Protesta te bashkia/ Nisin tensionet, qytetarët bllokojnë rrugën
Nisin tensionet e para në protestën përpara Bashkisë së Tiranës.
Qytetarët kanë bllokuar rrugën, duke mos lejuar kalimin e mjeteve.
Policia ka tentuar të ndërhyjë, por qytetarët nuk kanë lejuar zhbllokimin e rrugës.
Protesta është thirrur pas skandalit të kompanisë së drejtorëve të Erion Veliajt.
Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës.
Këlliçi me mollë me vete: Protestat do të kulmojnë me largimin e Veliajt
Ish-kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, pjesëmarrës në këtë proteste që po mbahet para Bashkisë së Tiranës, ka gjetur një simbolikë për këtë tubim, ndërsa në duar mban një mollë.
Ai tha se me protesta do të largohet Veliaj nga vendi, arrestohet apo jo.
“Po presim dhe drejtuesit e mbrojtës së Teatrit. Protesta do të nisë. Qëllimi është që të ketë reagim ndaj një banditi, që çdo ditë vjedh taksat tona, për t’u pasuruar me taksat e qytetarëve dhe me banditët e tij si kompania 5D. Madje askush nuk ka marrë masa. Protestat do të kulmojnë me largimin e Veliajt nga zyra. Arrestohet apo jo Veliaj, ne do ta nxjerrim nga zyra”, tha ai.
Kujtojmë se pak ditë më parë zyrtarë të Bashkisë së Tiranës u arrestuan, mes tyre Mariglen Qato dhe Redi Molla.
Flamur Noka: Veliaj është simboli i babëzisë dhe kreu i inceneratorit
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka është bërë pjesë e protestës së organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrin.
Noka ka deklaruar se qytetarët po protestojnë pasi në krye të bashkisë së Tiranës është simboli i babëzisë dhe kreu i vjedhjes me skemën ‘5D’ dhe inceneratorëve .
“Ne jemi në rolin e protestuesit dhe në dijeninë tonë këtë protestë e ka organizuar Alenaca për Mbrojtjen e Teatrin. Qytetarët po protestojnë se këtu kanë simbolin e babazisë dhe kreun e inceneratorit të Tiranës.
Ne jemi sot në rolin e një qytetari në këtë protestë. Foto e publikuar dje, janë foto të resorteve turistike të pallateve në Tiranë të dhëna me lejen e Veliajt. Taksat e qytetarëve të Tiranës kanë shkuar për ndërtimin e pallateve dhe resorteve të drejtorëve të Veliajt.
Del në përgjime se Veliaj është ortak me to. Kur ka akuza të tilla, gjëja më minimale është që të dorëhiqet dhe të hetohet skandali.
I bëj thirrje drejtuesit të inceneratorit që të japë dorëheqje pasi ai nuk mund të përfaqësojë më qytetarët e Tiranës”.
Bardhi: Veliaj duhet të ishte në burg, ‘Skema 5D’, e shtrirë në çdo bashki
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, u bë pjesë e protestës së thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit përpara Bashkisë së Tiranës.
Bardhi është shprehur se Veliaj nuk do të duhej që të ishte në zyrën e kryetarit të bashkisë, por të shoqëronte pesë vartësit e tij në burg.
“Ne e kemi për detyrë që të jemi në mbështetje të protestuesve dhe qytetarëve të Tiranës.
Pa asnjë diskutim përbën shkak dhe ajo që ka ndodhur me Bashkinë e Tiranës, ku brenda një periudhe të shkurtër i kanë dhënë vetës 22 milionë euro është e qartë situata ku ka përfunduar qeverisja qendrore dhe ajo lokale.
Veliaj nuk do të duhet që të ishte në zyrën e kryetarit të bashkisë, por të shoqëronte pesë vartësit e tij në burg.
Ky nuk është një rast i shkëputur dhe është e njëjtë skemë e përdorur nga drejtuesi i ARRSH dhe është në çdo bashki të vendit që drejtohet nga socialistët.”
Protestuesit sulmojnë me vezë dhe mollë Bashkinë e Tiranës
Policia ka blinduar hyrjen e institicionit.
Por qytetarët po kërkojnë dorëheqjen e Veliajt.
Argita Malltezi në protestë me mesazhin e veçantë
Argita Malltezi, vajza e liderit të opozitës, Sali Berisha, është bërë pjesë e protestës para Bashkisë së Tiranës.
Ajo ka zgjedhur të përcjellë një mesazh në lidhje me të atin.
