Me vendim të Papës Françesku, në Koncistorin e sotëm përfaqësohen në Kolegjin kardinalor disa vende, që më parë as përmendeshin: Republika Qendroafrikane, Malajzia, Lesoto, Papua Nuova Guinea, Bangladeshi, Ishujt Mauricius dhe së fundi, Shqipëria, vendi i kardinalit më të moshuar. Është don Ernest Simoni (Troshani), 90 vjeçar, që akoma e konsideron veten meshtar të thjeshtë e që nuk të lë t’ia puthësh duart, pavarësisht se më shumë se kushdo tjetër, do ta meritonte t’ia puthin ato dy duar, që kanë mbajtur kazmën për 18 vjet në minierat e Spaçit e kanë pastruar kanalet e ujrave të zeza, në atë kohë ateiste komunistësh, kur nuk u lejuan të lartonin Hosten Shenjte.
Gazetari italian Mimmo Muolo, autori i librit “Don Ernest Simoni – nga puna e detyruar në takimin me Françeskun”, kujton se gjatë takimit me Papën në audiencën e përgjithshme, kardinali i ardhshëm dhe Ati i Shenjtë gati u zunë për t’ia puthur dorën njëri-tjetrit, por qe e pamundur të përmbahej Françesku, që u përlot nga fjalët e don Ernestit gjatë vizitës në Tiranë. “Fitoi” Papa e qe udhëheqësi shpirtëror i katolikëve të mbarë botës ai, që u përkul për t’ia puthur dorën kardinalit.
Kur e takoi Atin e Shenjtë në Tiranë, i pati treguar: “Më vunë hekurat duke m’i lidhur krahët pas shpinës dhe, duke më goditur me shkelma, me futën në makinën e tyre. Nga kisha më çuan në dhomat e izolimit, ku më lanë për tre muaj në kushte çnjerëzore jetese. Ashtu të lidhur më çuan në hetuesi. Kryehetuesi më tha: “Ty do të të varim në litar si armik, sepse i ke thënë popullit që të vdesim të gjithë për Krishtin po qe nevoja”. M’i shtrënguan hekurat aq fort në duar saqë gati me penguan sistolacionin e zemrës e gati pata vdekur. Donin të më bënin të flisja kundër fesë dhe kundër hierarkisë kishtare. Unë nuk pranova asgjë. Nga torturat rashë gati i vdekur. Kur e panë këtë, hetuesit më liruan. Zoti deshi që të vazhdoja të jetoja”.
Gjatë meshës për lumnimin e 38 martirëve të komunizmit, pati kuptim e u preku zemrat të gjithëve ai procesion i ngadaltë, që çonte në elter eshtrat e 10 prej tyre. Kryesohej nga don Ernesti, që mbante me kujdes në duar kutinë prej druri, ku dergjeshin dhjetë prej bashkëvuajtësve të tij, para të cilëve është konsideruar gjithnjë i padenjë. Pas tij, me qiri në dorë, duke ndjekur hapin e ngadalshëm të kardinalit të ri, motër Marie Kaleta, edhe ajo e mbijetuar nga egërsia e 50 vjetëve të diktaturës, por edhe e bija e Qerim Sadikut, si për të treguar se trashëgimia e atyre që vuajtën, që u torturuan, që pësuan mbi trupin e tyre mundimet e Krishtit, kalon në brezat e ardhshëm.
E merr kështu kuptim edhe përgjigjja e kardinalit kur e pyet për këtë nder të madh, që i bëri Papa Françesku atij dhe gjithë shqiptarëve. “Këto – vëren don Ernesti për rroben e kuqe të kardinalatit, për unazën e kësulën – duhet me i lanë të gjitha këtu; asgja s’merr me vedi n’at’jetë”. Meshtari i moshuar e di se para Zotit nuk do të shkojë me unazën e kardinalit, por me dëshminë e persekutimit e me pastërtinë e shpirtit të atij, që nuk e mohoi kurrë Krishtin e fenë e vet në Birin e Hyjit. Por do të shkojë edhe me zemrën e qetë të atij që nuk mban mëri e inate, sepse ka pasur guximin t’i falë torturuesit e vet, për të mos i lënë vend urrejtjes.
Po cilët janë kardinajtë e tjerë jashtë skemave të zakonshme? Ndërsa Ernest Simoni është më i moshuari, 49-vjeçari Dieudonne’ Nzapalainga është më i riu. Mbërrin në Romë, për të marrë unazën e kësulën kardinalore, i shoqëruar nga imami i bashkësisë myslimane dhe nga pastori ungjillor i Banguit, qyteti i plagosur nga konfliktet etnike e ku vetë Papa shkoi për të hapur Portën Shenjte të Vitit Jubilar të Mëshirës, para se të hapte atë të Bazilikës së Shën Pjetrit.
“Mua më pëlqen që në kolegjin kardinalor të shihet universaliteti i Kishës, jo vetëm qendra evropiane”, pati premtuar Ati i Shenjtë para disa muajsh e kështu u bë. E njëjta logjikë mund të shihet në të vetmin kardinal italian me të drejtë vote në Konklavin e ardhshëm: Mario Zenari, nunc apostolik “në Sirinë e dashur e të martirizuar”, që do të vazhdojë misionin e tij në Damask, në mesin e atij populli të vuajtur.
Një karakteristikë tjetër e këtij Koncistori është se ndërmjet kardinajve të ri nuk ka asnjë nga Kuria Romake. I vetmi ndërmjet tyre, prefekti i Dikasterit për laikatin dhe familjen, imzot Farell, i cili s’mund të konsiderohet kurial, pasi është emëruar vetëm në gusht të këtij viti, domethënë pas vendimit për krijimin e kardinajve. Pra, me kardinajtë e rinj, Papa Françesku dëshiron t’i thotë Kishës se duhet të shohë në përvojat periferike të saj, që Ati i Shenjtë i konsideron me forcë të jashtëzakonshme shpirtërore për krishterimin e sotëm. Radio Vatikani
Komentet