Familjet me të ardhura më të ulëta priren të shpenzojnë më shumë nga buxheti i tyre për energji sesa ato me të ardhura më të larta. Kur kalohet nga nivelet më të ulëta në nivelet më të larta të të ardhurave, shpenzimet e familjeve për energji si pjesë e shpenzimeve totale zvogëlohen me 8 për qind në Shqipëri dhe 4 për qind në Kroaci, Taxhikistan dhe Turqi (shiko grafikun e mëposhtëm), referon një studim i fundit i Bankës Botërorë për vendet 22 vende të rajonit Europës Juglindore dhe Azinë Qendrore (ECA).
Edhe para krizës së fundit energjetike, familjet më të varfra ndanin deri në 60 për qind të buxhetit të tyre për gjërat thelbësore si ushqimi, strehimi dhe energjia, të cilat lanë pak fonde të lira për ngrohje më të mirë dhe izolim.
Studimi i Bankës tregon se familjet rrezikojnë të bien në varfëri absolute kur çmimet e energjisë rriten. Rritjet e mëtejshme të çmimeve mund të shtyjnë shumë qytetarë në 22 vende të Rajonit ECA në varfëri ekstreme dhe përqindjen e popullsisë që nuk mund të mbajë banesën ngrohtë.
Nga të dhëna të tjera krahasuese Shqipëria është ndër vendet me nivelin më të lartë të varfërisë në Rajon dhe goditjet që mund të vijnë nga rritja e çmimeve të energjisë do të jenë më të larta.
Shumë familje gjithashtu kufizojnë kërkesën e tyre për ngrohje nën standardin normal. Kosova raportoi se mbi 40 për qind e popullsisë së saj nuk mund t’i mbante shtëpitë e tyre të ngrohta, më pas vijnë në renditje Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia e Veriut.
Kur analizohet popullsia që ka të ardhura 60 për qind më pak se mesatarja, Kosova dhe Shqipëria raportojnë respektivisht 53 dhe 58 për qind të të popullatës në këtë nivel të ardhurash që nuk mund të sigurojë ngrohje.
Mungesa e ngrohjes ka efekte të rënda që çojnë edhe në humbje jete. BB referon raporte që dokumentojnë për norma të larta të vdekjeve në dimër tek ata që jetojnë në temperatura të ulëta në banesat e tyre. Ka gjithashtu kostot shëndetësore që lidhen me ngarkesën shtesë në sistemet shëndetësore. Këto rreziqe janë shpesh më të rënda edhe për fëmijët dhe të moshuarit.
Vetëm 9 vende në Rajon ofrojnë skema mbështetëse, duke kompensuar familjet për ngrohjen e banesave, por shpesh ato janë jo efikase. Psh në Shqipëri subvencionet e energjisë elektrike janë kompensimi më i zakonshëm tek pensionistët me afërsisht 5 euro në muaj, ndërsa në Bosnje pothuajse 200 euro në muaj.
Nëse çmimet e ngrohjes bëhen të papërballueshme, familjeve shpesh u mbeten dy zgjedhje jo tërheqëse: të zvogëlojnë nivelet e ngrohjes në shtëpi ose kthehen mënyra të tjera me gaz ose dru të cilat shpesh kanë emetime më të larta.
/
monitor