Kriza e komunikimit e priftit jezuit në Shkodër At Valentinit arriti kështu në kulmin e saj. Dhe nuk është për t’u çuditur që i ndodhi kështu. Shqipëria e vitit 1922 kur Zef Valentini erdhi për herë të parë në vendin tonë ishte një vend i trazuar, me përplasje të mprehta politike, shoqërore, kulturore. Por këtu duhet thënë se kjo krizë komunikimi nuk ishte një gjë që po i ndodhte vetëm atij, apo vetëm misionarëve të huaj katolikë që vinin në Shqipëri. Të gjithë intelektualët shqiptarë që vinin në atdhe nga Perëndimi, kanë kaluar një krizë të tillë shpirtërore, shumë prej tyre nuk e kapërcyen dot atë dhe u larguan nga vendi. Faik Konica është emri më i shquar që të vjen ndërmend ndër këta njerëz. Gjatë dhjetë vjetëve që At Valentini qëndroi pothuajse pa ndërprerje në Shqipëri (1932-1942) këtë krizë komunikimi e kaluan edhe vetë të dërguarit e Selisë së Shenjtë, Nuncët Apostolikë (ambasadorët) e Papës në Shqipëri.
Në 1928, në kulmin e krizës së komunikimit të At Valentinit në mjedisin shqiptar, dhe pas dy vjetësh të tjerë qëndrimi në Shqipëri, atij i duhej të shkonte përsëri në Itali, në Chieri, për të bërë periudhën dyvjeçare të studimeve për teologji, sipas rregullave të Shoqërisë së Jezuit. Ai kishte vendosur që të kërkonte transferimin nga misioni i tij në Shqipëri në një vend tjetër. Kjo do të kishte qenë një humbje e pariparueshme për kulturën shqiptare. Studimet për teologji vazhduan deri në 1930, vit në të cilin normalisht At Zef Valentini duhet të kthehej në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe qëndrimi në Itali ai u dorëzua prift, një hap i rëndësishëm ky për një person që kishte hyrë në Shoqërinë e Jezuit. Sidoqoftë këtu kemi një periudhë disi të errët në jetën e Valentinit, se ai nuk erdhi në Shqipëri deri në 1932. Pikërisht në vitin 1932, kur kishte kërkuar që të transferohej si misionar në një vend tjetër, duke e lënë detyrën që kishte marrë në Shqipëri, rasti apo më saktë Providenca e solli që të takonte Papa Piu XI .Çdo anëtar i Shoqërisë së Jezuit përgatitet për të qenë një misionar, atje ku Papa do të vendosë ta dërgojë atë. Në vitin1922, kur Zef Valentini, që tanimë ishte bërë anëtar i Shoqërisë së Jezuit, ishte i gatshëm për të marrë përsipër detyra si misionar, në Vatikan ishte zgjedhur një Papë i ri, Piu XI. I quajtur më parë Ambrogio Damiano Achille Ratti ai kishte qenë një studiues dhe bibliotekar i njohur. Papa Piu XI ishte ai që e bëri shenjt Thomas More-n (Tomas Morin), filozofin e famshëm, autorin e librit “Utopia”, duke bërë me këtë një gjest kuptimplotë të përkushtimit të kishës ndaj dijes dhe kulturës në veçanti. Për këtë Piu XI do të themelonte Akademinë Pontifikale të Shkencave në 1936, pikërisht një vit pas kanunizimit të Thomas More. Kuptohet se ky Papë ia kishte idenë rëndësisë së një lloji të veçantë misionare, asaj kulturore. Ishte në sajë të frymës që krijoi Piu XI që At Zef Valentini erdhi në Shqipëri si misionar kulturor. Këtë e ka pohuar njëfarësoj vetë ai në një shkrim me rastin e vdekjes së Papa Piu XI, në 1939, të cilin e quan “Papa i kulturës”. Në këtë shkrim, me titull “Pius XI si e njofta un…” At Zef Valentini tregon për një audiencë (takim) që Pius XI i dha atij në 1932:
Kur e pash (ishte ba shtatëdhjetëepesë vjecar), ndejun në polithronë përpara tryezës së gjanë së “studimit privat”, m’u duk krejt ndryshej: hieje atnore e pagjtë, e dashtun, pak e lodhun, shëje duarsh të randa, shikim pak i trishtueshëm.
