Intervista e Papës në TG5, prek problemet e mëdha të kohës: nga pandemia, tek mbrojtja e jetës; nga njerëzit e pambrojtur e vlera e unitetit, tek politika e Kisha… Françesku ndalet tek temat e mëdha të aktualitetit në këtë fillimviti. E i fton të gjithë të vaksinohen e ta rizbulojnë vlerën e fesë, si dhuratë e Zotit.
R. SH. -Vatikan
“Ta ndjejmë veten më të bashkuar, më pranë njeriut që vuan, vëllezër, që të mund ta kapërcejmë krizën botërore shkaktuar nga pandemia”. Në fillim të intervistës dhënë TG5, Françesku ripohon se “nga kriza nuk mund të dalim kurrë si më parë, kurrë! Mund të dalim më të mirë, ose më të këqij”. Për Papën “duhet rishikuar gjithçka”. Vlerat e mëdha janë gjithnjë të pranishme në jetë, por këto vlera duhet të gjejnë shprehjen e vet në jetën e këtij çasti”. Numëron, më pas, një sërë situatash dramatike, duke nisur nga fëmijët që vuajnë nga uria e nuk mund të shkojnë në shkollë, për të vijuar me luftërat, që trondisin shumë zona të planetit. “Statistikat e Kombeve të Bashkuara lidhur me këtë – nënvizon – janë të frikshme”. Kujton se po të dalim nga kriza “pa i shikuar mirë këto gjëra, dalja do të jetë një disfatë e re”. E do të jetë edhe më e keqe. T’i shikojmë – kujton – vetem këto dy probleme: fëmijët e luftërat.
Vaksinimi është aksion etik, jo opcion
Papa i përgjigjet, pastaj, pyetjes së gazetarit Fabio Marchese- lidhur me vaksinat. “Unë – pohon – besoj se etikisht të gjithë duhet ta bëjnë vaksinën. Nuk është opcion, është aksion etik. Sepse ti luan me shëndetin tënd, luan me jetën tënde, por luan edhe me jetën e të tjerëve”. Këtë mendim jep Papa për vaksinat, për të shpjeguar, më pas, se ditët e ardhshme në Vatikan do të nisë vaksinimi e edhe se është regjistruar për këtë. “Po, duhet bërë” – përsërit – “nëse mjekët e paraqesin si një gjë që mund të bëjë mirë e që nuk ka asnjë rrezik të veçantë, pse të mos e bëjmë. Vërehet një mohim vrasës lidhur me këtë, e unë nuk arrijë ta shpjegoj psenë”. Për Papën , kjo është kohë “kur duhet menduar për ne e kur duhet shlyer për një farë kohe fjala unë, që duhet vënë ndër kllapa. O do të shpëtojmë të gjithë “ne”, ose nuk do të shpëtoj as unë e askush! Mbi këtë argument Papa foli gjërë e gjatë, duke u ndaluar posaçërsisht tek reflektimi, që i pëlqen aq shumë: ai mbi vëllazërimin. “Kjo – vërejti – është sfida: të bëhem i afërt me tjetrin, i afërm me situatat, i afërt me probelemet, të bëhem i afërt me njerëzit”. Armike e afërsisë është “kultura e indiferencës”. Flitet – konstaton – “për një menefregizëm të drejtë ndaj problemeve, por menefregizmi nuk është asapak e asnjëherë i drejtë. Kultura e indiferencës është shkarrimtare, sepse më largon nga tjetri”
Është “koha e fjalës ne”, për ta kaluar krizën
“Indiferenca – vijon – vret, sepse largon. Ndërsa fjala kyçe, kur mendojmë për rrugëdaljet nga kriza, është “afërsi”. Nëse nuk ka unitet, afërsia – kujton qortueshëm Papa – “mund të kriojojë tensione shoqërore edhe brenda Shteteve”. Flet, kështu, për klasën drejtuese “në Kishë, ashtu si në jetën politike”. Në këtë çast krize – nxit – edhe e gjithë klasa drejtuese nuk ka të drejtë të thotë unë, duhet të thotë ne e të kërkojë unitetin përballë krizës. Në këtë çast – ripohon me forcë, “politikani, pastori, i krishteri, katoliku, edhe ipeshkvi e meshtari, që nuk ka aftësi të thotë “ne”, në vend të “unë”, nuk është në naltësinë e duhur të situatës”. E shton se “konfliktet në jetë janë të nevojshme, por në këtë kohë kaq të shqetë, duhet të shkojnë “me pushime” për t’i lëshuar rrugë unitetit “të vendit, të Kishës, të shoqërisë”.
