Rezultatet paraprake të zgjedhjeve për Komunën e Tuzit, që u mbajtën të dielën në Malësi, flasin për një humbje të thellë të forcave politike shqiptare.
Partia Demokratike Socialiste në pushtet ka fituar 15 mandate nga 32 vende që ka Kuvendi Komunal i Tuzit dhe sipas të gjitha gjasave ata do të formojnë shumicën me Partinë Boshnjake, e cila ka fituar 3 mandate.
Në zgjedhjet e së dielës forcat politike shqiptare garuan të ndara në tre lista zgjedhore. Alternativa Shqiptare mori 7 mandate, Lidhja Demokratike Shqiptare 3 dhe Unioni Demokratik Shqiptar 2.
Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve fajësuan partinë në pushtet për trysni dhe blerje votash në zonën e Malësisë.
Me zgjedhjet e së dielës Tuzi bëhet njësia e dytë administrative në Mal të Zi me shumicë shqiptare pas komunës së Ulqinit, por rezultatet e para tregojnë se pushtetin do ta ushtrojnë partitë e spektrit politik malazez.
Komentet