Voal – Papa Françesku bëri sot të njohura disa ndryshime radikale për Kishën Katolike, në procesin e komplikuar të zgjidhjes së martesave.
Papa u dha autoritet peshkopëve në mbarë botën që t’i gjykojnë vetë me shpejtësi shumë kërkesa për zgjidhje martese, duke eliminuar kështu një proces tepër të gjatë.
Një këshilltar i Papës tha se në shumicën e rasteve zgjidhja e martesave do të mund të bëhet brenda 45 ditësh dhe sipas urdhërti papal, çiftet nuk duhet t’i paguajnë më kishës për këtë ritual.
Kisha Katolike nuk e njeh divorcin, por çiftet kërkonin anulimin e martesës, më parë në një proces të stërzgjatur.
Papa reformoi procesin kanonik përsa i përket deklarimit të pavlefshmërisë së martesës, duke kërkuar të favorizohet përshpejtimi i proceseve, por jo anulimi i martesave. Sot në mesditë, u paraqitën në Vatikan nga gjashtë njerëz të Kishës, kryesuar nga dekani i Gjykatës kishtare “Sacra Rota”, imzot Pio Vito Pinto, dy letrat “motu proprio” të Atit të Shenjtë, që ndryshojnë në disa pika Kodin e së Drejtës Kanonike dhe të Drejtën Kanonike të Kishave Lindore. Ato quhen “Mitis Iudex Dominus Iesus” e “Mitis et misericors Iesus”.
Papa reformon procesin e anulimit të martesës
Procedura falas, mjafton një vendim i vetëm
Një nga risitë është se do të ketë një proces kanonik më të shpejtë, me gjykatës ipeshkvin dioqezan, i cili mund të deklarojë pavlefshmërinë e martesës, aty ku shkaqet “janë të qarta”. Procedurat do të jenë falas.
Gjithashtu, do të mjaftojë vetëm një vendim në favor të pavlefshmërisë e jo dy vendime të njëjta, siç ka qenë procedura deri tani. “Duket se ka ardhur koha – lexohet në Motu Proprio – që të mos kërkohet më një vendim i dyfishtë dhe i njëjtë në favor të pavlefshmërisë së martesës, në mënyrë që palët të pranohen për një martesë të re në kishë, por të jetë e mjaftueshme siguria morale e arritur nga gjykatësi i parë, sipas normave të së drejtës”.
Në përkim me Sinodin për familjen
Në përkim të plotë me idetë, që dolën nga Sinodi i jashtëzakonshëm për familjen, Papa Françesku shpjegon se me këtë Motu Proprio dëshiron të japë “direktiva, me të cilat të favorizohet përshpejtimi i proceseve e jo anulimi i martesës, si edhe thjeshtësia e duhur, që, për shkak të vonesës në gjykim, zemrat e besimtarëve, të cilët presin sqarimin e gjendjes së tyre, të mos shtypen më gjatë nga hijet e dyshimit”.
Proces më i thjeshtë e njëkohësisht, falas: këtë kërkon Papa. “Përveç pagesës së drejtë e dinjitoze për veprimtarët e gjykatave – nënvizon në Motu Proprio – të sigurohen procedura falas, që Kisha, duke u treguar nënë bujare për besimtarët, në një fushë të lidhur kaq ngushtë me shpëtimin e shpirtrave, ta bëjë të dukshme dashurinë falas të Krishtit, prej së cilës jemi shëlbuar të gjithë”.
Rrethanat, që lejojnë shpalljen e pavlefshmërisë
Në nenin 5 të ligjit kanonik 1683, Motu Proprio përcakton se “ipeshkvit dioqezan i takon të gjykojë çështjet e pavlefshmërisë së martesës me një proces më të shpejtë, sa herë që kërkesa të paraqitet nga të dy bashkëshortët, ose nga njëri prej tyre, me miratimin e tjetrit”; ose kur “paraqiten rrethana, fakte e njerëz, mbështetur nga dëshmi ose dokumente, që nuk kërkojnë ndonjë hetim apo ndonjë shqyrtim më të hollësishëm, duke e bërë të dukshme pavlefshmërinë”.
Në kapitullin V shpjegohen rrethanat, që lejojnë trajtimin e çështjes së pavlefshmërisë nga ipeshkvi me anë të procesit të shpejtë, që i shtohet procesit me dokumentim, në fuqi deri tani. “Mungesa e fesë, që mund të sjellë simulimin e konsensusit ose gabimin që përcakton vullnetin, koha e shkurtër e bashkëjetesës bashkoshortore, aborti i kryer për të penguar lindjen e fëmijëve, këmbëngulja për të jetuar një marrëdhënie jashtëmartesore në të njëjtën kohë me martesën apo edhe menjëherë pas saj, fshehja e qëllimshme e shterpësisë ose e ndonjë sëmundjeje të rëndë ngjitëse ose e fëmijëve të lindur nga marrëdhënie të mëparshme ose e burgosjes”. Ndër arsyet e tjera, lexohet edhe “dhuna fizike me qëllim pranimin e martesës”, si edhe “mungesa e përdorimit të arsyes e provuar nga dokumente mjekësore”.
Gjykatësi unik, nën përgjegjësinë e ipeshkvit
“Caktimi i gjykatësit të vetëm, gjithsesi klerik, në radhë të parë është përgjegjësi e ipeshkvit, i cili, me përgjegjësinë baritore të pushtetit të vet gjyqësor duhet të sigurojë që të mos ketë asnjë lloj lasizmi”, lexohet në Letrën Apostolike “Mitis Iudex Dominus Iesus”. Vetë ipeshkvi është gjykatës për besimtarët e vet kur nuk është e mundur krijimi i një Gjykate kolegjiale. Bariut të dioqezës i kërkohet të shndërrojë strukturat kishtare e të mos e lerë problemin e martesës vetëm në dorë të Kuries.
Apelimi, sipas Motu Proprio-s, do të bëhet në selinë ipeshkvnore metropolitane të provincës kishtare e vetëm në shkallën e fundit, çështja mund t’i kalojë Vatikanit, përmes Gjykatës “Rota Romana”. E siç thekson Papa Françesku, është shqetësimi për shpëtimin e shpirtrave, ai që e nxiti Pasardhësin e Shën Pjetrit t’u japë ipeshkvijve këtë dokument reforme, në vazhdimësi me kërkesat e Sinodit të jashtëzakonshëm për Familjen, që ritheksuan se martesa është “faktor përcaktues dhe zanafillë e familjes së krishterë”./RV
Komentet