Qarqet e biznesit, zyrtarë të qeverisë e të bashkisë organizuan edhe një tjetër panair pune, ku 130 firma paraqitën rreth 8 mijë vende të lira, nën parrullën “Shqipëria ka punë, por nevojiten profesionistë”.
Pavionet e firmave të ndryshme në panairin e punës po vizitohen nga mijëra të rinj dhe të papunë me shpresën për t’u punësuar në këtë kohë krize ekonomike.
Studiues të pavarur të ekonomisë pohojnë se papunësia është së paku 17 për qind dhe panaire të tilla janë përpjekje për të afruar kërkesat me ofertën.
“Krahas papunësisë së lartë, rreth 17.2 për qind, shumë më shqetësuese është papunësia tek të rinjtë që është në nivelet mbi 30-32 për qind. Kjo tregon që futja në tregun e punës për herë të parë, qoftë edhe për të rinj të diplomuar, është e vështirë. Ofertën më të madhe të vendeve të punës e kanë sektorët me të ardhura më të pakëta, me vlerë të shtuar më të vogël dhe me paga të ulëta, që janë industritë tekstile dhe me fason” – tha prof. Adrian Civici, drejtues i Universitetit Europian të Tiranës.
Gazetarë të ekonomisë pohojnë, pasi vizituan panairin, se njerëzve u ofrohen në të punë, që nuk i bëjnë dot, por papunësia e vërtetë është shumë më e madhe se sa ajo e shifrave zyrtare.
“17 për qind janë ata që kërkojnë punë në mënyrë aktive, 50 për qind janë ata që e kanë një punë dhe pjesa tjetër janë të papunë të dëshpëruar, shtëpiakë. Te ky 50 përqindshi i punësuar, gjysma janë të vetëpunësuar në bujqësi, të cilët rastësisht jetojnë në fshat dhe mund të merrnin edhe një punë në qytet, nëse do ta genin” – tha Gjergj Erebara, gazetar i rrjetit ballkanik të lajmeve BIRN.
Ofertat e panairit duken të paarritshme për vëzhguesit e ekonomisë, të cilët vërejnë se firmat prodhuese po funksionojnë nën kapacitet, sepse qeveria nuk ofron lehtësira dhe klimë të përshtatshme, që ato të zgjerojnë veprimtarinë dhe vendet e punës.
“Bizneset janë goditur nga barra e lartë e taksave, nga mjedisi i papërshtatshëm i biznesit, nga konkurrenca e pandershme. Statistikat tregojnë që bizneset i shfrytëzojnë kapacitetet 60-70 për qind. Kur ato nuk shfrytëzojnë kapacitetet që kanë, nuk mund të pretendojmë që ata të investojnë më shumë, që të shtojë vendet e punës” – thotë Ornela Liperi, drejtuese e revistës ekonomike Monitor.
Specialistët vënë re se ndryshimet në strukturën e ekonomisë nuk ndiqen sa duhet nga universitetet, në mënyrë që nga auditorët të dalin ata profesionistë që kërkon tregu i punës. Profesori i ekonomisë, Adrian Civici, një nga drejtuesit kryesorë të Universitetit Europian të Tiranës, thotë se cilësitë e punëkërkuesve nuk përputhen me kërkesat e tregut të punës.
“Mendojmë se po përballemi me dy dukuri: nga një anë kemi shumë njerëz të pakualifikuar, që kërkojnë dhe ka pak vende pune për ta, ndërsa nga ana tjetër kemi një tablo të përmbysur, pra, ka vende pune që kërkojnë shumë kualifikim, por ka pak kërkesa të njerëzve të kualifikuar për to në mënyrë specifike. Ky panair këtë evidentoi më shumë: një mospërputhje strukturore midis kërkesës dhe ofertës për punë” – tha zoti Civici.
Nga ana tjetër, zoti Erebara thotë se tingëllojnë fyese dhe paradoksale shprehjet për dembelizëm dhe mungesë profesionistësh, sepse në fakt, profesionistët janë dhe po ikin masivisht nga Shqipëria, por nevojitet një qeverisje me profesionistë.
“Tipari kryesor i tregut të punës sot është emigirimi, i cili po rrëmben pjesën më aktive dhe më të arsimuar dhe më të aftë të popullsisë. Vitin e kaluar 2.5 për qind e popullsisë u largua nga vendi. Rreth 70 mijë veta ikën në Gjermani. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, edhe pse kishte 4 vjet luftë, nuk ikën kaq shumë njerëz nga Shqipëria. Vetëm në vitin 2015 janë larguar më shumë njerëz nga Shqipëria se sa janë larguar gjatë Luftës së Dytë Botërore” – tha zoti Erebara.
Nga ndërmarrjet shtetërore punëdhënësi më i madh është OSHEE, ndërsa nga privatët punëdhënësit më të mëdhenj janë zyrat call center dhe firmat e prodhimeve tekstile e këpucë me fason, ku pagat nuk shkojnë më shumë se 150 dollarë në muaj dhe ku fitimi kryesor del nga shfrytëzimi i krahut të lirë të punës.
“Sipas INSTAT, rreth 60 për qind e brezit të aftë për të shkuar në shkollë ka një universitet. Kjo përqindje është më e lartë se në Gjermani dhe në Zvicër, sepse ata janë më të orientuar drejt arsimit profesional. Për mua, të thuash se punë ka, por duhen profesionistë, përveç fyerjes ndaj të rinjve, që janë të zgjuar, flasin shumë gjuhë, shkojnë në shkolla dhe mësojnë, është një përpjekje për të fshehur paaftësinë e qeverisë në vitet e fundit për të krijuar një mjedis të përshtatshëm ekonomik, që bizneset të investojnë dhe të hapin vende pune” – tha analistja Liperi.
Gjatë dy tremujorëve të fundit, papunësia është rritur më shumë te femrat dhe më pak te meshkujt, ndërsa në gjysmën e popullatës që jeton në fshat ajo nuk matet, sepse konsiderohet a priori e vetëpunësuar në bujqësi.za
Komentet