Vazhdon të bëjë jehonë “letra e shkëlqyer” që Papa Françesku publikoi para ca ditësh mbi rolin e letërsisë në formimin e vetveteve dhe veçanërisht priftërinjëve dhe atyre që bëjnë “punë baritore”, pra, shpirtërore.
Është një tekst që pohon leximin e poezisë dhe romaneve si “thelbësore” dhe, – sipas lajmit, – shpjegon arsyet.
Letërsia “ka të bëjë, në një mënyrë apo në një tjetër, me atë që secili prej nesh dëshiron nga jeta”, shkruan Papa Françesku. Nuk janë krijues vetëm ata që shkruajnë, por edhe ata që lexojnë.
Dhe arrin deri aty sa shprehet se lexuesi është bashkautor, pra “ai rishkruan veprën, e amplifikon me imagjinatën e tij, krijon një botë, përdor aftësitë e tij, kujtesën e tij, ëndrrat e tij, historinë e tij.”
Gjithçka si lexim…
Kur Papa Françesku erdhi në Shqipëri para 10 vjetësh, në Presidencën e atëhershme të Tiranës ai bëri si dhuratë “Mesharin” e Gjon Buzukut, një kopje digjitale të tij. Siç dihet, “Meshari” njihet si libri i parë në gjuhën shqipe dhe ka mbetur veç një, i zhdukur nga rrebeshet e shekujve dhe pushtimet dhe ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit.
Ç’donte t’i thoshte Ati i Shenjtë me atë dhuratë lidershipit shqiptar? Që të kujtonin se cili ishte libri ynë i parë? Që duhet ta rinisnin me librin, me atë të vazhdohej? Që institucionet e vendit, nga më i larti, duhet të kenë bibliotekat e tyre, të lexojmë patjetër, si popull? Ndoshta të gjitha këto bashkë, etj, etj, na la si porosi.
Dhe presidenti shqiptar i radhës nuk e di sa e kuptoi porosinë, se ai ia dha dhuratën Bibliotekës Kombëtare, aty e ka vendin, tha, sikur dhuruesi i madh të mos e dinte këtë gjë, kur vendi i vërtetë i librit është koka e gjithsecilit, duke përfshirë dhe kokat e shtetit.
Do të doja që ai libër të kthehej në Presidencë…
Gjithsesi, dua të them se jam i mrekulluar nga letra e fundit e Papa Françeskut, se si e do ai letërsinë dhe befas m’u ndërmend një bisedë me ambasadorin e Argjentinës në Vatikan, na tregonte kur ishte gjimnazist në Buenos Aires dhe një jezuit aty, Jorge Mario Bergoglio, po përgatiste një antologji me krijime të gjimnazistëve dhe ftoi t’i bënte parathënien shkrimarin gjenial Jorge Luis Borges. Dhe ashtu u bë.
Sot ai jezuit është Papa, ku gjimnazisti i dikurshëm dorëzoi letrat kredenciale si përfaqësues i atdheut, nga ata të dy vijnë.
“Unë dua artistët tragjikë” – shkruan Papa Françesku, jo si atraksion ndaj tragjedisë si gjini letrare, por si dëshirë për të hyrë në kushtin njerëzor edhe nëpërmjet rrugës së paraqitjes estetike, etj, etj.
– Mos harroni folenë dhe plagët! – i porositi shqiptarët Papa Françesku gjatë vizitës së tij. Folenë se ai e dinte që shqiptarët mbahen si bij të shqipes, kështu tha, dhe iknin larg, ndërsa plagët nga që jemi popull i vuajtur, me një kishë martire, prandaj dhe zgjodhi që vizitën e parë jashtë vendit si Papë ta bënte në Shqipëri.
Foleja si një plagë dhe plagët si fole, dhëmbin të dyja, shkruajta unë.
Dua të kujtoj takimet tona me Papa Françeskun, buzëqeshjen e tij plot dritë kur i kemi dhuruar librat e mi, poezitë dhe romanet në italisht si dhe një ese për Shenjten Nënë Tereza, “Le piaghe non hanno patria” (Plagët nuk kanë atdhe), i bëri përshtypje titulli, vështroi nga Eda ime, ndoshta donte te gjente diçka nga Nënë Tereza në një bashatdhetare të saj, por mua më ka mbetur në mendje kujdesi dhe dhembshuria se si ai mori librat, gishtat sikur i kumbonin, sikur të kishte një lirë të padukshme diku pranë…
Siç duket leximet, që Papa Françesku na dërgoi një letër të gjithëve tani për rëndësirën e tyre jetike, ndikojnë dhe në gjestet tona, ka rëndësi si e merr një gjë dhe po aq, në mos më shumë, si e jep…