Në përfundim të audiencës së përgjithshme Papa dënoi ashpër “masakrën” në qytezën ukrainase, pak kilometra larg Kievit, prej nga u përhapën fotografitë e kufomave të civilëve flakur në mes të rrugëve. Përsëriti thirrjen “për ta ndaluar vringëllimën e armëve” e më pas shpalosi një flamur, sjellë pikërisht nga Bucha dhe priti në podium një grup fëmijësh ardhur dje nga Ukraina. “E rëndë, të çrrënjosesh nga trojet tuaja për shkak të luftës”
R.SH. – Vatikan
Në përfundim të audiencës së përgjithshme Papa dënoi ashpër “masakrën” në qytezën ukrainase, pak kilometra larg Kievit, prej nga u përhapën fotografitë e kufomave të civilëve flakur në mes të rrugëve. Përsëriti thirrjen “për ta ndaluar vringëllimën e armëve” e më pas shpalosi një flamur, sjellë pikërisht nga Bucha dhe priti në podium një grup fëmijësh ardhur dje nga Ukraina. “E rëndë, të çrrënjosesh nga trojet tuaja për shkak të luftës”.
Papa Françesku: në Bucha, mizori gjithnjë më të tmerrshme. Të marrë fund lufta!
“Masakër, që të bën ta lartosh britmën deri në qiell: “T’i jepet fund kësaj lufte, të heshtin armët, mjaft më me vdekje e shkatërrim”. Françesku ngriti zërin në Sallën Pali VI, ndërsa kishte parasysh më se 70 kufoma civilësh të flakura në mes të rrugës, me duar të lidhura përmbrapa, në Bucha, qytezë ukrainase, pak kilometra larg Kievit, foto, që u shpërndanë nga autoritetet e vendit, njëherësh me padinë për gropat e përbashkëta. Fotograme tmerri, që zemëruan mbarë botën, e për të cilat, nga të katër anët, po ngrihen zëra që kërkojnë të nisin hetimet për “krime lufte”.
“Masakër” e quajti Papa Françesku në përfundim të audiencës së përgjithshme. “Lajmet e fundit mbi luftën në Ukrainë, në vend që të sjellin lehtësim e shpresë, po sjellin përsëri mandata mbi mizoritë, si ato të Bucha-s”, kujtoi, për të shprehur, më pas gjithë indinjatën e tij:
“Mizori gjithnjë më të tmerrshme, kundra civilëve, grave e fëmijëve të pafajshëm. Janë viktima, gjaku i pafaj i të cilëve bërtet deri në Qiell e lutet: ‘T’i jepet fund kësaj lufte! Të heshtin armët! Mjaft më me vdekje e shkatërrime!’”.
Një flamur nga Bucha
Papa u kërkoi besimtarëve të luten për këtë e, me kokë ulur, u ndalua për disa çaste në një heshtim të thellë. Më pas u ngrit në këmbë e tregoi një flamur me dy tonalitete të blerta, sipër të cilit, një kryq e fjalë të shkruara në ukrainisht. “Dje, pikërisht nga Bucha – kujtoi Papa – ma sollën këtë flamur. Vjen nga lufta, nga qyteti i martirizuar i Buchës”.
Përshëndetje e dhurata fëmijëve
Pas pak, në podium u ngjitën disa fëmijë ukrainas, shoqëruar nga prindërit, që e rrethuan Papën. Më i vogli ishte në krahët e së ëmës, më i madhi mbante një vizatim me dy duar të bardha, mbi ngjyrat e flamurit ukrainas e një zemër pranë flamurit të Italisë, që i mirëpriti. E Papa kujtoi:
“Këta fëmijë u detyruan të ikin e të vijnë në një tokë të huaj: këto janë frytet e luftës. Nuk duhet t’i harrojmë! E, sidomos, nuk duhet harruar populli ukrainas”.
Papa e palosi flamurin, pasi e pati puthur e bekuar. Pastaj u dhuroi fëmijëve vezë pashkësh – e, sidomos – ledhatime, gjeste dashurie për kë vijon të jetojë me drithmat e tmerrit, që i panë sytë, me zhurmën e bombave, që i dëgjuan veshët, me zemrën e ngrirë nga shtegtimi i gjatë larg nga atmja, larg nga streha, larg nga të dashurit, që vijojnë luftën atje larg, e nuk dihet nëse janë ende gjallë!
E rëndë, të çrrënjosesh nga toka jote!
Nuk është hera e parë që Papa ua qan hallin ukrainasve dhe të gjithë atyre, që detyrohen të braktisin ç’kanë më të dashur: Atdheun. E kujtoi këtë edhe gjatë shtegtimit në avion, në kthim nga Malta. Që aty e kujtoi edhe ngjarjen e Bucha-s, që sapo ia kishte treguar një nga kronistët:
“Lufta është gjithnjë mizore, çnjerëzore, që i kundërvihet shpirtit njerëzor, nuk po them kristian, po njerëzor”- pati thënë Papa në avion, duke shtuar: “Është shpirti i Kainit, shpirt ‘kainist’”.
Falënderim polakëve
Me vështrimin drejtuar gjithnjë nga Ukraina, Papa i falënderoi besimtarët polakë – ata që ishin të pranishëm në sallë, e edhe ata, që lidheshin me sallën përmes mediave – për frymën e mikpritjes me të cilën i pranuan refugjatët ukrainas. Gati tre milionë, sipas statistikave. “Treguat një bujari të jashtëzakonshme e shembullore për vëllezërit tanë ukrainas, të cilëve ua hapët zemrat dhe portat e shtëpive tuaja”- u tha Papa – që përfundoi duke i bekuar:
“Zoti e bekoftë Atdheun tuaj për këtë solidaritet, e jua tregoftë fytyrën e Tij”.
Komentet