Ai ndejun, un nder giuj të mëdhaj bri Ti. Fjalët e Tija më biejshin së nelti, së lergu, si prei qielle; un s’guxojshe me e këqyrë.
Më pyeti:
-Ti pra kënke me zyrë në…
-Në Shkodër, Shëjtni- i përgjegja tue çue syt.
Çka më pa!Kishte ndrrue fetyrë: i gjalë si bdër fotopgrafina! E nisi hollë e hollë tue më përvetë,ishte sjellë kahë unë,pak si i përkulun mbi mue ,tue m’i ngul ata sy ,si thue thithë fjalët e mia.
Përfundoi. Vetë me gjikime të kadalshme e të prehta.
U çova, bana gjenufleksjonin; me i puthë kambën si e ka riti, ishte vshtirë pse kishte truesen perpara: më dha dorën me ja puthë. Ja putha, e bana kinse me dalë.
Por Ai dorën teme e kishte në dorë të vet e s’më la. Nisi me kallxue kujtimet e tija të vjetra: kur ishte prift i ri e studimtar i ri, e shkruente mbi Shqipni e mbi histori të sai n’atë “Giardinetto di Maria” të D. Tedeschi-t, tue ndihmue temelimin e Misionit Shetitës Shqiptar të P. Musati-t e të P. Pasi-t.
Ikallzova dishka permbi veprimin kulturuer t’ institutevet e të botimeve katholike të Shqipnis: Ishte rinjallë bibliothekari i dikurshëm, shëndritte Papa i Madh i Universiteteve Kishtare, i Konstitucjonit “Deus scientiarum Dominus”!
Pesë minuta kishe ndejë nder giuj tue folë për punë, njizet minuta më ndali në kambë tue më mbajtë doren në doren e vetë të gjanë tue folë kulturë shqiptare!
Dola me të tanë nji program në mende time.
Këtu nuk mund të mos pyesim se çfarë u bë me dilemat që kishte pasur At Valentini para se të hynte në takimin me Papën për misionin e tij në Shqipëri, çfarë u bë me dëshirën e tij për t’u transferuar nga Shqipëria në një vend tjetër? Të gjitha këto u zhdukën, ashtu siç zhduknin shenjtorët një sëmundje të keqe, me një mrekulli. Me At Valentinin u bë një mrekulli, por ne nuk mund ta themi këtë fjalë në kuptimin e plotë që i jep Kisha Katolike, se kjo nuk është njohur zyrtarisht si një mrekulli, por ne nuk kemi besim se këtu nuk ka një mrekulli. Tanimë At Zef Valentini ishte më i vendosur se kurrë të kthehej si misionar në Shqipëri, madje ai e dinte dhe se çfarë duhej të bënte: Krizën ai do ta kapërcente duke i vënë vetes detyra edhe më të madha se ato që kishte pasur në fillim. Nuk do të ishte thjesht mësues, por një misionar i vërtetë kulturor, do të krijonte një revistë kulturore, do të kërkonte të rrezatonte kulturë jo vetëm te nxënësit e tij, por në të gjithë Shkodrën, madje në të gjithë Shqipërinë. “Dola me të tanë nji program në mende time.” thotë At Zef Valentini për largimin e tij nga takimi me Papa Piu XI. Një nga gjërat që të bën përshtypje në këtë ngjarje të madhe është se Papa Piu XI bisedon me At Valentinin sikur ky i fundit të ishte një shqiptar! Papa Piu XI, dashamirësi i madh i shqiptarëve, u kënaq nga takimi me At Valentinin sikur të kishte takuar një shqiptar. E pra, kjo ishte një bisedë mes dy italianëve, dy klerikëve katolikë që e donin shumë Shqipërinë dhe shqiptarët. Sa shqiptarë kanë pasur me njëri-tjetrin biseda kaq të vlefshme për kulturën shqiptare sa kjo mes këtyre dy italianëve, nga të cilët njëri ishte Papë dhe tjetri një at jezuit misionar?
