TIRANË- Trajnerit i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, Christian Panucci, ka shpallur listën e futbollistëve që ka grumbulluar për dy ndeshjet e radhës që do të luajë Shqipëria.
Shpallja e listës me 26 futbollistë është konfirmuar nga një njoftim zyrtar i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF).
Ndeshjen e parë ekipi kuqezi do ta luajë përballë Skocisë më 17 nëntor, në ora 20:45 në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër. Kjo ndeshje është e vlefshme për UEFA Ligën e Kombeve.
Ndeshja e dytë e Kombëtares së Shqipërisë në Futboll do të jetë miqësore, ku përballja Shqipëri-Uells, do të zhvillohet më 20 nëntor në stadiumin “Elbasan Arena”, me fillim në ora 20:00.
Kujtojmë se Shqipëria në ndeshjet e zhvilluara në kuadër të UEFA Ligës së Kombeve, deri tani ka fituar me rezultatin 1-0 përballë Izraelit më 7 shtator të këtij viti dhe ka humbur përballë këtij ekipi me rezultatin 2-0, më 14 tetor. Në përballjen e parë me Skocinë, Shqipëria ka humbur me rezultatin 2-0, ndeshjen e zhvilluar më 10 shtator.
Shqipëria është në grupin e parë me tre skuadra të Ligës C, ku kundërshtarë të saj janë Izraeli dhe Skocia.
Sipas njoftimit të FSHF-së, Thoma Strakosha, Etrit Berisha dhe Alban Hoxha, janë zgjedhur nga trajneri Panucci për portier. Për pozicionin mbrojtës janë grumbulluar Ivan Balliu Campeny, Elseid Hysaj, Egzon Binaku, Ardian Ismajli, Berat Djimisti, Federic Veseli, Ermir Lenjani, Kastriot Dermaku dhe Mërgim Mavraj.
Si mesfushorë për dy ndeshjet e radhës janë grumbulluar Migjen Basha, Andi Lila, Ledian Memushaj, Sabien Lilaj, Enis Gavazaj, Loret Sadiku, Emanuele Ndoj, Ylber Ramadani, Taulant Xhaka, ndërsa si sulmues Rey Manaj, Myrto Uzuni, Eros Grezda, Bekim Balaj dhe Giacomo Vrioni.
Komentet