Papa Françesku u nis sot, në orën 08.20, nga aeroporti romak i Fiumicinos, për shtegtimin e tij të 17-të apostolik ndërkombëtar të papnisë, drejt Suedisë: u ftua nga Federata Luterane Botërore (Lwf) për 500-vjetorin e Reformës së Martin Luterit. Shtegtimi ka karakter të fortë ekumenik, gjë që e tregojnë dy takimet e sotme të Papës: riti në Katedralen e Lund dhe një veprimtari me dëshmi në Malmö Arena; ndërsa nesër, festa e Gjithë Shenjtorëve, do të kremtojë Meshën pranë stadiumit të Malmö për katolikët suedezë. Në Meshë janë ftuar edhe përfaqësues të Federatës Luterane. Gjatë shtegtimit në Suedi Françesku do të mbajë katër fjalime publike, përfshirë homelinë e Meshës me katolikët dhe lutjen e Engjëllit të Tënzot. Nuk është Papa i parë, që shkel në trojet e Suedisë. Ku vend ka pritur edhe Gjon Palin II, në vitin 1989.
Papa arriti në orën 11.00 në aeroportin e Malmö, ku u mbajt edhe pritja zyrtare tek këmbët e shkallëzës së avionit, nga ana e kryeministrit suedez, Stefan Lofven dhe të ministres së kulturës, zonjës Alice Bah-Kuhnke. Ishin të pranishëm edhe autoritete të tjera si dhe disa anëtarë të Lwf (Federatës luterane botërore). Në këtë ceremoni nuk patir fjalime. Menjëherë pas, në seksionin e personaliteteve vërtet të rëndësishme (Vip) në aeroport, Françesku takoi privatisht kryeministrin dhe ministren e kulturës. Menjëherë pas këtyre takimeve, zhvendosja me makinë për rreth 42 kilometra, në Igelosa, ku Papa u përbuajt gjatë këtij shtegtimi të shkurtër. Është një strukturë e madhe për kërkime mjekësore, ku zhvillohen edhe takimet e Konferencës ipeshkvnore suedeze.
Shtegtimi Apostolik i Papes Françesku në Suedi. Lutja Ekumenike. Në ora 14.30 në Katedralen Luterane në Lund, në Suedi, u mbajt Lutja e Përbashkët Ekumenike. Posa mbërrini në Katedrale, Papa Françesku u prit nga Primati i Kishës së Suedisë, Kryipeshkvi Antje Arborelius, me të cilin përshkuan procesionin drejt altarit qendror. Në procesion më tej morën pjesë edhe disa përfaqësues të Lutheran World Federtion (LWF). Gjatë kremtimit, pas këngëve e leximeve biblike e pas sermonit (homelisë) të Sekretarit të Përgjithshëm të LWF, të nderuarit Martin Junge, Ati i Shenjtë Bergoglio shqiptoi homelinë, të cilën po sjellim në vazhdim:
“Rrini në mua e unë në ju!” (Gjn 15,4). Këto fjalë, shqiptuar nga Jezusi gjatë Darkës së Mbrame, na lejojnë t’i afrohemi Zemrës së Krishtit pak para se të dhurohej përfundimisht mbi kryq. Mund t’i dëgjojmë rrahjet e zemrës së Tij për ne e dëshirën e Tij për unitetin e të gjithë atyre, të cilët besojnë në Të. Na thotë se Ai është hardhia e vërtetë e ne, shermendët: e, ashtu si Ai është i bashkuar me Atin, kështu edhe ne duhet të jemi të bashkuar me Të, në se duam të sjellim fryt.
Në këtë takim lutjeje, këtu në Lund, duam të shprehim dëshirën që të mbetemi të bashkuar me Të, për të pasur jetë. I kërkojmë: “Zot, na ndihmo, me hirin tënd, të jemi më të bashkuar me ty, për të dhënë një dëshmi më të frytshme feje, shprese e dashurie”. E edhe një çast, që ta falënderojmë Zotin për angazhimin e shumë prej vëllezërve tanë të bashkësive të ndryshme kishtare, që nuk u dorëzuan përballë ndarjes, por e mbajtën të gjallë shpresën e pajtimit ndërmjet të gjithë atyre, që besojnë në të njëjtin Zot.
