Vazhdon jehona mediatike ndaj dekorimit të 67 ballistëve të pushkatuar padrejtësisht në tetor të vitit 1943. Dekorimi, një gjest i natyrshëm nderimi për jetët e pafajshme të masakruara nga Mehmet Shehu, komandant i Brigadës së Parë Sulmuese dhe nga Dushan Mugosha, zëvendëskomisar i Brigadës, u kuptua nga ‘krahu partizan’ i shoqërisë sonë si çnderim dhe zhdekorim i partizanëve dhe si mohim e poshtërim i luftës partizane ‘antifashiste Nacionalçlirimtare’.
‘Koka e nxehtë e Mehmet Shehut’, që, sipas dokumenteve komuniste të kohës, e tepëroi masën ndëshkimore ndaj ballistëve, duket se ende nuk është ftohur tek disa ish partizanë dhe tek disa pasardhës të partizanëve sa të mos shohin dot të vërtetën historike edhe 73 vjet pas kryerjes së masakrës.
Sipas tyre, gjesti i Presidentit synon ose arrin të mohojë apo të krijojë dyshime për luftën e drejtë heroike që bënë partizanët të frymëzuar nga ideali i tyre për çlirimin e vendit dhe për demokracinë. Askush nuk mund të mohojë as të paragjykojë atë luftë që bënë partizanët shqiptarë që vullnetarisht morën armët dhe i dolën zot atdheut të pushtuar nga fashistët e pastaj nga nazistët. Këtë nuk mund ta bëjnë as ish ballistët, as pasardhësit e ballistëve, as të tjerët.
Njëherësh, askush nuk mund ta mohojë as ta paragjykojë luftën e ballistëve kundër pushtuesve të mësipërm. Këtë nuk mund ta bëjnë as ish partizanët, as pasardhësit e partizanëve, as të tjerët. Edhe ballistët morën armët në dorë për çlirimin e atdheut. Ashtu si një pjesë e partizanëve dhe të tjerëve e dhanë jetën për atdheun, edhe ballistët e dhanë jetën e tyre për atdheun.
Partizanët iu besuan atyre komandantëve udhëheqja e të cilëve pas 24 majit 1944 e mori pushtetin në Shqipëri. Kjo udhëheqje e çoi vendin në diktaturë, më të egrën, më mizoren, më vëllavrasësen e të gjitha diktaturave komuniste. Diktatura ishte diçka krejt e kundërt me idealin e partizanëve. Viktimë e diktaturës u bënë shumë ish partizanë, shumë bij e nipa të partizanëve.
Ballistët iu besuan komandantëve udhëheqja e të cilëve u vra, u pushkatua, u var u burgos, u përndoq në atdhe dhe në vendet ku ata u arratisën dhe vdiqën. Ballistët e thjeshtë, bijtë e tyre, nipat e tyre u përballën me burgjet, me dënimet kapitale, me torturat, me përndjekjet në vendin e tyre.
Partizanët ishin bij të nënave shqiptare. Edhe ballistët ishin bij të nënave shqiptare. Pasardhësit e tyre ishin dhe janë po ashtu bij e bija nënash shqiptare. As çështjes së atdheut, as çështjes së demokracisë, as çështjes së lirisë nuk i interesonte vëllavrasja mes partizanëve dhe ballistëve, nuk iu interesonte revanshi dhjetëravjeçar ndaj ballistëve dhe pasardhësve të tyre.
Pra, askush nuk ka të drejtë të mohojë apo të paragjykojë mijëra partizanët, mijëra ballistët, mijëra legalistët, mijëra nacionalistët që nuk ishin radhitur në asnjërin prej këtyre formacioneve të mëdha.
Por historiografia kishte dhe ka për detyre të përcaktojë sa më drejtësisht e sa më paanshëm karakterin e luftës sonë të viteve 1939-1945. Kur përfshij vitin 1945, kam parasysh edhe luftën tonë që u bë në trojet shqiptare në ish Jugosllavi. Vetëm kështu ne do të kemi një histori të besueshme nga të gjithë shqiptarët. Dhe kjo do të ishte bazë për të krijuar besueshmërinë e humbur mes shqiptarëve të përkatësive të ndryshme që burojnë nga vitet 1939-1945. Vetëm kështu do të arrihej pajtimi kombëtar dhe, prej këndej, uniteti kombëtar, dy kategori që nuk janë monopol e asnjë pale, as të ashtuquajturve fitues, as e të ashtuquajturve humbës.
