Një ortodoks, një budist e dy myslimanë, ndërmjet 12 të burgosurve, të cilëve Papa Françesku u lau sot pasdite këmbët, gjatë meshës së Darkës së Mbrame, kremtuar në burgun romak “Regina Coeli”. Në orën 16.00, në sheshin e rrumbullakët brenda burgut, në rrugën Lungara 29, ashtu si shën Gjon Pali II në vitin 2000, i Lumi Pali VI më 1964 e shën Gjoni XXIII në vitin 1958, Ati i Shenjtë kremtoi meshën për më se 600 të burgosur, 65% të rinj të huaj.
Papa e kupton shpirtin e të burgosurve
“E ndjejnë si mik me zemër të madhe, të aftë të kuptojë edhe shpirtin e të burgosurve”, nënvizon kapelani i burgut të Trasteveres, atë Vittorio Trani, i cili zgjodhi ata, që Papa u lau këmbët në ritin e së Enjtes së Madhe, në kujtim të gjestit të Krishtit për apostujt. Atë Trani i zgjodhi duke pasur parasysh kombësinë e fenë për t’i mundësuar vërtet gjithë botës së vuajtur të burgut të përfaqësohej në këtë përqafim me Papën. Vizita e Françeskut në burgun romak, përveç kremtimit eukaristik, ishte edhe takim me të burgosurit e sëmurë në infermierinë e strukturës, si edhe me ata të Seksionit VIII, që vuajnë dënime për krime me natyrë seksuale, ose kanë nevojë për mbrojtje të veçantë nga sulme të mundshme të të burgosurve të tjerë.
Homelia e Papës
“Larja e këmbëve. Këmbët, në atë kohë, laheshin nga skllevërit”, u tha Papa të burgosurve në homeli. “E Jezusi deshi ta bënte këtë shërbim, për të na dhënë shembullin si duhet t’i shërbejmë njëri-tjetrit”. Pastaj, kujtoi dishepujt, që i patën kërkuar Jezusit një vend të rëndësishëm, njëri në të djathtë e tjetri në të majtë të Tij. Deshën të komandonin.
“Kush komandon – bëri një paralelizëm me krerët e politikanët e sotëm, Papa – duhet të shërbejë. Kreu juaj duhet të jetë shërbëtori juaj. Jezusi e përmbys zakonin historik, kulturor të kohës – edhe këtë të epokës së sotme…”
Jezusi rrezikon, sepse na do
Sa luftra e vrasje do të ishin shmangur, nëse krerët e politikanët e sotëm do ta kishin parasysh këtë gjë, vijoi Papa. Jezusi u jep rëndësi të mënjanuarve e pikërisht për ta kujtuar si u përul për t’u bërë shërbëtor i të tjerëve, Papa shkoi sot në mes të të burgosurve, edhe ata, konsideruar të fundmit e shoqërisë:
“Sot, jam mëkatar si ju, por përfaqësoj Jezusin. Sot, jam ambasador i Jezusit. Sot, kur të përkulem mbi secilin prej jush, mendoni: “Jezusi rrezikoi në këtë njeri, në këtë mëkatar, që të vijë tek unë e të më thotë se më do”. Ky është shërbimi, ky është Krishti: nuk na braktis kurrë; nuk lodhet kurrë së na faluri”.
Asnjë dënim të mos përjetohet pa shpresë
Pasi përfundoi mesha, Papa dëgjoi përshëndetjen e falenderimin e një të burgosuri e pati një këshillë të fundit për të gjithë të dënuarit:
“Ҫdo dënim duhet të ketë parasysh horizontin e shpresës. Prandaj, dënimi me vdekje nuk është as njerëzor, as i krishterë. Ҫdo dënim duhet t’i hapet shpresës, integrimit, qoftë edhe për ta përdorur përvojën e jetuar në të mirë të njerëzve të tjerë. Ujin e ringjalljes, vështrimin e ri, shpresën… këto ju uroj”.
