Nga Dean A. Haycock
Stalini e respektonte presidentin amerikan Frenklin Ruzvelt. Lideri sovjetik, urdhëroi që lajmi i vdekjes së Ruzveltit dhe detajet mbi funeralin e tij të botoheshin tek “Pravda”, gazeta zyrtare e Partisë Komuniste. Stalini i shkroi gjithashtu një letër ngushëllimi vejushës së presidentit, Eleanor Ruzvelt.
“Pasi shprehu në rreshtat e parë simpatinë, diktatori sovjetik la të kuptojë se presidenti amerikan ishte helmuar, dhe ofroi ndihmën e tij për çdo hetim që mund të ndërmerrte zonja Ruzvelt”- shkruajnë në librin e tyre “Paranoja politike, psikopolitika e urrejtjes”, Robert S.Robins dhe Xherrold M.Post.
Paranoja si problem
Gjashtë vjet më vonë, në vitin 1951, paranoja e Stalinit u rëndua shumë, siç tregohet edhe nga sjellja e tij gjatë pushimeve. Është e kuptueshme që pushimet me tiranin sovjetik, mund të ishin çdo gjë përveçse të qeta për mysafirët. Kjo është diçka që e dinin shumë mirë Nikita Hrushov dhe Anastas Mikojani, anëtarët e rrethit të brendshëm të Stalinit.
Në kujtimet e tij, Hrushov përmend një rast kur ai dhe Mikojanit ishin të ftuarit e tiranit në Novi Afon, një qytet buzë Detit të Zi. Një mbrëmje, Stalini doli vetëm nga shtëpia e tij e pushimit. Të ftuarit i shkuan nga pas. Duke e vështruar ngultazi në sy Hrushovin, Stalini tha: “Unë jam një person i degraduar. Nuk i zë dot besë askujt. Madje as vetes time!”.
Hrushovi dhe Mikojani, me shumë zgjuarësi nuk bënë asnjë koment. Pas një heshtjeje të sikletshme, rifilluan bisedat normale. Hrushovi nuk e harroi kurrë atë episod me Stalinin. Më vonë, ai i’a atribuoi spastrimet dhe krimet e Stalinit paranojës ekstreme të tiranit. “Është fakti që ai nuk i besonte asnjëherë askujt”- shkruante Hrushovi në kujtimet e tij.
Kur Stalini fillonte të dyshonte për dikë, ai do ta vëzhgonte gjithnjë e me më shumë kujdes viktimën e tij të ardhshme. Pas një fare kohe, sipas Hrushovit, niveli i mosbesimit do të arrinte një pikë kritike, dhe i dyshuari do të eleminohej si shumë të tjerë para tij.
I ftuari tjetër sëbashku me Hrushovin në ato pushime të paharrueshme në Novi Afon, Anastas Mikojanu, u bë shpejt shënjestër e paranojës së Stalinit. Mikojani kishte punuar me Stalinin, dhe ishte një mbështetës i tij prej gati 3 dekadash. Ai ishte një besnik i tij. Por, kjo nuk kishte rëndësi për tiranin që kishte plot dyshime.
Stalini nisi ta kritikonte shokun e tij të vjetër. Mikojani e dinte se ishte i marrë fund. Shpëtoi vetëm falë vdekjes së Stalinit në vitin 1953. Vdekja e tiranit, shpëtoi potencialisht mijëra viktima të tjera të pafajshme nga një spastrim i ri i afërt, që Stalini kishte planifikuar disa muaj përpara se të ndërronte jetë.
Planifikimi nisi kur një nga mjekët personalë të liderit sovjetik, i sugjeroi pacientit të tij që për të ruajtur shëndetin t’i delegonte një pjesë të kompetencave të tij të tjerëve. Këshilla u interpretua nga udhëheqësi paranojak, si një dëshmi e qartë e një komploti kundër tij.
Të akuzuar për planifikimin e helmimit të Stalinit dhe zyrtarëve të tjerë sovjetikë, mjekët hebrenj u arrestuan. Burgu i Lubjanka, vendi famakeq i torturës dhe vrasjes së disidentëve sovjetikë dhe viktimave të tjera, ishte gati të priste një fluks tjetër të “armiqve të popullit”, siç kishte pasur gjatë spastrimeve të mëparshme.
Vdekja e Stalinit më 5 mars 1953, me gjasë pas një hemoragjie celebrale, 2 muaj pasi mjeku i tij i sugjeroi që të mos punonte aq shumë, shmangu spastrimin e “Komplotit të Doktorëve”, dhe mund të ketë shmangur një masakër të tmerrshme në Bashkimin Sovjetik.
Natyrisht, Stalini nuk ishte tirani i vetëm që shfaqte tipare paranoide të rëndësishme. Një prej mjekëve të Mao Ce Dunit, dr.Li Zhisui, vërejti shenjat e para të paranojës tek lideri kinez, kur Mao ishte 65 vjeç. Mao pohoi se pishina e tij ishte helmuar. Shtatë vjet më vonë, Mao u ankua se një nga shtëpitë e tij ishte “helmuese”.
Më vonë, ai kishte frikë se dikush po fshihej në papafingon e shtëpisë ku ai po qëndronte. U krye një kontroll dhe prej andej u dëbuan disa mace, por gjithsesi Mao u zhvendos në një rezidencë tjetër. Ditë më vonë, ai u zhvendos përsëri. Një vit më vonë, ai deklaroi se një nga ndërtesat në kompleksin e tij personal në Pekin ishte helmuar. Dr. Li, i cili shërbeu si mjek personal i Maos për më shumë se dy dekada, tha se paranoja e Maos zgjati deri në vdekjen e tiranit në moshën 83 vjeçare, në vitin 1976.
Paranoja, si një mjet mbijetese
Pavarësisht nga të dhënat se mendimi paranojak mund të prodhojë stres tek tiranët, ai mundet ndërkohë të jetë i dobishëm për ta. Së bashku me Makiavelianizmin dhe tiparet anti-sociale si mungesa e pendesës dhe e empatisë, paranoja mund t’i ndihmojë diktatorët që të mbijetojnë.
Efraim Karsh dhe Inari Rauci, intervistuan një të ftuar të veçantë të tiranit irakian për librin e tyre ”Saddam Husein: Një biografi politike”.
Jo shumë kohë pas ngjitjes së tij në pushtet në vitin 1979, Sadami i shpjegoi me qetësi të ftuarit të tij, se ai e dinte se “shumë njerëz po komplotojnë për të më vrarë, dhe kjo nuk është e vështirë për t’u kuptuar”. “Tek e fundit, a nuk kemi marrë edhe ne pushtetin duke komplotuar kundër paraardhësve tanë? Sidoqoftë, unë jam shumë më i zgjuar se ata. Unë e dija se ata po komplotojnë për të më vrarë, shumë kohë para se ata të fillonin të bënin këto plane. Kjo më dha mundësinë t’i godas ata para se të kenë mundësinë të më godasin mua”- tha diktatori irakian.
Shumë vite përpara se të përndiqeshin nga “Komplotet e doktorëve” dhe shtëpitë “helmuese”, Stalini dhe Mao, mund të kenë përfituar kur dyshimet e tyre i çuan të burgosnin dhe të vrisnin një numër të madh njerëzish të pafajshëm, dhe ndoshta mes tyre edhe komplotues. Të vrasësh shumë viktima të pafajshme, për të eleminuar një komplot, është në interesin më të mirë të një mendje tiranike. / dita