Kush është në shërbim të jetës nuk mund të ndjekë interesat ekonomike, në dëm të së mirës së përbashkët. Kështu u tha Papa Françesku pjesëmarrësve të Asamblesë së përgjithshme të Akademisë Papnore për Jetën, të cilit i priti në audiencë në Vatikan.
Ati i Shenjtë tërhoqi vëmendjen ndaj faktit se në kohën e sotme, natyra njerëzore konsiderohet si një masë amorfe, së cilës mund t’i jepet çfarëdolloj forme, me rrezikun për ta quajtur të mirën, të keqe dhe anasjelltas.
Shumë institucione impenjohen t’i shërbejnë jetës, por ka edhe shumë struktura, që shqetësohen vetëm për interesin e tyre ekonomik, denoncoi Ati i Shenjtë. Në kohën tonë, disa orientime kulturore nuk e njohin më gjurmën e urtisë hyjnore në realitetet e krijuara e madje, as tek njeriu:
“Natyra njerëzore reduktohet kështu në nivelin e materies së thjeshtë, të plazmueshme sipas çfarëdolloj plani. Në të vërtetë, humaniteti ynë është unik dhe shumë i çmuar në sytë e Zotit! Prandaj, natyra e parë për t’u ruajtur, që të sjellë fryte, është vetë humaniteti ynë. Duhet ta ushqejmë me ajrin e pastër të lirisë e me ujin gjallërues të së vërtetës, ta mbrojmë nga helmet e egoizmit dhe të gënjeshtrës”.
Ta pranojmë e të kujdesemi për jetën e njeriut
Papa nënvizoi urgjencën e pranimit dhe të kujdesit për jetën e njeriut, sipas dinjitetit, që i takon në çdo rrethanë:
“Kultura bashkëkohore i ruan akoma premisat për të pohuar se njeriu, sido që të jenë kushtet e tij të jetesës, është vlerë për t’u mbrojtur; megjithatë, jeta është shpesh viktimë e pasigurive morale, që nuk lejojnë mbrojtjen e frytshme të saj. Jo rrallë, pastaj, mund të ndodhë që, në emër të virtyteve, të maskohen ‘vese të shkëlqyera’”.
Është dinamika e zemrës së ngurtësuar, nënvizoi më tej Papa. Sa më shumë që zemra të priret drejt egoizmit dhe së keqes, aq më e vështirë është të ndryshojë. E nëse zemra korruptohet, pasojat për jetën shoqërore janë shumë të rënda, sepse njerëzit shkojnë vetëm pas interesit vetjak, deri në gjakderdhjen e dhunën kundër të pafajshmëve.
Virtyti, shtoi më tej Françesku, nuk është çështje “kozmetike”, nuk është zbukurim i jashtëm, por ai që çrrënjos nga zemra dëshirat e pandershme e na bën ta kërkojmë me sinqeritet të mirën. Normat, që sanksionojnë respektin për njerëzit, nuk mjaftojnë për të arritur të mirën e njeriut. Janë virtytet e atyre që punojnë për promovimin e jetës, theksoi Papa, garancia e fundit për respektimin e së mirës:“Sot, nuk mungojnë njohuritë shkencore dhe mjetet teknike, në gjendje të ofrojnë mbështetje për jetën njerëzore, në ato situata ku ajo është e dobët. Por, nganjëherë, mungon humaniteti. Sjellja e mirë nuk është zbatim i drejtë i etikës, por presupozon interesin e vërtetë për njeriun e brishtë. Mjekët dhe të gjithë veprimtarët e shëndetësisë të mos harrojnë kurrë së bashkuari shkencën, teknikën e humanitetin”.
Komentet