mi të persekutuar, djemtë e Jerasimos, kur kishin ndonjë hall, vinin e konsultoheshin me mua, vazhdimisht. E vetmja familje, që nuk na u nda asnjë ditë, ishte familja e Ali Çelos, vëllait të Safos, i cili jetonte me Shazijen, vjehrrën time. Aliu dhe gruaja e tij, Drita, ishin që të dy inxhinierë kimistë.
Aliu ishte inxhinier shumë i zoti, shpikës, por e tërë puna krijuese, që bëri në fushën e tij, asnjëherë nuk u evidentua me emrin e tij. E ndoqi tërë jetën një lloj persekutimi, për arsye se fare fëmijë, kishte qenë ballist. Në moshën 15-vjeçare, me shokë pak më të rritur se vetja, u nis për në Kosovë. Ai së bashku me gruan, e vizituan djalin tim edhe në burgun e Spaçit, edhe në atë të Ballshit, pa marrë parasysh konsekuencat.
Ishte një kohë e tmerrshme. Ishim izoluar nga jeta. Dhe mendoja për luftën time, për idealin tim, për vuajtjet që hoqëm, gjersa të fitonim lirinë…! Vrasja e jetës! Vrasja e ëndrrave! Vrasja e shpresave! Memorie.al
Vijon