Papa Françesku ka ftuar në drekë 12 refugjatë sirianë, me ç’rast fëmijët i treguan atij vizatimet e tyre, që paraqisnin luftën dhe largimin e tyre dramatik nga Siria përmes detit.
Refugjatët ishin të njëjtit që u sollën në Itali nga Papa, pas udhëtimit të tij të para disa muajve në Greqi, ku kishte vizituar migrantët në ishullin e Lesbosit.
Ata i treguan Papës për jetën e tyre të re në Itali.
Shtatë fëmijët e ftuar ishin pjesë e grupit prej 21 refugjatëve sirianë që kanë nisur një jetë të re në Itali, pas ndërhyrjes së Papës, pas vizitës që ky i fundit realizoi në prill në ishullin grek të Lesbosit.
“Ishte një moment familjar, i prekshëm…ata flisnin italisht, pasi janë duke e mësuar këtë gjuhë…ata i treguan Papës për jetën e tyre, nga vijnë, për vendin e tyre, qytetin e tyre, por edhe për gjërat që po i bëjnë në Romë”, tha Daniela Pompei, nga komuniteti Saint’Egidio, që aktualisht po përkujdeset për familjet e refugjatëve.
Refugjatët erdhën në Itali në dy grupe: në prill dhe qershor.
Komentet