Qindra letrat që Papa Gjon Pali II i ka shkruar një gruaje filozofe, tregojnë për një miqësi “të guximshme” dhe sugjerojnë se gruaja mund të ketë qenë e dashuruar në krun e Kishës Katolike, ka thënë udhëheqësi i Bibliotekës Kombëtare në Poloni, Tomasz Makowski.
Letrat midis Papës dhe filozofes polako-amerikane, Anna-Teresa Tymieniecka, janë bërë publike për BBC-në pak ditë më parë.
Ato janë mbajtur larg publikut në Bibliotekën Kombëtare të Polonisë për vite të tëra.
Megjithatë, nuk ka asnjë sugjerim se Papa ka thyer zotimin e tij për beqari.
Miqësia e tyre ka nisur në vitin 1973 kur Tymieniecka ka kontaktuar papën, në atë kohë kryepeshkop i Krakovit, për një libër për filozofinë që ai ka shkruar.
Në atë kohë, Tymieniecka, 50 vjeçe, ka shkuar nga SHBA-ja në Poloni për të diskutuar për punë me papën.
Menjëherë pas këtij takimi, çifti ka nisur të shkëmbejë letra. Kjo marrëdhënie ka zgjatur mbi 30 vjet.
Papa ka vdekur në vitin 2005, ndërsa Tymieniecka më 2014.
“Kur i kam lexuar letrat, kam parë se ka qenë një miqësi e vështirë, për shumë arsye, dhe e guximshme sepse Papa Gjon Pali II ka qenë njëri nga zyrtarët e parë të kishës që nuk ka pasur frikë të bashkëpunojë me gra”, ka thënë Makowski për agjencinë AP, duke shtuar se të dy ata kanë pasur karaktere të forta.
Komentet