Rëndësia e Referendumit qëndron në kërkesën e shtruar për zgjidhje të drejtë të pozitës së shqiptarëve.
Plot 31 vjet më parë, në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë shqiptarët si rrallë herë u unifikuan për të mbajtur Referendumin e 1 dhe 2 marsit të ’92.
Sot, nga kjo distancë kohore mbi tri dekadëshe kjo ngjarje historike vazhdon të ketë peshë të jashtëzakonshme politike për rajonin tonë, në veçanti në periudhën kur po presim arritjen e një marrëveshje finale e të qendrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje e cila do të krijonte mundësi për paqe afatgjate në Ballkanin Perëndimor.
Rëndësia e veçantë e Referendumit qendron në atë se për herë të parë shqiptarët e Luginës së Preshevës edhe përkundër presionit të aparatit shtetëror shprehën vullnetin e tyre politik për gjetjen e një zgjidhje më të drejtë të statusit të tyre politik, e përmes të cilit synuan zgjidhjen efikase dhe të drejtë të problemeve jetësore me të cilat përballeshin shqiptarët.
1 e 2 marsit të vitit 1992 i parapriu Deklarata politike për pozitën e popullit shqiptarë në ish-Jugosllavi të Këshillit Koordinues të partive politike shqiptare në ish-Jugosllavi të 3 shtatorit të vitit 1991, pjesë e të cilit ishte edhe Partia për Veprim Demokratik.
Referendumi në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, sikur ai në Kosovë, Maqedoninë e Veriut u mbajtën në vigjilie të shpartallimit të një Federate të mbajtur dhunshëm siç ishte Jugosllavia e atëhershme.
Shpartallimi i së cilës Federatë rezultoi me luftëra të përgjakshme, krime çnjerëzore e dhunë sistematike të një aparati shtetërorë brutal ndaj çdo populli që nuk i përshtatej interesave të Beogradit.
Rëndësia e Referendumit të 1 e 2 marsit të vitit 1992 nuk do ta humbë kurrë rëndësinë dhe vlerën e saj historike, pavarësisht tentativave dashakeqe të Beogradit, e fatkeqësisht sot po bëhet edhe përmes disa politikave lokale në Luginë përmes njerëzve të instrumentalizuar dhe nënshtruar.
Zgjidhja e drejtë e statusit politik të shqiptarëve konform kërkesave të Referendumit është një ndër premisat e ndërtimit të paqes afatgjate në Ballkanin Perëndimor.
Natyrisht, duke bashkëpunuar e bashkërenduar hapat politikë me Tiranën e Prishtinën.
Natyrisht, të gjithë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës dhe jo vetëm, kujtojnë me krenari figurat politike të asaj kohe si dhe të gjithë veprimtarët që nuk kursyen asgjë nga vetja që presionit e dhunës së vazhdueshme shtetërore t’i kundërpërgjigjen me organizimin politik më unik në historinë e kësaj treve.
1 Mars 2023
Partia për Veprim Demokratik
Shaip KAMBERI, kryetar