Një nga ngjarjet kulmore të Ditës së 31-të Botërore të Rinisë, Udha e Kryqit, në Blonia, pikërisht atje ku mbrëmë të rinjtë ishin në festë, ndërsa sot, personazhe të ngjarjes më të madhe, që i ndau përgjysëm epokat e historisë. Nisi tri orë para se të arrinte Papa, me filmime, dëshmi, lutje e këngë. Tema e kremtimit me Papën ishte: “Udha e Kryqit, Udhë e Mëshirës”. Stacion pas stacioni u ndërruan edhe grupet, që mbartën kryqin: të rinj nga shoqata, vende e gjuhë të ndryshme: polakë, anglezë, francezë… e edhe shqiptarë… Pas lutjes së Udhës së Kryqit, rreth orës 17.00, Papa ia drejtoi përsëri fjalën të rinjve.
“Pata uri e më dhatë të ha,
pata etje e më dhatë të pi,
isha shtegtar e më përbujtët,
isha i zhveshur e më veshët,
i sëmurë e erdhët të më shihni,
isha në burg e erdhët tek unë.”
Këto fjalë të Jezusit vihen përballë pyetjes, që na tingëllon shpesh në mendje e në zemër: “Ku është Zoti?”. Ku është Zoti, nëse në botë vijon e keqja, ka njerëz të uritur, të etur, të pastrehë, të shpërngulur, refugjatë?
Kështu e nisi Papa fjalën drejtuar të rinjve, në përfundim të Udhës së Kryqit…Për të vijuar me pyetje retorike tronditëse, që përsëriten nga breznia në brezni…
Ku është Zoti?
Ku është Zoti?” – vijoi të përsërisë pyetjen, që bëhet kur njerëzit e pafajshëm vdesin për shkak të dhunës, të terrorizmit, të luftërave? Ku është Zoti, kur sëmundje të pashërueshme këpusin lidhjet e jetës e të dashurisë? Ku është, kur fëmijët shfrytëzohen, poshtërohen, vuajnë nga sëmundje të rënda? Ku është Zoti, përballë shqetësimit të dyshimtarëve e të atyre, që jeta ua këput shpirtin?
Pyetje, për të cilat nuk ka përgjigje njerëzore. Kështu u shpreh Papa, duke kujtuar se në raste të tilla tragjike, mundemi vetëm t’ia ngulin sytë Jezusit e t’ia drejtojmë këtë pyetje vetëm Atij. E Krishti do të na përgjigjet: “Zoti është në ta”. Unë jam në ta, vuaj me ta, sikur të formonim një korp të vetëm!
Vetë Jezusi deshi të bëhej një me këta vëllezër e motra – vijoi Papa – me këta njerëz të vënë në provë nga dhimbja e ankthi, duke pranuar të përshkojë udhën e dhimbshme drejt Kalvarit. Ai, duke vdekur në kryq, na dorëzon në duart e Atit e merr mbi vete e në vete, me dashurinë që dhurohet, plagët fizike, morale e shpirtërore të mbarë njerëzimit. Duke rrokur drurin e kryqit, vijoi t’u drejtohej të rinjve Françesku, Jezusi rrok lakuriqësinë e urinë, etjen e vetminë, dhimbjen e vdekjen e burrave e të grave të të gjitha kohëve. Sonte Jezusi, e ne në Të, përqafon me dashuri të posaçme vëllezërit tanë sirianë, të ikur nga lufta.
E nësa i kujtonte, Françesku e ftoi turmën pa fund të të rinjve t’i përshëndesë e t’i mirëpresë me dashuri vëllazërore e simpati.
T’i përngjajmë Zotit, përmes veprave të mëshirës
Duke përshkuar Udhën e Kryqit të Krishtit, zbuluam rëndësinë që ka përpjekja për t’i përngjarë, përmes 14 veprave të mëshirës, që na ndihmojnë ta hapim zemrën për mëshirën e Zotit, për t’i kërkuar hirin që ta kuptojmë se pa mëshirën e Tij, njeriu nuk mund të bëjë asgjë. Kështu u shpreh Papa, për të kujtuar, pastaj, shtatë veprat e mëshirës trupore: t’u japim për të ngrënë të uriturve; të pijnë, të eturve; të veshim të zhveshurin; të përbujmë shtegtarin; të mjekojmë të sëmurët; të vizitojmë të burgosurit, të varrosim të vdekurit.
Ku është Zoti?
