Problemi i dy lojtarëve kosovarë të Partizanit me Ambasadën Ruse po shkon drejt gjetjes së një zgjidhjeje të favorshme për të kuqtë, duke hedhur poshtë mundësinë e bojkotit.
Së fundmi, ambasada ka qenë shumë bashkëpunuese me klubin kryeqytetas, duke u vënë në dispozicion të tyre, në çdo kohë, si dhe duke u dhënë asistencën e duhur për plotësimin e dokumentacionit.
Përmirësimi i klimës mes palëve është konfirmuar dje, ku punonjësit e Ambasadës Ruse në Shqipëri kanë pranuar gjithë dokumentacionin, të cilët i kanë depozituar të kuqtë për pajisjen me viza të delegacionit që do të udhëtojë drejt Krasnodarit më 17 gusht, një ditë para ndeshjes së parë.
Te dokumentet e pranuara dje nga Ambasada Ruse në kryeqytet kanë qenë edhe pasaportat e dy lojtarëve kosovarë, Labinot Ibrahimi dhe Ylber Ramadani.
Por, nëse pjesëtarët e tjerë të delegacionit e kanë të sigurt marrjen e vizave, dy kosovarët mbeten në pritje, ndonëse punonjësit e Ambasadës Ruse e kanë gjithë vullnetin për t’i ndihmuar në këtë rast.
Pajisja me vizë e Ramdanit dhe Ibrahimit varet nga vendimi që do të nisin autoritet më të larta të qeverisë ruse, me seli në Moskë, për rastin në fjalë.
Pas ankimimit të Partizanit në UEFA, në Federatën Ruse të Futbollit, te klubi i Krasnodarit dhe në FSHF, institucionet në fjalë janë vënë në lëvizje për zgjidhjen e problemit. Katalizatori i zgjidhjes mbetet UEFA, e cila i ka bërë apel Federatës Ruse, që dy futbollistët e Partizanit të mos privohen nga transferta e Krasnodarit.
Duke ditur që Rusia nuk e njeh Kosovën si shtet, shtetasit me pasaportë kosovare e kanë të ndaluar që të pajisen me vizë, gjithsesi në rast të evenimenteve të ndryshme sportive, mund të bëhen përjashtime të specifikuara.
Gjasat janë që ngërçi i udhëtimit të Ramadanit dhe Ibrahimit drejt Rusisë të zgjidhet në kohë, përndryshe do të jetë UEFA ajo që do të vendosë për fatin e ndeshjes së 18 gushtit mes Krasnodarit dhe Partizanit. Gjithsesi, titullarët e Ambasadës Ruse në Tiranë po bëjnë të pamundurën për të gjetur zgjidhjen e duhur.
ILIR CARA
Komentet