Parisi është Paradis
në çdo stinë
në dimër e verë
edhe kur qielli
heshtur loton
prej vrerit të grisë
edhe kur deliron
prej dehjes
në pranverë
Parisi është Paradis
nën diell apo hënë
kur Sena
qan e qesh
e fshehur
në errësirë
apo kur
shfryn
gjithë zjarr e epsh
në ag a mugëtirë
Parisi është Paradis
në çdo jetë
që ikë e vjen
prej dashurisë
një ah apo një oh
prej mrekullisë
një epigram i Apolinerit *
apo një dëshirë
çmendake
e gjithë poetëve
të njerëzisë
si e Sezar Vajehos **
që u vjen të vdesin
e të rilindin rishtas
e rishtas
në Paris
28.03.2016
* Guillaume Apollinaire, një nga poetët më të mëdhenj francezë të fillim shekullit XX, i famshëm edhe për epigramet e tij
** César Vallejo, poet peruvjan ka vdekur në Paris, ashtu si e ka shkruar në poezinë e tij, Guri i zi mbi një gur të bardhë, që nis me vargun “Do të vdes në Paris”. Thomas Merton e ka quajtur César Vallejo-n “poeti më i madh universal pas Dantes”
Komentet