Papa, gjatë Meshës së Natës, do të pagëzojë tetë të rritur, një shqiptar
Në këtë natë, nënë e të gjitha netëve të pagjumë, Françesku do të pagëzojë 8 të rritur, 3 gra e 5 burra, ndërmjet 28 e 52 vjetëve. Janë 4 italianë, 1 shqiptar, 1 nigerian, 1 amerikan e 1 peruviane. Gjatë kremtimit, besimtarët do të luten posaçërisht për familjet, të varfërit, të vuajturit e, sidomos, për barinjtë, që të kenë etje për shëlbimin e çdo njeriu.
Mesha e Ditës së Pashkëve dhe Bekimi Urbi et Orbi – Romës e Botës
Nesër Papa do të kryesojë Meshën e Ditës së Pashkëve, duke nisur nga ora 10.00, në Sheshin e Shën Pjetrit. Ungjilli do të shpallet si në latinisht, ashtu edhe në greqisht. Gjatë lutjeve, besimtarët do të kërkojnë për Papën dhe ipeshkvijtë e mbarë Kishës, dhuratën e sinqeritetit ungjillor dhe të pasionit apostolik; do të ketë lutje edhe për rregulltarët, që të jenë dëshmitarë gazmorë të realiteteve të ardhshme; e akoma, lutje për paqen, drejtësinë, vëllazërimin në mbarë botën e që të marrin fund mllefe e përçarje.
Në orën 12.00, nga Lozha Qendrore e Bazilikës së Vatikanit, Ati i Shenjtë do të lexojë mesazhin e Pashkëve dhe do të japë Bekimin e tij apostolik si dhe ndjesën e plotë në formën e vendosur nga Kisha.
Sheshi i Shën Pjetrit tashmë është stolisur me mijëra lule, ardhur nga Holanda!
Pashkët, festa më e rëndësishme e fesë sonë
Të mërkurën e kaluar, gjatë audiencës së përgjithshme Papa theksoi se Pashkët janë festa më e rëndësishme e vitit, qendra e fesë sonë dhe e shpresës sonë, është kerygma, që e ungjillëzon vazhdimisht Kishën e cila, nga ana e saj, dërgohet të ungjillëzojë.
Shën Pali e përmbledh ngjarjen e Pashkëve në këtë shprehje: “Krishti ‑ Qengji ynë i Pashkëve ‑ tanimë u flijua (1 Kor 5,7). Prandaj “Gjërat e vjetra kaluan e lindën të rejat(2 Kor 5,15). E me një formulë tjetër sintetike, shpjegon se Krishti “u flijua për fajet tona dhe u ngjall për shfajësimin tonë (Rom 4,25).
Kujtimi i këtyre ngjarjeve themelore bëhet kremtim plot mirënjohje e, njëkohësisht, përtërin në shpirtin e të pagëzuarve ndjenjën e kushtit të ri, të cilin, gjithnjë Shën Pali Apostull e shpreh kështu: “Nëse, pra, u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, e jo… këto përmbi tokë (Kol 3,1-3).
(Radio Vatikani)
Komentet