Zogistët, qysh më 7 prill 1939, e kundërshtuan të parët pushtimin fashist të Shqipërisë. Më 1939 ata i dhanë formë frontit të tyre luftarak nën emrin e Legalitetit, një lëvizje që daton prej kthimit të Zogut në Shqipëri në dhjetor të vitit 1924. Legaliteti, me në krye Abaz Kupin, ishte faktori kryesor nacionalist në Konferencën e Pezës, në shtator të vitit 1942, ku u bë pjesë e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar. Në këtë konferencë u morën disa vendime të rëndësishme si përfshirja në aleancën botërore antifashiste të kryesuar nga Anglia, BRSS dhe Amerika; miratimi i simboleve në uniformat e formacioneve – yjet e kuq për partizanët, flamuri i kuq për nacionalistë; përfshirjen e të gjithë shqiptarëve pa dallim krahine, feje dhe ideje në luftën kundër okupatorit; zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare në Jugosllavi nëpërmjet një referendumi popullor menjëherë pas luftës; zgjidhjen e çështjes së sistemit të ardhshëm shtetëror nëpërmjet një referendumi popullor menjëherë pas luftës.Për të gjitha këto pika miratimimi ishte i njëzëshëm.
Legaliteti u bë nismëtar dhe nxitës i arritjes së Marrëveshjes së Mukjes, nëpërmjet së cilës synohej të realizoheshin pikërisht vendimet e Konferencës së Pezës, tashmë duke përfshirë edhe Ballin Kombëtar në frontin e përbashkët antifashist nacionalçlirimtar. Por kjo marrëveshje u hodh poshtë nga Partia Komuniste, e cila kishte marrë udhëzime të reja nga Tito, pasi ky i fundit kishte marrë nga çurçilli autorizime që i krijonin orekse (urira) të reja dhe aleatëve të Titos në Shqipëri ua hapnin përfundimisht rrugën për në pushtet pa Ballin dhe Legalitetin.
Kjo frymë do të pasqyrohej në punimet e Konferencës së Dytë Nacionalçlirimtare të mbajtur në Labinot një vit pas asaj të Pezës. Gjatë muajve të vjeshtës 1943, kur ishte larguar pushtuesi fashist dhe kishte ardhur pushtuesi nazist, u shkëmbyen pareshtur akuza dhe kundërakuza mes Partisë Komuniste dhe Legalitetit për bashkëpunim me okupatorin. Në dhjetor Legaliteti vendosi të largohet nga Fronti Nacionalçlirimtar. Më 24 maj 1944, në Përmetin e çliruar, Partia Komuniste vendosi që Mbretit Zog t’í ndalohej kthimi në Shqipëri. Faktet arkivore tregojnë të gjitha se deri në korrik 1944 nuk kishte asnjë bashkëpunim mes Legalitetit dhe okupatorit. Abaz Kupi në kujtimet e tij në mërgim ka shkruar se zogistët u larguan nga Shqipëria për të mos u bërë pjesë e vëllavrasjes kombëtare të cilën Partia Komuniste e kishte shndërruar në sistem.
Lëvizja politike që do të krijonte Ballin Kombëtar ekzistonte në mërgim që pas kthimit të Zogut në Shqipëri nën emrin Bashkimi Demokrat. Udhëheqja e saj përbëhej kryesisht nga disidentë politikë antizogistë, njëkohësisht antikomunistë, me bindje republikane, me formim dhe platformë perëndimore, për një shtet repulikan demokratik të zhvilluar dhe për një Shqipëri të bashkuar siç e kishin dashur Avdyl Frashëri, Ymer Prizreni e tjerë. Formacionet e para luftarake balliste u krijuan që më 1939, por u shndërrua në front në vitin 1942, kur shpalli edhe Dekalogun e famshëm.
