ARISTIR LUMEZI/ Kryeministri Rama u tha dje deputetëve se zgjedhjet e ardhshme mund të jenë dhe në muajin mars, duke kërkuar përgatitjen e partisë në të gjithë strukturën e saj.
Kreu i qeverisë ishte dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa i vetmi që ka folur në këtë takim, që ka zgjatur rreth 30 minuta, ka qenë kryesocialisti.
Mbledhja nisi në orën 9:30 në kryesinë e Kuvendit dhe pak pasi Presidenti i Republikës kishte shkuar në Komisionin Hetimor Parlamentar, deputetët socialistë janë parë të lënë ambientet e kryesisë së Kuvendit. Rama është ngjitur më pas në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, ku ka konsumuar dhe një kafe të gjatë me të.
ZGJEDHJET
Kryesocialisti, i cili ka nisur të flasë në parim dhe në përgjithësi, nuk ka përmendur emra të përveçëm, por fokusi i fjalës së tij ishte zhvillimi i një procesi real zgjedhor në PS, që nga organizata socialiste e deri te kongresi i saj. Shqetësimi i Kryeministrit duket se kanë qenë zgjedhjet e ardhshme, të cilat mund të zhvillohen edhe në muajin mars, para përfundimit të mandatit katërvjeçar të kësaj maxhorance.
“Partia duhet të jetë gati në janar, kur do të mbledhim dhe kongresin, sepse zgjedhjet mund të jenë edhe në mars”, ka qenë deklarata e kreut të PS, e cila tërhoqi më shumë vëmendjen e deputetëve, të cilët deri në ato momente po dëgjonin konsiderata të përgjithshme se si duhen bërë më mirë punët.
KRITIKA
Kreu i qeverisë i ka kërkuar deputetëve që të jenë më aktivë në zonat e tyre elektorale, të ndjekin nga afër se si i ofrohen shërbimet qytetarëve, duke i akuzuar ata se në përgjithësi interesohen vetëm për emërimet e drejtorëve.
“Sa herë keni vajtur në një zyrë shteti për të parë si funksionon, çfarë heqin njerëzit?! S’keni ngritur asnjëherë asnjë shqetësim se si funksionojnë zyrat e shtetit. Ju interesoheni vetëm për drejtorët, kush ikën dhe kush vjen!”, mësohet t’u jetë drejtuar në përgjithësi Rama deputetëve të tij.
Sipas tij, PS-ja duhet të rinovohet, figura të reja, dinjitoze dhe përfaqësuese në komunitete duhet të bëhen pjesë e Partisë Socialiste.
“Ky proces zgjedhor duhet të jetë ndryshe nga të tjerët. Me maksimumin e përkushtimit dhe cilësisë. Kush nuk e bën, ta konsiderojë si kërkesë për dorëheqje nga Grupi Parlamentar dhe karriera në Grupin Parlamentar. Deputetë që s’kanë dijeni ku kanë zonën, çfarë duan njerëzit, çfarë kërkesash kanë… Kjo është e patolerueshme. Një pjesë e mirë janë në rregull, por një pjese të vogël s’dimë se çfarë t’u themi më. T’i kthejnë PS-së atë që i kanë marrë. Secili duhet të bëjë detyrën, asgjë më tepër. Takime reale në çdo organizatë, takime të vërteta, inventarë të burimeve njerëzore që kemi dhe jo të dhëna fiktive, me organizata ku anëtarë është gjithë familja. Na duhen njerëz për faqësues dhe me reputacion të mirë në komunitet”, mësohet të jetë shprehur Rama.
PUSHTETI
Për Ramën, tani që Partia Socialiste kontrollon pushtetin qendror dhe atë vendor, vëmendja e gjithsecilit duhet të jetë në funksionimin e mirë të tyre.
“PS-ja s’mund të qëndrojë në pushtet duke ngrënë dhjamin e vet. S’mund të shkojmë në zgjedhje dhe të përsërisim të njëjtat gjëra, sepse do shkojmë të humbim. Ka një mënyrë për ta kaluar këtë gjë, të transformojmë PS-në. Ato takime me të njëjtat fytyra, me të njëjtat pazare, me të njëjtat dallavere duhet të marrin fund. As PS-ja dhe as unë se mbajmë dot me këtë maskaradë, këto zullume që bëhen nëpër zyrat e shtetit. Merruni seriozisht me këtë punë. Nuk mban më… Mbajeni mend që humbim pushtetin, nëse vazhdojmë kështu. Ju mund të vazhdoni kështu, por unë s’do pres fundin, duke ju parë juve”, mësohet të jetë shprehur Kryeministri Rama në përfundim të mbledhjes, pas së cilës nuk ka pasur diskutime nga asnjë deputet.
Kritikat e Bushatit në Kryesinë e PS
Anëtari i Kryesisë së PS-së, ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, kritiku i fundit në PS, kërkoi trajtimin në mënyrë agresive të përfshirjes në politikë të personave që kanë pasur probleme me drejtësinë. Në mbledhjen e fundit të Kryesisë së PS-së, Bushati ka drejtuar një letër, përmes së cilës i informonte anëtarët e saj me përgjegjësitë e secilit në penetrimin e personave me të kaluar kriminale në politikë, administratë apo drejtues të pushtetit vendor. Në mënyrë të përsëritur në letrën e tij, ish-drejtuesi politik i qarkut të Shkodrës, citon se PS-ja duhet të jetë një parti progresiste dhe e intelektit, duke lënë të kuptohet se kandidimi i shumë njerëzve në të gjitha nivelet që kanë pasur probleme me drejtësinë, e kanë larguar këtë parti nga kjo traditë. Sipas Bushatit, rasti i Shkodrës tregon se është mbushur kupa për një fenomen të përsëritur siç është ai i futjes në politikë të njerëzve me të kaluar të dyshimtë dhe se këtë fenomen, PS-ja duhet ta luftojë në mënyrë agresive. Bushati ishte kritik edhe me shkarkimet masive të drejtorëve në Shkodër, duke thënë se ata nuk kanë asnjë lidhje me rastin Pjetri.
Komentet