Katolikë e luteranë nisën të ecin së bashku në udhën e pajtimit. Tani, në rrethanat e përkujtimit të përbashkët të Reformës së 1517-tës, kemi një mundësi të re ta mirëpresim edhe udhën e përbashkët, që mori formë në 50 vjetët e fundit në dialogun ekumenik ndërmjet Federatës Luterane Botërore dhe Kishës Katolike. Nuk mund të dorëzohemi përballë ndasisë dhe distancës që shkaktoi ndarja mes nesh. Kemi mundësi t’i ndreqim në një çast vendimtar të historisë sonë, duke i kapërcyer grindjet dhe keqkuptimet, të cilat shpesh na penguan ta kuptojmë njëri-tjetrin.
Jezusi na thotë se Ati është zotëria i vreshtës (krh v.1), ai që e kujdes dhe e krasit, për të dhënë më shumë fryt (khr v2). Ati shqetësohet vazhdimisht për marrëdhëniet tona me Jezusin, për të parë nëse jemi vërtet të bashkuar me Të (krh v.4). Na shikon, e shikimi i Tij plot me dashuri na inkurajon ta pastrojmë të kaluarën tonë e të punojmë, në të sotmen, për realizimin e atij uniteti të ardhshëm, të cilin Ai e dëshiron aq shumë.
Edhe ne duhet ta shikojmë me dashuri e ndershmëri të kaluarën tonë, ta pranojmë gabimin e të kërkojmë falje: vetëm Zoti është gjykatësi! E duhet ta pranojmë me të njëjtën ndershmëri e dashuri se ndarja jonë largohej nga intuita origjinale e popullit të Zotit, që dëshiron, natyrisht, të jetë i bashkuar dhe se u përjetësua historikisht nga njerëz të pushtetshëm të kësaj bote, më shumë se nga populli besimtar, i cili kudo e kurdoherë, ka nevojë të udhëhiqet me siguri e dashuri nga Bariu i tij i Mirë. Me gjithë këtë, nuk mungoi, nga të dyja palët, vullneti i mirë për ta shpallur e për ta mbrojtur fenë e vërtetë. Por jemi të vetëdijshëm edhe se u mbyllëm në vetvete nga frika a paragjykimi përballë fesë, që e shpallin të tjerët, me theks e gjuhë të ndryshme. Papa Gjon Pali II thoshte: “Nuk duhet ta lëmë veten të na udhëheqë ndjeti për t’u bërë gjykatës të historisë, por vetëm nga dëshira për t’i kuptuar më mirë ngjarjet e për t’u bërë mbartës të së vërtetës”(Mesazh Kardinalit Johannes Willebrands, President i Sekretariatit për Bashkimin e të Krishterëve, 31 tetor 1983). Zoti është zotëria i vreshtës që na ushqen e na mbron me dashuri të pafundme: ta lëmë Zotin të na prekë në zemër! Gjëja e vetme që dëshrion prej nesh, është të rrimë të bashkuar si shermend të gjallë me Birin e tij Jezus. Me këtë shikim të ri të së kaluarës, nuk pretendojmë të realizojmë një korrigjim të paaktualizueshëm të asaj që ndodhi, “por ta tegojmë ndryshe këtë histori” (COMMISIONE LUTERANA –CATTOLICA ROMANA PER L’UNITáAaAÀ, nga konflikti, në bashkim, 17 qershor 2013, 16).