Në vitin 2013, ndër të miturit e Casal del Marmo
Papa Françesku kremtoi meshën “in Coena Domini” me të burgosurit edhe në vitin 2013, më 2015 e vitin e kaluar. Është traditë, të cilën e ndjek që nga koha kur ishte kryeipeshkëv i Buenos Ajresit. Më 28 mars 2013, vetëm dy javë pas zgjedhjes, shkoi në burgun për të mitur në Casal del Marmo, gjithnjë në Romë. E pati thënë:
“Ta ndihmojmë njëri-tjetrin: këtë na mëson Jezusi e këtë bëj edhe unë. Dhe e bëj me zemër, sepse e kam për detyrë. Si prift dhe si ipeshkëv duhet të jem në shërbimin tuaj”.
Në Don Gnocchi, lau këmbë nga e gjithë bota
Të Enjten e Madhe të vitit 2014, më 17 prill, Papa Françesku viziton qendrën rehabilituese romake “Zoja e Provanisë Hyjnore” e Fondacionit “don Gnocchi” dhe u lan këmbët paraplegjikëve të çdo moshe, etnie e feje. Nga Osvaldinjo, 16 vjeçari i Kepit të Gjelbërt, në karrige me rrota pas një zhytjeje të pafat në det, tek Hamed, 75 vjeçari mysliman nga Libia, me dëmtime të mëdha neurologjike pas një aksidenti rrugor. Atyre dhe rreth 500 vetëve jashtë kishës, Papa u kujton trashëgiminë e Krishtit:
“Ai është Zot e u bë shërbëtor, shërbëtori ynë. Kjo është trashëgimia. Edhe ju duhet të jeni shërbëtorë të njëri-tjetrit. Ai e bëri këtë udhë për dashuri: edhe ju duhet të duheni e të jeni shërbëtorë në dashuri”.
Në Rebibbia: Jezusi na do të gjithëve
Në vitin 2015, më 2 prill, Papa Bergoglio kthehet në një burg, kësaj radhe në atë të Rebibbia-s. Kur mbërrin përshëndet e puth një e nga një 300 të burgosurit, që e prisnin për meshën e darkës së Mbrame.
“Dashuria e Jezusit për ne nuk ka kufi – nënvizon në homeli – gjithnjë e më shumë, gjithnjë e më shumë. Nuk lodhet së dashuri. I do të gjithë aq, sa jep jetën për secilin prej nesh: …për ty, për mua, për atë tjetrin atje… për secilin, me emër e mbiemër. Dashuria e Tij është kështu: personale”.
Ndër emigrantët e Castelnuovo di Porto
Më 13 prill 2016, Ati i Shenjtë shkon në Qendrën për azilkërkuesit në Castelnuovo di Porto, në portat e Romës. E presin 900 refugjatë e vullnetarë. Vetëm pak ditë më parë, Isis pati realizuar një atentat të tmerrshëm në Bruksel. E Papa, duke akuzuar fabrikuesit e trafikantët e armëve, që duan gjak e jo paqe, shpjegon larjen e këmbëve, duke bërë thirrje për vëllazërim:
“Sot, në këtë çast, kur do të bëj gjestin e Jezusit, që u lan këmbët të 12-ve, të gjithë ne bëjmë një gjest vëllazërimi e të gjithë ne themi: ‘Jemi të ndryshëm, kemi kultura e fe të ndryshme, por jemi vëllezër e duam të jetojmë në paqe”.
Në burgun e Palianos: shërbëtor për dashuri
Vitin e kaluar, më 16 prill, Papa Françesku shkon në një burg jashtë Romës, në Paliano, në provincën e Frozinones. Ndër të 12-ët e larjes së këmbëve, edhe një shqiptar. Papa u kujton se Jezusi, duke qenë kreu i Kishës, diti të bëhej skllav për ne e të na dojë deri në fund:
“Ka një përmbysje rolesh: ai, që duket më i madhi, duhet të bëjë punën e skllavit, por për të mbjellë dashuri. Nëse ju mund të ndihmoni, të bëni ndonjë shërbim, këtu në burg, për një shoqe a një shok, bëjeni. Sepse kjo është dashuri, kjo do të thotë t’u lash këmbët. E të jesh shërbëtor i të tjerëve”.
Komentet