Bardhi: Veliaj duhet të ishte në burg, ‘Skema 5D’, e shtrirë në çdo bashki
Malltezi mban veshur një bluzë në të cilën ishte stampuar thënia “Lironi liderin e Opozitës”.
Protesta/ Skandal para bashkisë/ Nuk lejohet të futen këshilltarët e opozitës
Para Bashkisë së Tiranës, mbahet protesta e thirrur nga “Aleanca për Teatrin”, mbështetur edhe nga opozita.
Situata është tensionuar, në momentin që këshilltarët e Partisë Demokratike kanë tentuar të futen brenda bashkisë, por nuk janë lejuar nga policia, duke shkaktuar tensione dhe përplasje.
Pas këtij momenti, janë shtuar forcat e policisë të cilat janë të shumta dhe kanë krijuar një kordon rreth godinës.
Korrupsioni bashkiak – Protesta/ ‘S’keni punë me këshilltarët, arrestoni Veliajn!’/ Alimehmeti: Na lejoni të hyjmë në bashki!
Këshilltarët e opozitës në Bashkinë e Tiranës kanë kërkuar që të futen në institucion, për të vijuar punën.
Ka qenë Ilir Alimehmeti që të flasë me drejtorin e policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, ku i ka kërkuar që të futen brenda.
“Kush është komandanti këtu? Dua të flas me të. Zoti drejtor, a mund të hyjnë anëtarët e Këshillit? Kërkojmë të bëjmë detyrën tonë! Detyrë që na e ka ngarkuar populli. Çojmë kërkesë zyrtare për mbledhje urgjente!
Është firmosur nga dhjetëra anëtarë të Këshillit”, tha zoti Alimehmeti.
Ndërkohë, Tedi Blushi nga Partia e Lirisë ka thënë se: “S’kemi punë me këshilltarët, arrestoni Veliajn”.
Argita Malltezi: Veliaj, kopje e shëmtuar e Ramës, protesta do rrëzojë këtë sistem
“Unë jam me shpresë kjo shpresë do të mbështetet dhe do të ketë solidarizim nga masa e gjërë. Ky nuk është thjesht një kryebashkiak. Ky është një kryebashkiak që synon të jetë nesër kryeministër. Nëse doni që për 13 vite të tjera të keni një Edi Ramë –bis, por një model të shëmtuar të Edi Ramës, një kopje të shëmtuar të Edi Ramës…”
Fjala e znj. Argita Malltezi në protestën që po zhvillohet para Bashkisë së Tiranës.
Malltezi: Në fakt, prononcimi është tek pjesëmarrja e sotme dhe arsyeja pse është thirrur protesta. Ju shikoni sesi zullumi është trashur kaq shumë sa që sot ka arritur në përmasa të pakonceptueshme më përpara. Paratë e Buxhetit të Shtetit shkojnë menjëherë në xhepat e pushtetarëve, ditën për diell dhe pastaj justifikohen nga Erion Veliaj si “ca probleme teknike” me organizatën.
Këto janë gjëra që nuk ndodhin kurrë nëse nuk ka titulli pjesën e tij në këto fitime. Ju nuk keni parë ndonjë hetim nga SPAK në lidhje me këtë çështje, për sa i përket Erion Veliajt flas. Ka gjithashtu tentativa për ta minimizuar kualifikimin e veprës penale në “shpërdorim detyre”, ndërkohë që kjo është një vjedhje flagrante qindra milionëshe.
Sigurisht që protesta dhe reagimi popullor do t’i shërbejë jo vetëm rrëzimit të këtij sistemi dhe këtij modeli, që është një kancer për shoqërinë shqiptare, por në radhë të parë për çeljen e rrugës së ndërtimit të një modeli që të jetë i qëndrueshëm për të gjithë ata që duan të banojnë në Shqipëri, për të gjithë ata që duan t’i rrisin fëmijët e tyre në Shqipëri.
Kështu që unë jam me shpresë kjo shpresë do të mbështetet dhe do të ketë solidarizim nga masa e gjërë. Ky nuk është thjesht një kryebashkiak. Ky është një kryebashkiak që synon të jetë nesër kryeministër.
Nëse doni që për 13 vite të tjera të keni një Edi Ramë –bis, por një model të shëmtuar të Edi Ramës, një kopje të shëmtuar të Edi Ramës, atëherë mos reagoni; vazhdoni dhe ky do të jetë modeli që do të predominojë. Por unë jam e bindur që do të jetë e kundërta dhe që ashtu sikurse këta njerëz sot janë ngritur, kanë lënë punën e tyre dhe kanë ardhur për të reaguar kundër kësaj vjedhjeje, shumë të tjerë do t’i bashkohen kësaj kauze.”