Jezusi na kujton: “Pa mua nuk mund të bëni asgjë” (Gjn 15,5). Është Ai, që na mbështet e na inkurajon të kërkojmë mënyra për ta bërë unitetin realitet gjithnjë më të dukshëm. Pa asnjë dyshim ndarja ishte burim i pafundmë vuajtjesh e moskuptimesh; por, në të njëjtën kohë, na ndihmoi të fitojmë sinqerisht vetëdijen se pa Të nuk mund të bëjmë asgjë, duke na dhënë mundësinë t’i kuptojmë më mirë disa aspekte të fesë sonë. Me mirënjohje pranojmë se Reforma ndihmoi të vihej më në qendër Shkrimi Shenjt në jetën e Kishës.
Përmes dëgjimit të përbashkët të Fjalës së Zotit në Shkrimet Shenjte, dialogu ndërmjet Kishës Katolike dhe Federatës Luterane Botërore, së cilës po i kremtojmë 50-vjetorin, bëri hapa të rëndësishme. I kërkojmë Zotit që Fjala e Tij të na mbajë të bashkuar, sepse ajo është burim ushqimi e jete; pa frymëzimin e saj nuk mund të bëjmë asgjë.
Përvoja shpirtërore e Martin Luterit na kujton se nuk mund të bëjmë asgjë, pa Zotin. “E si mund ta kem një Zot të mëshirshëm?”. Kjo është pyetja, që e trazonte vazhdimisht shpirtin e Luterit. E, në të vërtetë, çështja e marrëdhënieve të drejta me Zotin është vendimtare për jetën. Siç dihet, Luteri e zbuloi këtë Zot të mëshirshëm në Lajmin e Mirë të Jezu Krishtit të mishëruar, të vdekur e të ngjallur. Me konceptin “vetëm përmes hirit hyjnor”, na kujtohet se Zoti e merr gjithnjë nismën e se i paraprin çdo përgjigjeje njerëzore, në të njëjtin çast, në të cilin njeriu kërkon ta nxisë këtë përgjigje. Doktrina e shfajsimit shpreh thelbin e jetës njerëzore përballë Zotit.
Jezusi ndërhyn për ne si ndërmjetësues pranë Atit dhe e lut për unitetin e dishepujve të tij “Që bota të besojë” (Gjn 17,21). E kjo është që na ballafaqon e na shtyn të bashkohemi me Jezusin për t’i kërkuar me ngulm: “Epnae dhuratën e unitetit, që bota të besojë në pushtetin e mëshirës sate”. Kjo është dëshmia që bota po e pret nga ne! Si të krishterë, do të jemi dëshmi e besueshme e mëshirës së Zotit, në atë masë, me të cilën falja, përtëritja e pajtimi do të jenë përvojë e përditshme ndërmjet nesh. Së bashku mund ta kumtojmë e ta manifestojmë konkretisht e me gëzim mëshirën e Zotit, duke e mbrojtur e duke i shërbyer dinjitetit të çdo njeriu. Pa këtë shërbim ndaj botës e në botë, feja e krishterë është e paplotë.
Luteranë e katolikë lutemi së bashku në këtë katedrale e jemi të vetëdijshëm se pa Zotin nuk mund të bëjmë asgjë: ta kërkojmë ndihmën e Tij, për të qenë gjymtyrë të gjalla, të bashkuara me Të, gjithnjë nevojtarë për hirin e Tij, që të mund t’ia çojmë së bashku Fjalën e Tij botës, e cila ka nevojë për dashurinë e Tij e për mëshirën e Tij!
“Uniteti ndërmjet të krishterëve është çështje parësore: pranojmë se ndërmjet nesh vlen më shumë ajo që na bashkon, sesa ajo që na ndan.” Kështu pohoi mes tjerash Papa Françesku në Malmo Arena, gjatë ngjarjes ekumenike me luteranët në Suedi, me rastin e përkujtimit të përbashkët të 500-vjetorit të Reformës së Martin Luterit. Fjalimi i Papës (tekst i plotë) drejtuar luteranëve.