Falas morëm. Falas të japim. Jemi të thirrur t’i shërbejmë Krishtit të kryqëzuar në çdo njeri të flakur nga radhët e shoqërisë, ta prekim korpin e Tij të bekuar në njeriun e përjashtuar, në atë, që ka uri, ka etje, është i zhveshur, i burgosur, i sëmurë, i papunë, i persekutuar, refugjat, mërgimtar:
“Aty e gjejmë Zotin tonë, aty e prekim Zotin. Na e tha vetë Jezu Krishti, duke na shpjeguar protokollin, mbi bazën e të cilit do të gjykohemi: ‘Sa herë t’ia bëjmë këtë më të voglit nga vëllezërit tanë, ia kemi bërë Atij’” (Mt 25,31-46).
Këtë ua kujtoi Papa të rinjve, e edhe gjithë të krishterëve, pas Udhës së Kryqit, për të vijuar me veprat e mëshirës shpirtërore: të këshillosh dyshimtarët, të mësosh të paditurit, të qortosh mëkatarët, të ngushëllosh të munduarit, t’i falësh fyrjet, të mbartësh me durim njerëzit e bezdisshëm, t’i lutesh Zotit për të gjallë e të vdekur. Vetëm kështu njerëzit mund të besojnë se jemi të krishterë të vërtetë – theksoi me forcë Françesku.
Më pas, duke iu drejtuar të rinjve, u kujtoi se bota ka nevojë për burra e gra e, sidomos për të rinj, si ata që po e dëgjonin, të gatshëm për ta shkrirë jetën në shërbim të vëllezërve më të ligshtë, pa kërkuar asnjë shpërblim, duke i përngjarë kështu Krishtit, që dhuroi gjithë vetveten për shpëtimin tonë.
Kush nuk jeton për të shërbyer, nuk shërben për të jetuar.
“Përballë së keqes, vuajtjes, mëkatit, e vetmja përgjigje e mundshme për dishepullin e Krishtit, është dhurimi i vetes edhe i jetës, për t’i ngjarë Krishtit. Nëse ndokush nuk jeton për të shërbyer, nuk shërben për të jetuar. E mohon Jezusin me vetë jetën e tij!”.
Pastaj, ftesa e Papës drejtuar të rinjve, që e ndiqnin me vëmendje, në këtë natë krejt të posaçme që, me Udhën e Kryqit, i çoi dymijë vjet mbrapa, kur nisi udha, që i mblodhi këto ditë nga të katër anët e botës, në Krakov të Polonisë:
Protagonistë në shërbim
“Sonte Zoti ju përsërit ftesën për t’u bërë protagonistë në shërbim. Zoti ju kërkon t’i jepni përgjigje konkrete nevojave të njerëzimit; kërkon të jeni shenjë e dashurisë së Tij të mëshirshme për kohën tonë! Ai ju kërkon të ndiqni Udhën e Kryqit! Udhë e lumturisë, për ta ndjekur Zotin deri në fund të fundit, në rrethanat shpesh dramatike të jetës së përditshme. Është udhë, që nuk trembet nga mossukseset, nga mënjanimet, nga vetmitë, sepse e mbush zemrën e njeriut me Jezusin”.
Udha e Kryqit është udha e jetës dhe e stilit të Zotit, që Krishti na bën ta përshkojmë edhe përmes shtigjeve të një shoqërie nganjëherë të përçarë, të padrejtë, të korruptuar.
Udha e Kryqit është e vetmja që e mund mëkatin
“Udha e Kryqit është e vetmja që e mund mëkatin, të keqen, vdekjen, sepse të çon në dritën rrezatuese të ngjalljes së Krishtit, duke të hapur horizontet e jetës së re e të përkryer. Është udha e shpresës dhe e ardhmërisë. Kush e përshkon me fe, i jep shpresë e ardhmëri mbarë njerëzimit”.
Mos e harroni kurrë Kryqin!
Të dashur të rinj, vijoi Papa, në atë të Premte të Madhe, shumë dishepuj u kthyen të trishtuar në shtëpitë e tyre, të tjerë zgjodhën shtëpitë e fshatit, për ta harruar kryqin. E, duke ndjekur stilin e tij, tipik për komunikimin me besimtarët, e sidomos me të rinjtë, Papa e përfundoi këtë fjalë dramatike, si ishte edhe vetë kremtimi, me një pyetje: “Si doni të ktheheni sonte në shtëpitë tuaja, në vendet ku përbuheni? Si do të ktheheni sonte, për t’u takuar me vetveten? Secilit prej jush i përket t’i përgjigjet sfidës së kësaj pyetjeje!
Françesku u largua nga Sheshi i Blonias duke u lënë pas të rinjve jehonën e kësaj pyetjeje. Pas darke doli përsëri në dritaren e kryeipeshkvisë, për të përshëndetur besimtarët e mbledhur në shesh. Përshëndetjen kryesore ua drejtoi të sëmurëve, të pastrehëve, të gjymtuarve. (Radio Vatikani)
Komentet