At Valentinit që ecte në galeritë e Vatikanit i vinte ndër- mend historia e një misionari tjetër të madh jezuit në Shqipëri, që kishte qenë këtu para tij dhe kishte themeluar Kolegjin Saverian, At Luigi Mazza.
Biseda me Papa Piu XI dhe shembulli i Atë Luigi Mazza dhe i njerëzve si ai, duhet ta kenë bindur At Valentinin që ta provonte edhe një herë sfidën e misionarit në Shqipëri. Është një fat i madh për kulturën shqiptare. Ata që e njohin katërçipërisht veprën e At Valentinit në korpusin e plotë të saj, e kuptojnë mirë se sa e madhe dhe e pazëvendësueshme do të kishte qenë humbja nëse jezuiti i ri do ta kishte braktisur Shqipërinë. Koha tregoi se asnjë nga misionarët e tjerë bashkëkohës të tij nuk mund ta zëvëndësonte atë si misionar kulturor.Duket që At Zef Valentini është shumë mirnjohës ndaj Papa Piu Xl që e yshti të mos heq dorë nga misioni në Shqipëri. Kjo kuptohet nga mënyrë se si ai e përfundon këtë shkrim përkujtimor për Papa Piu Xl :
Kam pasë rasë ma vonë me e njoftë edhe pa folë me të. Nder kërkime të shumta nëpër vizare kulturore të Romës për të xjerrë kujtimet e kohvet kur Shqipnija tjetër mik të vërtetë s’pat posë Papvet, nji gja e vejshe oroe: në kurrnji qanderr tjeter kulturore nuk gjejshe rregullim, sherbim, perkrahje e ndimë, vegla, pasuni, materjali, aq të mira e të mëdhaja sa nder institute papnore: Bibliotheka e Arkivi Vatikan, Kongregacjoni i Studimevet, Universiteti Gregorjan, Institut Orjental.
E gjithkund m’ipej me pa nji rrasë mermeri. Piu XI temeloi, Piu XI vendoi, Piu XI pasunoi, Piu XI rregulloi.
E atëherë më dukej se e shifshe prep me sy e ndiejshe me vesh
Papën e Kulturës.
Më dukej se nën hieje të ti punojshem
Fjalia e fundit ku At Valentini thotë se i dukej se në Shqipëri punonte nën hijen e Papa Piu XI është kuptimplotë. Pasi e kemi njohur lexuesin me artikullin e cituar më lart të At Valentinit, ne nuk mund të mos bëjmë pyetjen se vallë cili shqiptar, qoftë edhe katolik, e ka përshkruar në mënyrë kaq të ndjerë dhe me kaq mjeshtëri një takim me Papën në Vatikan? Me këtë nuk dua të them se shqiptarët që kanë pasur rastin të takohen me një Papë në Vatikan nuk e kanë ndjerë thellë këtë rast të madh të jetës së tyre, por të ndjesh dhe të kesh shtysën për të përshkruar nuk janë e njëjta gjë.
Në kohën që At Zef Valentini shkruante kështu për Papa
Piu XI ai nuk mund ta dinte se ky Papë kishte dhe një lidhje tjetër speciale me shqiptarët. Piu XI ishte Papa që shpalli shenjtore Therese de Lisieux, murgeshën karmelitane franceze e cila vdiq në moshën 24 vjeç nga tuberkulozi, në 1897. Papa Piu XI e bëri këtë gjë në 1925, tre vjet para se Anjeze (Gonxhe) Bojaxhiu të bëhej murgeshë. Anjeza, e frymëzuar nga kjo shenjtore, mori emrin e saj, sipas rregullave të urdhrit fetar që kërkonte që murgeshat e reja të merrnin një emër të ri. Kështu që Piu XI është dyfish i lidhur me shqiptarët.