Të dashur vëllezër e motra,
e falënderoj Zotin për këtë përkujtim të përbashkët të 500-vjetorit të Reformës, që po e jetojmë me shpirtin e përtërirë e me vetëdijen se uniteti i të krishterëve është detyrë e dorës së parë, duke e pranuar se ndërmjet nesh vlen më shumë ajo që na bashkon, sesa ajo që na ndan. Udha e nisur për ta arritur, është tashmë dhuratë e madhe, që na bën Zoti e, falë ndihmës së Tij, sot jemi të mbledhur, luteranë e katolikë, me shpirtin e bashkimit, për t’i sjellë sytë kah i vetmi Zot, Jezu Krishti.
Dialogu ndërmjet nesh krijoi mundësitë ta thellojmë njohjen reciproke, të krijojmë besim të përbashkët dhe të konfirmojmë dëshirën për të ecur drejt bashkimit të plotë. Një nga frytet e prodhuara nga ky dialog është bashkëpunimi ndërmjet organizatave të ndryshme të Federatës Luterane Botërore dhe Kishës Katolike. Falë kësaj klime të re mirëkuptimi, sot Caritas Internationalis dhe Lutheran World Federation for World Service do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët marrëveshjesh, që të zhvillojnë e të fuqizojnë kulturën e bashkëpunimit për promovimin e dinjitetit njerëzor e të drejtësisë shoqërore. I përshëndes përzemërsisht anëtarët e të dyja organizatave që, në një botë të copëzuar nga luftërat e konfliktet, ishin e janë shembull i ndritshëm i përkushtimit e i shërbimit ndaj të afërmit. I nxis të vijojnë ecjen në rrugën e bashkëpunimit.
I dëgjova me vëmendje dëshmitë: vërejta se në mes të një mori sfidash, këta njerëz e vënë ditë për ditë jetën në shërbim të ndërtimit të një bote, e cila përkon gjithnjë më shumë me planet e Zotit.
Pranita foli për krijimin. E qartë se i gjithë krijimi është shprehje e dashurisë së pakufishme të Zotit për ne; prandaj edhe përmes dhuratave të natyrës, ne mund ta kundrojmë Zotin. Mendoj ashtu si ti për çështjen e shpërdorimeve, që e dëmtojnë planetin, shtëpinë tonë të përbashkët e që kanë edhe pasoja të rënda mbi klimën. Siç e kujtove edhe ti, goditjet më të rënda bien mbi njerëzit e ligshtë, që detyrohen të emigrojnë, për të shpëtuar nga pasojat e ndryshimeve klimaterike. Të gjithë jemi përgjegjës për mbrojtjen e krijimit e, në mënyrë të veçantë, ne të krishterët. Stili ynë i jetesës, sjelljet tona, duhet të jenë në përkim me fenë tonë. Jemi të thirrur ta kultivojmë harmoninë me vetveten e me të tjerët, por edhe me Zotin e me veprën e duarve të Tij. Pranita, të inkurajoj ta vijosh angazhimin tënd në favor të shtëpisë sonë të përbashkët.
Imzot Héctor Fabio na njoftoi për punën e përbashkët që zhvillojnë katolikë e luteranë në Kolumbi. Lajm i mirë ky, të mësosh se të krishterët bashkohen për të vënë në jetë procese komunitare e shoqërore me interes të përbashkët. Ju kërkoj një lutje të veçantë për këtë tokë të mrekullueshme që, me bashkëpunimin e të gjithëve, të gëzojë, më në fund, paqen aq të dëshiruar e të nevojshme për bashkëjetesën e denjë njerëzore. Le të jetë lutje, që të pushtojë mbarë vendet ku vijojnë situata konflikti.
