Voal – Papa Françesku duke folur në Kuvëndimin për njerëzit e gjymtuar, organizuar nga Konferenca ipeshkvnore italiane, me rastin e 25 vjetorit të Sektorit katekistik, kur një vajzë me Sindromën e down, e pas saj, edhe një tjetër, iu afruan Papës Françesku, që po fliste, e përqafuan e pastaj mbetën një copë herë tek këmbët e tij, duke e ndjekur me hundët picrrake përpjetë. “Guximtare, këto vocrrake – komentoi Papa – të afta për të rrezikuar. Këto nuk do të dikriminohen kurrë”.
Është pikërisht kjo, tematika e pyetjeve, që i bënë Papës dy të rinj e, pas tyre, edhe një meshtar: “Si mund të përballohet pa frikë ndryshimi, e si të shmanget përjashtimi edhe në bashkësi?”:
“Shpesh herë kemi frikë nga larmitë, nga ndryshimet. Na bëjnë të dridhemi. Pse? Sepse të takohesh me një njeri të ndryshëm, që ka një ndryshim nuk po themi të fortë, por të madh, është sfidë; e çdo sfidë të shkakton frikë. Është më e rehatshme të mos lëvizësh, t’i mbyllësh sytë para ndryshimeve e të thuash: ‘E po të gjithë jemi njëlloj, e nëse ndonjë nuk është kështu, ta lëmë mënjanë’”.
Sfida frikëson, por ndryshimi, larmia, duhet parë si pasuri gjithnjë, pohoi Papa e shtoi:
“Mendoni sa e mërzitshme do të ishte kjo botë, sikur të gjithë të ishin krejt njëlloj, ndërsa larmitë, së bashku, bëjnë një gjë më të bukur, më të madhe”.
Është e vërtetë se ka edhe ndryshime të dhimbshme, e të gjithë e dimë se i kanë rrënjët në disa sëmundje… por larmitë edhe na ndihmojnë, na sfidojnë, na pasurojnë. Prandaj nuk duhet pasur kurrë frikë nga ndryshimet, kjo është pikërisht rruga për t’u përmirësuar, për të qenë më të bukur e më të pasur.
T’i shtrëgojmë duart e t’i dhurohemi njëri-tjetrit
Po ç’duhet bërë konkretisht? Eshtë një gjest, një sekret, për të cilin flet Françesku. T’i shtrëngojmë duart, gjest i bërë gati-gati në mënyrë “të pavetëdijshme”, por gjest i fortë, tha Papa:
“Kur unë të shtrëngoj dorën, vë në atë shtrëngim gjithçka kam me ty – nëse është shtrëngim dore i sinqertë, natyrisht. – Të jap dorën, dorën time, e ti më jep tënden. E kjo u bën mirë të gjithëve. Të shkojmë përpara me gjithë ndryshimet, sepse larmitë ndryshimet vërtet janë sfidë, por na bëjnë të rritemi”.
Të gjithë kemi të njëjtën mundësi për të marrë Sakramentet
Para sfidës së re që e reja Serena ia bëri Papës nga karroca, ku e ka ngujuar sëmundja – domethënë mundësisë që bashkësia të të mënjanojë e të të përjashtojë – Papa Françesku bëri shaka, por me një ton të ndryshëm:
“Serena foli për një nga gjërat më të këqija, më të këqija që mund të jenë mes nesh: për diskriminimin. Është gjë tejet e keqe!”.
“Nëse dyert e Kishës nuk hapen për të gjithë, atëherë më mirë të mbyllen”, tha Papa Françesku.
Mbi mikpritjen e nevojshme, Papa pohoi edhe një herë me forcë se duhen mikpritur vërtet të gjithë e të gjithë edhe duhen dëgjuar.”
“Një gjë duhet ta bëjnë më shumë priftërinjtë, laikët, meshtarët, sidomos, duhet të bëjnë më shumë: Duhet të dëgjojnë! ‘Por, o Atë, është punë e merzitshme të dëgjosh, sepse të njëjtat histori përsëriten njëmijë herë!’. Historitë janë të njëjta, por jo njerëzit…! E Zoti është në zemrën e secilit njeri e ti duhet të kesh durim e t’i dëgjosh një për një”.
Duhet t’i mikpresësh e t’i dëgjosh të gjithë, pra, është porosia, që Papa ua dha të mëdhenjve të vegjëlve, që e rrethonin, ardhur nga të gjitha dioqezat e Italisë e të një mori visesh të Evropës. /RV
Komentet