Si Anjeze Bojaxhiu, ashtu dhe Zef Valentini zgjodhën misionarinë, fillimisht të dy në fushën e kulturës. Më pas Nënë Tereza u përqendrua në fushën e bamirësisë si të thuash materiale, për lehtësimin sadopak të privimeve materiale të të varfërve, të plotësimit sadopak të nevojave të tyre për ushqime dhe ilaçe, të shuarjes së urisë dhe kurimit të sëmundjeve të tyre. Sigurisht që qëllimi i Nënë Terezës nuk ishte vetëm që të lehtësonte sadopak vuajtjet fizike të njerëzve, çfarë janë në fund të fundit uria dhe sëmundjet, por e bënte këtë edhe për t’i bërë njerëzit që të kthenin fytyrën nga Zoti, që të ngjallte virtytin në shpirtin e tyre dhe t’i bënte të ndiqnin shembullin e bamirësisë. At Valentini zgjodhi rrugën e asaj që ndoshta mund të quhet si filantropi kulturore, ndonëse mua më pëlqen më tepër termi “misionari kulturore”. Si ndodhi që Kisha Katolike pati si figurën e saj më të madhe në shekullin XX Nënë Terezën, bamirësen materiale, si të thuash, dhe nuk u lartësua figura e një misionari kulturor si At Valentini? Ne guxojmë të themi se ndoshta misionaria së cilës i hyri At Valentini i përket shekullit XXI, dhe ai i parapriu kurorëzimit të saj. Shekulli XXI me siguri do të na japë një misionar kulturor katolik të kalibrit të
Nënë Terezës. Në këtë këndvështrim At Valentini shfaqet si një pionier.
Fakti që At Valentini zgjodhi kulturën si fushën e misionit të tij, dhe iu përkushtua kësaj deri në fund të jetës, nuk do të thotë aspak se ai ishte i pandjeshëm ndaj vuajtjeve të njerëzve për shkak të mungesave materiale. Aq më tepër ai nuk mund të ishte indiferent për këto lloj vuajtjesh se e kishte kaluar një përvojë të tillë në familjen e tij të varfër. Padova dhe në përgjithësi krahina venete e kohës kur lindi dhe u rrit Zef Valentini qenë një mjedis i përshtatshëm për të vërejtur këto lloj fenomenesh sociale. Krahina venete së cilës i përkiste Padova ishte pjesa më e varfër e Italisë së Veriut. Polarizimi social në këtë trevë ishte më i dukshëm se në pjesët e tjera të Italisë së Veriut. Kur Zef Valentini arriti në një moshë të pjekur, kur edhe bëri zgjedhjen për fushën e tij të misionarisë, ai ishte i vetëdijshëm për pasojat që sillte polarizimi social. Mund të kishte zgjedhur që t’i lehtësonte ato sadopak me bamirësi. Por ai besonte se ai vetë mund të arrinte rezultate më të mëdha duke bërë misionarin kulturor, sa ç’do të kishte arritur duke u përqendruar në llojin e misionarisë bamirëse, që më pas mori kuptim të plotë me veprën dhe emrin e Nënë Terezës.
Në audiencën e tij të parë pasi u zgjodh Papë, në mars 2013, Shenjtëria e tij, Papa Francesco I shpalli moton e tij që është: “Një Kishë e varfër për të varfrit”.
Kjo moto e Papës jezuit është e ngjashme me atë të Nënë Terezës, e cila të mos harrojmë është frymëzuar dhe përgatitur nga jezuitët. Në qoftë se kjo moto është e drejtë sa u përket të mirave materiale, në rastin e kulturës që ka krijuar Kisha Katolike në shekuj, kjo moto meriton të thuhet: “Një Kishë e pasur për të varfrit”. Kultura është pasuria më e madhe që Kisha Katolike grumbulloi dhe e ndau me bujari gjatë 2000 vjetëve. At Valentini ishte shembulli i atyre klerikëve që krijuan këtë pasuri të pamasë dhe e shpërndanë bujarisht atë për popujtdhe individët që do t’u duhej kohë të kuptonin vlerën e kësaj dhurate. Në rastin e Valentinit, shqiptarët ende nuk e kanë kuptuar plotësisht, për vetë rrethanat në të cilat kaloi vendi ynë.