Ndryshe nga dy formacionet e tjera kryesore, Balli Kombëtar e shtriu frontin çlirimtar në gjithë hapësirën shqiptare, përfshirë të gjitha trojet shqiptare në ish Jugosllavi. Dhe arriti të ketë në radhët e tij dhjetëra mijë luftëtarë.
Në Konferencën e Pezës Balli Kombëtar kishte statusin e vëzhguesit. Më 1943 e nënshkroi Marrëveshjen e Mukjes, ku u vendos që Shqipëria të ruante pas luftës kufijtë e kohës së Luftës së Dytë Botërore. Pasi Partia Komuniste hodhi poshtë këtë Marrëveshje, Balli Kombëtar u ndodh nën sulmet e hapura të formacioneve partizane. Urdhëri i Enver Hoxhës ishte që ballistët të goditeshin dhe të shfarioseshin kudo që partizanët t’i ndeshinin apo t’i gjenin. Udhëheqësi i njërit krah të Ballit, Abas Ermenji, në kujtimet e tij të cituara thotë se një pjesë e formacioneve balliste nga vjeshta e vitit 1943 e filloi bashkëpunimin me nazizmin.
Balli Kombëtar e vazhdoi luftën e tij në Kosovë dhe në trojet shqiptare në disa fronte – kundër formacioneve partizane shqiptare, kundër formacioneve partizane jugosllave, kundër formacioneve titiste. Ai arriti të mbante frontin dhe të mos lejonte instalimin e shtetit jugosllav në këto territore deri nga fundi i vitit 1947.
Partia Komuniste u krijua në fund të vitit 1941, pra dy vjet e gjysmë pas luftës. Dhe formacionet e para partizane i krijoi vetëm tri vjet pas fillimit të luftës, pra pak para se okupatori fashist të largohej nga vendi.
Siç shihet projektet shqiptare antifashiste kryesore në Shqipëri ishin tri: Legaliteti, Balli Kombëtar, Partia Komuniste. Legaliteti synonte një Shqipëri monarkike. Balli Kombëtar synonte një Shqipëri të bashkuar, republikë demokratike perëndimore. Partia Komuniste synonte një Shqipëri ku pushtetin të mos e ndante me askënd.
Legaliteti nga fillimi deri në fund u tregua faktori më tolerant dhe më bashkëpunues ndërshqiptar. Balli Kombëtar nuk u pajtua me rolin e jugosllavëve në themelimin dhe drejtimin e Partisë Komuniste dhe të luftës partizane. Partia Komuniste nga fillimi deri në fund punoi për projektin e shndërrimit të Shqipërisë në republikë të shtatë jugosllave. Për këtë projekt kishin dijeni dhe ishin të përgatitur edhe komunistët në trojet shqiptare në Jugosllavi. Tito mundësoi që Shqipëria të njihet nga aleatët e mëdhenj si pjesë e aleancës botërore antifashiste. Nën ndikimin e tij, ndihma eksperte, ndihma me armatime dhe municione, ndihma diplomatike e aleatëve u përqëndruan tek formacionet partizane.
Partia Komuniste i tradhtoi të gjitha vendimet kryesore që u muarën njëzëri në Konferencën e Pezës. Ajo tradhtoi vendimin për përfshirje të te gjithë shqiptarëve pa dallim feje, krahine dhe ideje në luftën antifashiste duke bërë luftë klasore vëllavrasëse. Ajo tradhtoi vendimin për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në trojet e tyre në Jugosllavi. Ajo tradhtoi vendimin për zgjidhjen e çështjes së sistemit shtetëror të pasluftës. Ajo tradhtoi aleancën me aleatët e mëdhenj perëndimorë dhe iu përmbajt vetëm aleancës me Bashkimin Sovjetik. Ajo tradhtoi idealet e partizanëve duke i përmbysur ëndrrat e shqiptarëve për liri dhe demokraci.