Aborti, para se të jetë çështje fetare, është njerëzore
Françesku nënvizoi përsëri se kriza, pasojë e pandemisë, po e nxjerr edhe më në pah “kulturën e hedhurinës”, në dëm të njerëzve të ligshtë, qofshin të varfër, migrantë a pleq. E më pas u ndalua tek drama e abortit, që i flak fëmijët e padëshiruar. “Aborti – nënvizoi – është problem njerëzor, para se fetar, problem i etikës njerëzore, e pastaj edhe fetare. “Është problem, të cilin edhe ateisti duhet ta zgjidhë në ndërgjgjen e vet. A është e drejtë – pyeti Papa – ta shkatërrosh jetën njerëzore, për të zgjidhur një problem, çfarëdolloj problemi qoftë? A është e drejtë të paguash një vrasës për ta zgjidhur këtë problem?”.
Capitol Hill, të mësohet nga historia: kurrë dhunë!
Papa kujtoi edhe faktet dramatike të 6 janarit të kaluar në Capitol Hill. Pohoi se mbeti i habitur, duke pasur parasysh disiplinën e popullit të SHBA-ve dhe pjekurinë e demokracisë së tyre. Gjithsesi – vijoi – edhe në realitetet që kanë arritur kulmin e pjekurisë, ka gjithnjë diçka që nuk shkon, ka njerëz që marrin rrugën e cila të çon kundër bashkësisë, kundër demokracisë, kundër së mirës së përbashkët. Tani që shpërtheu revolta, vijoi, u bë e mundur të “shihet mirë” fenomeni e edhe mundësia për zgjidhjen e tij. Françesku e dënon dhunën: “Duhet të reflektojmë e ta kuptojmë mirë e, për të mos u përsëritur, ta nxëmë mirë edhe mësimin e historisë”. Këto grupe të parregullta, që nuk e kanë gjetur ende vendin e tyre në gjirin e shoqërisë, heret a vonë do t’i krijojnë këto situata dhune” – pohoi.
Feja, dhuratë për t’u kërkuar nga Zoti
Papa kujtoi, në fund, se edhe ai po i jeton personalisht shtrëngimet e shkaktuara nga pandemia. Pohoi se e ndjen veten “si në kafaz”, kujtoi shtegtimet e anuluara për të shmangur grumbullimin e turmave, shprehu besimin se do ta vizitojë Irakun. Në këto kushte pohoi se i kushton më shumë kohë lutjes dhe bisedave telefonike, për të kujtuar, më pas, sa të rëndësishme ishin për të disa çaste, si Statio Orbis, në Shën Pjetër, më 27 marsin e kaluar, parë si “shprehje e dashurisë për gjithë njerëzit”, që të bën “të shikosh rrugë të reja për të ndihmuar njëri-tjetrin”. Reflektoi, kështu, për besimin në Zotin që – kujtoi – është mbi të gjitha, dhuratë. Për mua – nënvizoi – feja është dhuratë. “As ti, as unë e asnjëri nuk mund ta ketë fenë me forcat e veta: është dhuratë, që na e fal vetë Zoti” e që nuk mund të shitet as të blihet. E, duke kujtuar një fragment nga Libri i Ligjit të Përtërirë, Papa i nxiti të gjithë të kërkojnë “afërsinë e Zotit”. Kjo afërsi në fe, është dhuratë, të cilën duhet ta kërkojmë!
Intervista përfundon me urimin që në vitin 2021 “të mos ketë hedhurina, të mos ketë as sjellje egoiste e uniteti të ketë epërsi mbi konfliktet”./RSH Vatikan
Komentet