Marguerite na tërhoqi vëmendjen mbi punën në favor të fëmijëve, viktima të shumë mizorive, si dhe mbi impenjimin për paqen. Është diçka e admirueshme e njëkohësisht dhe thirrje për t’i marrë seriozisht situatat e panumërta, në të cilat vuajnë shumë njerëz të pambrojtur, ata që nuk kanë zë. Ky, që ti e shikon si mision, ishte një farë, e cila prodhoi fryte të begata e sot, falë kësaj fare, miliona fëmijë mund të studiojnë, të rriten, të rifitojnë shëndetin. Të falënderoj që sot, edhe pse në mërgim, vijon të komunikosh një mesazh paqeje. Na kujtove se gjithë të njohurit mendojnë se kjo që po bën është marrëzi. Natyrisht, është marrëzia e dashurisë së Zotit për të afërmin. Sa mirë do të ishte që kjo marrëzi të përhapej anë e kënd, e ndriçuar nga feja e nga besimi në Provaninë hyjnore. Ec pa frikë përpara e unë uroj që ky zë shprese, i cili dëgjohet në fillim të aventurës sate, të vijojë ta nxisë zemrën tënde e zemrat e shumë të rinjve.
Rose, më e reja, dha një dëshmi vërtet prekëse. Diti të përfitojë nga talenti që i dha Zoti përmes sportit. Në vend që t’i shpërdorojë forcat në situata të pafryt, i vuri në shërbim të një jete plot fryte. Ndërsa dëgjoja historinë tënde, më erdhi në mendje historia e shumë të rinjve, që kanë aq shumë nevojë për dëshmi, si kjo jotja. Do të më pëlqente t’u kujtoj se të gjithë mund ta zbulojnë kushtin e mrekullueshëm se janë të gjithë bij të Zoti, e privilegjin se Ai i mirëpret e i do. Rose, të falënderoj nga zemra që u përpoqe e flijove aq shumë për t’i inkurajuar edhe vajzat e tjera të rikthehen në shkollë, e edhe për lutjet që thua çdo ditë për paqen në Shtetin e ri të Sudanit të Jugut, që ka kaq shumë nevojë për to.
Pasi dëgjova këto dëshmi të forta, që na bëjnë të mendojmë për jetën tonë e për mënyrën si u përgjigjemi situatave të vështira rreth nesh, dëshiroj t’i falënderoj të gjitha qeveritë që i asistojnë refugjatët, mërgimtarët dhe njerëzit në kërkim të strehimit, sepse çdo veprim në favor të këtyre njerëzve nevojtarë për mbrojtje, përfaqëson një gjest të madh solidariteti e njohjeje të dinjitetit të tyre. Për ne, të krishterët, është detyrë e dorës së parë t’i ndihmojmë të flakurit nga radhët e kësaj bote e ta bëjmë të dukshme dhembshurinë dhe dashurinë përdëllyese të Zotit, që nuk e flak asnjërin, por i mirëpret të gjithë.
Pas pak do të dëgjojmë dëshminë e Ipeshkvit Antoine, që jeton në Haleb, qytet i rrënuar nga lufta, ku përbuzen e shkelen deri të drejtat më themelore. Lajmet na flasin ditë për ditë për vuajtjen e pamasë, shkaktuar nga konflikti sirian, që vijon tash më se pesë vjet. Në mes të një shkatërrimi të madh, është vërtetë heroik qëndrimi i burrave e i grave, që rrijnë atje, për t’u dhënë ndihmë materiale e shpirtërore nevojtarëve. Është e admirueshme edhe që ti, i dashur vëlla, vijon të punosh në mes gjithë atyre rreziqeve, për të na treguar situatën dramatike të sirianëve. Secili prej tyre është në zemrën tonë e në lutjen tonë. Lutje, përmes së cilës kërkojmë kthimin e zemrave të atyre, që kanë përgjegjësi për fatet e këtij rajoni.
Të dashur vëllezër e motra, të mos lejojmë që të na mposhtin kundërshtimet. Këto histori na motivojnë e na ofrojnë nxitje të reja për të punuar gjithnjë më të bashkuar. Kur të rikthehemi në shtëpitë tona, ta marrim me vete angazhimin për të bërë çdo ditë një gjest paqeje e pajtimi, për të qenë dëshmitarë të guximshëm e besnikë të shpresës së krishterë.
Komentet