Gjatë luftës bashkëpunoi me okupatorin edhe Partia Komuniste. Eksponentë të saj deri në nivelet më të larta ishin eksponentë të Partisë Fashiste. Shumë prej tyre u akuzuan më vonë edhe nga vet kjo parti si agjentë të SIMI-t fashiste dhe të GESTAPO-s naziste. Siç del edhe nga dokumente që publikohen, kjo parti, deri tek vetë Enver Hoxha, përdori sidomos strukturat e Ballit Kombëtar, për të ndërthurur jetën dhe veprimtarinë klandestine me atë joklandestine. Një krah i Ballit Kombëtar, duke besuar se Partia Komuniste dhe Enver Hoxha do t’iu ishin mirënjohës, qëndruan në Shqipëri me mbarimin e lufës, por përfunduan me dënime kapitale, duke filluar me kunatin e Enver Hoxhës, Bahri Omarin.
Nëse pjesë të Ballit Kombëtar bashkëpunuan me okupatorin, në periudha të caktuara e në rrethanat e njohura, Partia Komuniste bashkëpunoi me armiqtë shunëshekullorë të shqiptarëve, rusët dhe serbët. Formacionet partizane që luftuan në trojet shqiptare në Jugosllavi, ua dorëzonin autoriteteve jugosllave territoret e çliruara dhe menjëherë pasonin masakrat. PKSH mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë edhe për Masakrën e Tivrait.
Vetë historiografia komuniste, dokumentet e PPSH dhe qëndrimet e Enver Hoxhës kanë pranuar në mënyrë të pareshtur se Lufta Nacionalçlirimtare u shndërrua në revolucion popullor, se kjo luftë zgjidhi edhe detyrat e revolucionit popullor, duke ua marrë pushtetin klasave shtypëse dhe shfrytëzuese dhe duke ua dhënë atyre gjoja të shtypurve dhe të shfryëzuarve, në fakt shtypësve dhe shfrytëzueve të rinj barbarë, të pamëshirshëm e të pangopshëm.
Nga pranvera e vitit 1944, që nga zonat e para të çliruara, filloi terrori komunist i cili nuk pushoi për dhjetëra vjet të regjimit. Enver Hoxha e përdori gjaktënxehtësinë e Mehmet Shehut deri në momentin kur atij vetë i rreikohej pushteti.
Nga antifashiste lufta në Shqipëri dhe në të gjitha trojet shqiptare u shndërrua në luftë ndërshqiptare. Dhe kjo u vazhdua në formën e luftës së klasave, e cila pati edhe trajtën e gjenocidit ndaj klerit dhe kishës katolike, ndaj institucionit të fesë, ndaj klasës intelektuale që trashëguan shqiptarët më 1944, ndaj pronarëve të mëdhenj dhe të mesëm, ndaj nacionalistëve shqiptarë, ndaj çdo elementi dhe kategorie që mund të përbënte rrezik ndaj pushtetit të Enver Hoxhës.
Partizanët që janë vrarë në betejat me Ballin Kombëtar janë njohur si dëshmorë. Edhe ballistëve të thjeshtë që u vranë në betejat me partizanë duhet t’iu njihet gjaku i derdhur.
Partia Komuniste ka pretenduar me dhjetëra vjet se luftën shqiptarët e fituan me forcat e veta, se lufta në Shqipëri ishte vetëm partizane. E vërteta është se lufta u bë me ndihmë të madhe të drejtpërdrejtë edhe të aleatëve anglo-amerikanë, shumë prej tyre edhe duke dhënë jetën për lirinë e vërtetë të shqiptarëve. E vërteta është se lufta jonë nuk ishte vetëm partizane, por edhe balliste, edhe zogiste. Lufta jonë ishte një luftë në përpjesëtim të drejtë me mundësitë tona si komb. Ajo nuk ishte në shpërpjesëtim me këto mundësi, siç ka dashur ta paraqesë PKSH (PPSH). Prandaj historiografia shqiptare e ka për detyrë t’i nxjerrë përmasat reale të luftës, natyrën dhe karakterin e saj nga mjegulla folkorike komuniste që e ka dyllosur gjatë dekadave. Kjo i hap rrugën përfundimisht pajtimit gjithëkombëtar dhe unitetit gjithëkombëtar.
Komentet