Një gjykatë në Prishtinë vendosi masën e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve për vrasjen e një gruaje 30 vjeçare më 29 nëntor në Prishtinë, që nxiti reagime në shkallë të gjerë.
Vendimi pasoi një seancë gjyqësore më dyer të mbyllura, pas së cilës gjykata tha se masa e paraburgimit prej 30 ditësh iu shqiptua bashkëshortit të së vrarës, Naim Murseli për shkak të veprës penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Granit Plavës për veprën “vrasje e rëndë” dhe “armëmbajtje pa leje” dhe Kushtrim Kokallës për veprën “marrëveshja për të kryer vrasjen”.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M. Paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29 nëntor rreth orës 20:25 minuta, në fshatin Bernicë të Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000 eurosh”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Të mërkruën, Liridona Murseli, 30 vjeçe, u gjet e vrarë në një makinë. Fillimisht u tha se bëhej fjalë për veprën “grabitje” që çoi në vrasje. Bashkëshorti i kishte thënë policisë se vrasja ndodhi gjatë një përpjekjeje për plaçkitjen e tij derisa ndodhej duke lëvizur me makinë më gruan dhe dy fëmijët. Por më pas ai u arrestua së bashku me dy të tjerë lidhur me vrasjen.
Ndërsa po zhvillohej seanca, para ndërtesës së gjykatë organizata Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, protestoi me “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”.
Vrasja ndodhi në kohën kur në Kosovë po zhvillohet fushata 16 ditëshe kundër dhunës ndaj gruas me moton “bashkë kundër dhunës – sot dhe çdo ditë tjetër”, nxiti reagime të ashpra.
“Vrasja e Liridona Ademajt është krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar”, shkroi të shtunën presidentja e Kosovës Vjosa Osmani duke iu referuar të vrarës me mbiemrin e saj të vajzërisë. Që nga e premtja, në rrjetet sociale, kanë vërshuar kërkesat që Liridona të njihet me këtë mbiemër.
Policia e Kosovës tha se nga janari deri në tetor të këtij viti në Kosovë, janë raportuar mbi dy mijë e 100 raste të dhunës në familje. Nëntëdhjetë për qind e viktimave të kësaj dhune janë gratë.
Gjatë vitit të kaluar tri gra u vranë nga bashkëshortët e tyre, ndërsa nga viti 2010 deri në vitin 2022 në Kosovë janë vrarë 50 gra.